Disa mësime nga Revolucioni Bolshevik në Rusi

Nga: Anna Geifman “Tablet Magazine”

Për një revolucionar, bota nuk ka asnjë vlerë dhe meriton të asgjësohet. Dikush që mendon në këtë mënyrë duhet ta urrejë jetën. “Nuk ka gëzim më të madh, s’ka muzikë më të mirë se sa tingulli dërrmues i eshtrave dhe jetëve të thyera”- ishin vargjet e dikurshme të një poeti bolshevik në një poezi-himn për shfarosjen e kundërshtarëve.

Nazistët “ishin shkatërrues”, thoshte psikologu Erik From. “Ata urrenin jo vetëm armiqtë e tyre, por edhe vetë jetën”. Zelli për asgjësimin e gjithçkaje,qëndron në themelin e ekstremizmit, pavarësisht se çfarë orientimi ka ai. Refuzimi emocional i botës, i paraprin  thuajse gjithmonë justifikimit ideologjik të shkatërruesve mbi një plan për shkatërrimin e saj.

Nihilistët e fillimit të shekullit XX-të në Rusi kishin njëmendje të shëndoshë, dashuri dhe mirësi për arkaiken dhe banalen. Përkundrazi, destruktiviteti ishte një shenjë e urbanizmit. Shkrimtari Andrei Beli i përshkroi si “anormalë’, “të çuditshëm”, ‘të sëmurë” dhe antisocialë,bashkëkohësit e tij përçmues që duartrokisnin gjithçka.

Në një gjendje të mjeruar, ata panë rreth tyre vetëm dëshpërim dhe një errësirë ​​të thellë. Radikalë të panumërt dështuan të artikulojnë ankesa apo objektiva konkrete, dhe dëshironin vetëm që“t’i lanin njëherë e mirë hesapet me çdo gjë të vjetër”.

“Flamuri që na bashkoi, ishte mohimi i jetës që na kishte formuar”-shpjegoi Beli, duke iu referuar dëshirës vetë-shkatërruese të rebelëve për të asgjësuar mjedisin, ku ata ishin një pjesë përbërëse. Përkundër një pretendimi të njohur marksist se “qenia e përcakton vetëdijen”, sukseset në mobilizimin e masave deri atëherë konservatore ose apolitike për revolta politike, kanë ndodhur shpesh në kohërat e liberalizimit dhe reformave.

Gjatë shekullit të kaluar, ekstremizmi lulëzoi në shoqëritë ku idealet e degraduara lanë pas një boshllëk kulturor, etik dhe shpirtëror, që u mbush me axhenda totalitare. Radikalizimi është një gjendje psikologjike, që shoqëron një shpërbërje të befasishme të identiteteve kolektive.

Në fillim të viteve 1900, Rusia ishte një rast i përsosur i asaj që psikologu Robert Lifton e ka quajtur “zhvendosje historike”, kur një ndjenjë e katastrofës shoqëroi shkatërrimin e një ambienti kulturor, të diktuar deri atëherë nga mënyra kolektive e jetës.

Industrializimi i shpejtë i ndërpreu rutinat shekullore, kur fshatarët nga i gjithë vendi u zhvendosën në qendrat industriale, dhe ku pak prej tyre gjetën burime të mjaftueshme të brendshme, për t’iu përshtatur jetës së re si individë të veçantë.

Të larguar nga mjedisi i tyre, të vetmuarit e pafat ishin një pre e lehtë për rekrutuesit politikë që kërkonin kuadro. Një taktikë tipike ishte të lejohej një “person i zhvendosur” të përjetonte humbjen torturuese të identitetit të tij të mëparshëm. Më pas dikush bëhej shok me të, dhe e ftonte të bashkohej me “shokët” e tjerë.

“Udhëheqësit e grupeve, i siguruan rekrutit të ri një botëkuptim zëvendësues, dhe një mori vlerash primitive. Çfarëdolloj gjëje që kontribuonte tek revolucioni ishte e mirë; çdo gjë që e pengonte fitoren e saj ishte e keqe. Pastaj rekrutuesit caktuan objektiva të urrejtjes dhe agresionit”- shkruan Lifton.

Një “person i zhvendosur” nga çdo kulturë është një kandidat i zakonshëm për t’u bashkuar me grupin e shkatërruesve të politizuar. “Gjendem në një situatë ku nuk kam miq, s’kam se me kë të flas, të këshillohem, askënd që të më mbështesë, ndihem i dëshpëruar dhe i vetmuar. Nuk di se çfarë të bëj”- shkruante nigeriani Umar Faruk Abdulmutallab, një njeri i njërës prej familjeve më të pasura në Afrikë, që u bë i njohur si “bombarduesi i mbathjeve”, për rolin e tij në një komplot terrorist në një linjë ajrore.

Postimet e dëshpëruara të “Faruk 1986”, zbulojnë arsyen se pse ai u zgjodh ngaAl-Kaida për të shpërthyer eksplozivët në bordin e një avioni të linjës “Northwest Airlines”ditën e Krishtlindjes së vitit 2009. Ai do të kishte qenë një figurë e njohur në Rusinë para-revolucionare, apo në Gjermaninë e Vajmarit, apo të dhjetëra të vendeve të tjera, përfshirë Amerikën e sotme.

Tek të gjitha këto vende,identitetet e njohura,ishin bërë të pavlefshme dhe të parëndësishme, dhe ishin qëndrimet ekstremiste ato që e mbushën boshllëkun. Radikalizmi – si një zëvendësues i një këndvështrimi tradicional të përçmuar – ka frymëzuar herë pas here simpatizantët për të shenjtëruar ndërtuesit e botëve të reja të guximshme.

Nga Anglia në Japoni, shkrimtarët lartësuan sjelljen vetëmohuese të rebelëve, si në dramën “Vera” të Oskar Uajlld, apo në“Tregimet e shkurtra nga Evropa” të Tajima Shoji për gratë që kanë një qëllim në jetë. Libri “Si e formësoi Rusia botën moderne” të Stiven Marks, citon një shkrimtar kinez, personazhi revolucionar rus i të cilit thoshte:“Nihilistë, ju dua, ju adhuroj. Veprimet tuaja janë të shkëlqyera dhe të lavdishme!”.

Në Rusi, “letrat e bukura” të fillimit të viteve 1900, u shndërruan në një medium për të ndërtuar imazhin e terroristit-humanist. Tregimet e lexuara gjerësisht të shkrimtarit Leonid Andrev mbi “martirët”, prodhuan një modë të re sociale:simpatinë për ekstremistët.

Vetë Andrev e ktheu shtëpinë e tij në një strehë për terroristët. Kolegu i tij, Maksim Gorki, e shndërroi banesën e tij në një laborator të prodhimit të bombave artizanale. Duke ndjekur shembullin e shkrimtarëve, elita e arsimuar e konsideroi si një detyrim etik dhe shoqëror mbajtjen e radikalëve me para, strehimin e tyre, por edhe të armëve dhe eksplozivëve që ata kishin me vete.

Ndërsa mbështetnin publikisht më shumë “metoda të kulturuara të luftës”, profesorët e universitetit, mësuesit dhe avokatët i duartrokisnin në rrethet ngushta aktet terroriste. Gazetarët idolizuan terroristë si Maria Spiridonova. Simpatizantët perëndimorë e brohoritën eksperimentin sovjetik.

Lexo edhe :   Avokati: Navalny po e humb ndjeshmërinë në duar dhe këmbë

Shkrimtarë të njohur si Xhorxh Bernard Shou, Teodor Drajzer, Bertolt Breht dhe Luis Aragon, ishin të magjepsur nga komunizmi, edhe në orën më të errët të regjimit të Stalinit. Edhe skeptikët e mëdhenj, të cilët nuk morën si të mirëqenë asnjë ide, u entuziazmuan nga komunizmi si një kult mesianik laik, qëllimi madhor i të cilit ishte shpëtimi kolektiv, në kurriz të individit.

Edhe nacional-socialistët kërkuan shpëtimin laik si një komunitet i shenjtë, por si Volk-u gjerman, dhe jo si proletarë fitimtarë. Megjithatë, nazizmi nuk kishte një potencial mesianik më të vogël se komunizmi, duke e vënë theksin tek vetëmohimi, dhe tek një shkrirje mistike e individit me “trupin e Gjermanisë” racialisht të pastër.

Ideologjia naziste ofronte një sistem vlerash gjithëpërfshirës dhe një objektiv utopik, të cilin e dëshironin shkrimtarët gjermanë. Intelektualët nazistë formuluan dhe përhapën doktrinën e Hitlerit. Shkencëtarët zhvilluan teorinë e tij të racës. Gazetarët përhapën antisemitizmin, nën drejtimin e Ministrit të Propagandës së Hitlerit, Jozef Gëbels, që ishte doktoruar në histori dhe letërsi.

Shumë burra të mirë-arsimuar iu bashkuan dhe drejtuan njësitë SS. Mjekë dhe studiues shumë të aftësi Josef Mengele, ishin në krye të vrasjeve të tmerrshme në Aushvic dhe kampet e tjera të vdekjes.

Intelektualët e pas Luftës së Dytë Botërore, të pakënaqur me mjedisin e tyre, ngritën lart si modele sociale Kinën, Kamboxhian dhe Kubën. Shumë prej tyre mbështetën regjime ekstremiste në Afrikë dhe Lindjen e Mesme. Kohët e fundit, mijëra perëndimorë nisën të idealizonin të ashtuquajturin Kalifat Islamik – pikërisht për shkak të luftës së tij ndaj mjedisit nga i cili ata kishin hequr dorë.

Në majin e vitit 2020, intelektualët në të gjithë botën u gjunjëzuan para imazhit të afro-amerikanit Xhorxh Floid, një martir publik i sapo-kanonizuar. Droga, sulmet e armatosura, arrestimet, dhuna ndaj grave dhe burgosjet e shumta, ishin më pak të “shenjta” sesa Floid.

Si një viktimë e brutalitetit të policisë, Floid u shenjtërua pasi ai “dha jetën” në mënyrë që në SHBA dhe në botë të mbizotërojë“drejtësia racore”.

Ish-krimineli me nivele fatale të drogës së fortë fentanil në gjakun e tij në kohën kur vdiq, u bë emblema e një rebelimi të justifikuar. Në Shtetet e Bashkuara, intelektualët nihilistë nuk po shfrytëzojnë vetëm boshllëkun e vlerave të krijuar nga ndryshimet në strukturën shoqërore, dhe nga shfaqja e teknologjive të reja; boshllëku është në fakt krijimi i tyre.

Duke ndjekur tendencat evropiane, inteligjenca amerikane ka rivlerësuar – dhe zhvlerësuar – çdo aspekt jetik të kulturës njerëzore, përfshirë besimin, familjen dhe identitetet gjinore.

Përkrahësit e idealeve tradicionale, janë zhdukur nga diskursi publik i zakonshëm. Duke u ndeshur me shumë pak kundërshti intelektuale, liberalët e majtë, në aleancë me radikalët, kanë arritur që të diktojnë mënyrat normative të dialogut qytetar.

Ata e kanë ngritur në nivelin e një kulti konceptin e “korrektesës politike”, që tani është i detyrueshëm në media, industrinë e argëtimit dhe sistemin arsimor, nga fillorja deri në universitet.

Intelektualët subversivë i kanë lënë të rinjtë amerikanë pa asnjë ideal që mund të mbrojnë. Dhe të rinjtë janë të zemëruar – me prindërit e tyre, që dështuan t’i fuqizonin ata me vlera të rrënjosura thellë; por edhe me mësuesit e tyre të çoroditur në shkollë, që i mësojnë fëmijët të mos respektojnë asgjë.

Ndërkohë, jo-konformistët që hedhin poshtë teoritë e shenjta të klasës dhe racës,etiketohen si fanatikë, poshtërohen dhe mënjanohen. 62 për qind e amerikanëve që mendojnë se jetojnë në një demokraci,e pranojnë se kanë frikë që të zbulojnë pikëpamjet e tyre të vërteta politike.

Dhe një qëndrim i tillë duket i justifikuar, në kushtet kur liria e shprehjes është de fakto një privilegj i ithtarëve të një “linje partiake progresive” të mbështetur nga monopolete mëdha të teknologjisë, që përcaktojnë në mënyrë agresive të vërtetën, bazuar në kritere shumë të politizuara, dhe ku nxënësit e shkollave inkurajohen të etiketojnë dhe denoncojnë shokët e tyre edhe për krime që i kanë çuar vetëm nëpër mend.

Përvoja jonë me ikonoklastët e rrymave të ndryshme, që e kanë dominuar shekullin e kaluar,na garanton se ekstremizmi i drejtuar nga ideologjia, është në thelb një fenomen i përsëritur. Pavarësisht nga ndryshimet kohore, gjeografike, kulturore dhe dogmatike, qëndrimet radikale ata përputhen me një model themelor.

Aktualisht, me përpjekjen e ringjallur për t’i disiplinuar individët përmes përdorimit të fuqisë shtrënguese, një brez i ri revolucionarësh po uzurpon të drejtën për të imponuar një ideal të lartë. Kjo gjë është zbuluar në forma të ndryshme, qoftë “parajsa proletare”, shpëtimi i “racës sipërore”, apo nga ringjallja e Kalifatit.

Në një version të sotëm të ripërtëritë, ideali e përfaqëson veten si humanizëm laik. Siç vërejti dikur G.K.Çesterton, kur një njeri e humbet besimin tek Zoti, nuk është se beson më në asgjë; përkundrazi beson tek çdo gjë. Çdo gjë mund të kthehet në një objekt adhurimi pagan.

Për shembull, një “E Vërtetë” e politizuar. Apo një kryqëzatë për “Drejtësinë”, mund të bëhet një distopi represive, një valë e re e totalitarizmit. Në zemër të mendimit dhe sjelljes totalitare, është praktika e humbjes së personalitetit për hir të ideje të shenjtëruar.

Kur një shoqëri e ngre idenë mbi shenjtërinë e jetës individuale, qytetarët vuajnë abuzime, imponime, dhunë dhe dhimbje. Miliona njerëz vdesin sepse idhujtaria politike presupozon sakrifica njerëzore të përhershme. Ky është edhe mësimi kryesor i Revolucionit Bolshevik Rus.

Burimi i lajmit: https://www.tabletmag.com/sections/history/articles/anna-geifman-russian-revolution

Përshtatur nga TIRANA TODAY