Nga Juliana Breines “Psychology Today”
Kur lëndohemi nga veprimet e dikujt, sidomos nga dikush të cilit i besojmë dhe mbështetemi shumë, kjo mund të kërcënojë nevojën tonë për kontroll, duke na bërë të ndihemi të brishtë dhe të pafuqishëm. Studimet sugjerojnë se mënyra se si reagojmë kur ndihemi të lënduar, reflekton shpesh një përpjekje për të rimarrë atë ndjenjë fuqie.
Por cilat lloje përgjigjesh janë më efektive në këtë drejtim? A është më mirë të falim dhe të harrojmë, dhe të vendosim të heqim dorë nga zemërimi dhe inati? Apo duhet t’i përdorim këto emocione për t’u siguruar që personi tjetër të marrë një mësim të mirë, dhe të mos sillet prapë në atë mënyrë?
Sipas studimeve më të fundit një përgjigje për këtë pyetje, është se kjo varet nga natyra e veprimit kundër teje, dhe specifikisht nga natyra e qëllimeve të autorit. Në një studim fillestar, pjesëmarrësit në studim u vunë përpara një skenari ku njëri nga miqtë e tyre tregonte një histori të turpshme për ta në një ambient shoqëror.
Nga aty, ata u caktuan rastësisht të imagjinonin sikur miku i tyre ose kishte për qëllim t’i lëndonte ata ose jo, dhe pastaj të imagjinonin nëse ata do ta falnin apo jo mikun e tyre, nëse do të hakmerreshin duke e poshtëruar njëlloj mikun tyre në mënyrë të ngjashme, apo nuk do të kishin reaguar fare.
Një studim i dytë ndoqi një format të ngjashëm, por i pyeti pjesëmarrësit për përgjigjet e tyre ndaj veprimeve negative të të tjerëve në jetën reale, sikurse është tradhtia nga një partner romantik. Rezultatet e të dyja studimeve treguan se hakmarrja – qoftë e imagjinuar në një skenar hipotetik apo e praktikuar në jetën reale – kishte të bënte me një ndjenjë më të madhe të fuqizimit, sesa të mos bërit asgjë, por kjo vetëm kur personi tjetër e kishte bërë atë enkas për t’iu lënduar. Ndërkohë, falja ishte e lidhur me fuqizimin, pavarësisht nga synimi i atij që kishte lënduar.
Studiuesit arritën në përfundimin se hakmarrja mund të duket sikur të bën më të fortë kur i shërben një qëllimi konstruktiv, siç është dhënia dikujt e një leksioni apo tregimi se sjellja e tij nuk do të tolerohet, dhe kjo mund të jetë më e rëndësishme për lëndimin apo fyerjen e qëllimshme.
Por ata vunë re, se në shumë raste më fuqizuese mund të jetë mbrojtja e dinjitetit vetjak sesa hakmarrja në vetvete. Rëndësi ka edhe forma e hakmarrjes. Në studimin e parë, hakmarrja mori formën e poshtërimit publikisht të mikut tuaj në të njëjtën mënyrë që ai ju turpëroi ju në sy të të tjerëve.
Por mund të ketë mënyra më konstruktive për ta bërë dikë të ndiejë pasojat e veprimeve të tij, sesa thjesht përsëritja e së njëjtës vepër. Për shembull, viktima në këtë skenar mund të ketë zgjedhur të distancohet disi nga miku i tij, një qasje që mund ta bëjë të ndjehet i fortë pa shkaktuar gjithashtu turpërim ose keqardhje.
Gjetja se falja si gjest ishte fuqizuese, pavarësisht nga synimi i atij që e bëri gabimin, është në përputhje me hulumtimet që sugjerojnë se falja mund të sjellë shumë përfitime në shëndetin mendor dhe fizik të tij që e bën. Falja mund të përfshijë rimarrjen e një ndjenje të fuqisë dhe kontrollit mbi jetën, duke zgjedhur të flakësh tej barrën e inatit dhe të zvogëlosh mërinë emocionale që kanë shkaktuar veprimet e dikujt mbi ty.
Në fakt, mund të jetë ky efekt fuqizues që shpjegon disa nga ndikimet e tij pozitive tek mirëqenia, sugjerojnë studiuesit. Por ashtu si hakmarrja, edhe ndikimi i faljes mund të varet nga synimet e atij që bën gabimin. Në një studim, pjesëmarrësit prisnin që të ndiheshin sikur kishin më pak respekt për veten nëse e falnin partnerin.
Edhe falja dhe hakmarrja mund të duken si anët të kundërta të një sjelljeje, studimi sugjeron se ato janë ndonjëherë të lidhura pozitivisht. Pra është e mundur që njerëzit t`i ndiejnë që të dyja dëshirat në të njëjtën kohë, ose të përfshihen në të dyja këto sjellje. Dikush mund të ndiejë dhembshuri për një fajtor, por sërish do të të vihet në vend drejtësia. Në një grup studimesh, pjesëmarrësit ishin më falës ndaj atyre që morën atë që ata besonin se ishte një dënim i duhur dhe i drejtë, krahasuar me ata që nuk u ndëshkuan.
Në vend se të ndezte zemërimin, një ndëshkim i drejtë duket se e shuan atë. Përballja me atë që të ka lënduar, sidomos lëndimet më serioze, nuk është një proces i thjeshtë; edhe kur falja është synimi përfundimtar, rruga për të arritur atje mund të jetë e gjatë dhe plot zigzage. Në mesin e një përvoje të tillë të hidhur, ndonjëherë gjëja më e mirë që mund të bëjmë, është ta lëmë veten të ndiejë atë që po ndjen, pa ndonjë gjykim – të mirë, të keqe dhe të shëmtuar – dhe përpara se të veprojmë, t’i japim vetes hapësirë të konsiderojmë se cilat reagime do të na shërbejnë më mirë neve, dhe atyre që kanë rëndësi për ne në planin afatgjatë.
Përshtatur nga TIRANA TODAY