Nga: Marc L.Greenberg “The Conversation”
Mali i Zi, ka qenë prej kohësh ndryshe nga fqinjët e tij në ish-Jugosllavi. Pas një dekade luftërash të përgjakshme civile që përfshinë spastrimet etnike dhe aktet e gjenocidit, Jugosllavia u nda me dhunë gjatë viteve 1990sipas vijave etnike në 6 republika të ndryshme të pavarura.
Por Mali i Zi shpëtoi nga më e keqja e luftës, dhe qëndroi për vite me radhë me Serbinë – fqinjen e saj dominuese dhe aleate të Rusisë- si pjesë e “Jugosllavisë së shpërbërë”.
Në vitin 2006, malazezët votuan pro pavarësisë dhe u shkëputën paqësisht nga Serbia. Mali i Zi u bë një demokraci e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Ai është një vend shumë i vogël malor me një popullsisë prej vetëm 640.000 banorësh.
Në vend se të ruante identitetin etnik sllav të Serbisë, Mali i Zi krijoi hapësirë për të gjitha etnitë. Vendi ishte shtëpia e malazezëve – të cilët janë ortodoksë, myslimanë, katolikë dhe ateistë – por edhe boshnjakëve, shqiptarëve, kroatëve romano-katolikë dhe serbëve. Në Malin e Zi jeton gjithashtu një komunitet hebre.
Pas pavarësisë së Malit të Zi, liderët vendas punuan për të ndërtuar një shoqëri civile të gjerë, që njohu identitetet e shumta të qytetarëve të saj. Shumë refugjatë nga luftërat ballkanike kërkuan strehë në Malin e Zi. Sistemi i tij politik nuk favorizonte as shumicat dhe as pakicat, një sistem vlerash i trashëguar nga Jugosllavia.
Në vitin 2017, Mali i Zi iu bashkua NATO-s, përkundër dëshirave të Rusisë. Ai dëshiron të anëtarësohet edhe në Bashkimin Evropian. Historia e suksesit e Malit të Zi – dhe identiteti i tij kombëtar – është tani në rrezik, pasi një koalicion i krahut të djathtë i lidhur me Serbinë dhe Rusinë, u ngjit në pushtet në dhjetor të vitit të kaluar.
Në vend po zhvillohet aktualisht një përplasje e fortë për gjuhën malazeze. Të gjitha republikat ish-Jugosllave:Bosnja, Kroacia, Mali i Zi dhe Serbia, kanë një gjuhë të ndërsjellë të kuptueshme, që dikur quhej serbo-kroatishte. Dallimet midis tyre janë të krahasueshme me llojet e anglishtes që flasin amerikanët, australianët, britanikët dhe afrikanët e jugut.
Që nga shpërbërja e Jugosllavisë, çdo komb i ri në Ballkan ka përdorur gjuhën e tij për të krijuar identitetin e vet politik dhe kulturor, dhe duke e standardizuar përdorimin e saj.
Siç e tregon studimi im dhe i të tjerëve, disa ishin më të suksesshëm në atë përpjekje se sa të tjerët. Boshnjakishtja, kroatishtja dhe serbishtja përdoren gjerësisht si gjuhë kombëtare në shkolla, media, biznes dhe qeveri. Por gjuha malazeze mbetet e kontestuar.
Ajo flitet nga qytetarët që përfaqësojnë një shoqëri malazeze gjithëpërfshirëse, multietnike. Por ata që e shohin Malin e Zi si një zgjatim të shtetit serb, e cilësojnë gjuhën malazeze si një dialekt të serbishtes. Sipas një udhëheqësi të Kishës Ortodokse Serbe, “Mali i Zi nuk ekziston”.
Qeveria e re e koalicionit të Malit të Zi, duket se është në krah të serbëve për çështjen e gjuhës. Këtë muaj, Ministrja e re e Arsimit, Shkencës, Kulturës dhe Sporteve, Vesna Bratiç-që identifikohet si një nacionaliste serbe – kërcënoi të mbyllë Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë Malazeze në kryeqytetin e vjetër mbretëror të Cetinjës, teksa ka bllokuar financimin e tij që nga janari i këtij viti.
Ky fakultet ka udhëhequr përpjekjet për standardizimin e gjuhës malazeze. Në një vend të ri që po përpiqet të farkëtojë identitetin e vet kombëtar, shtypja e gjuhës malazeze që ka lidhur njerëzit e saj së bashku është e ngjashme me eliminimin e identitetit malazez.
Mali i Zi multi-etnik ka ruajtur deri më tani stabilitetin përmes një akti balancues, që të kujton mënyrën sesi lideri jugosllav Josip Broz Tito e drejtoi Jugosllavinë multi-etnike për pjesën më të madhe të shekullit të kaluar.
E themeluar në vitin 1918, Jugosllavia ishte e dominuar nga serbët, kroatët dhe sllovenët që flasin sllavisht. Por ajo ishte shtëpia e shumë hungarezëve dhe shqiptarëve, midis pakicave të tjera jo-sllave. Ajo u nda gjithashtu mbi baza fetare, midis katolicizmit romak – besimit të sllovenëve dhe kroatëve – dhe krishterimit ortodoks lindor të serbëve, malazezëve dhe maqedonasve.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Marshalli Tito e udhëhoqi Jugosllavinë nën sundimin e tij socialist. Për 4 dekada, Tito ruajti rendin dhe ia doli të sheshojë rivalitetet brenda Jugosllavisë me një grusht të hekurt, dhe duke balancuar me kujdes pretendimet konfliktuale për dominim kulturor.
Nga kryeqyteti jugosllav, Beograd, Tito promovoi një sistem dhe ideologji njëpartiake që nxiste“vëllazërimin dhe unitetin” midis shumë traditave dhe bashkësive të ndryshme të Jugosllavisë. Ky ekuilibër delikat u prish pas vdekjes së Titos në vitin 1980.
Luftërat në Jugosllavi shpërthyen sipas linjave kombëtare, etnike dhe fetare. Paraushtarakët serbë dhe kroatë që synuan të ndërtonin shtete etnikisht të pastra, ndërmorën operacione të spastrimit etnik kundër rivalëve të tyre në territoret e njëri-tjetrit dhe gjetkë.
Bosnja dhe Hercegovina – e copëtuar midis katolikëve, myslimanëve dhe ortodoksëve lindorë -përjetoi mizoritë më të rënda. Tani me Partinë Demokratike të Socialistëve që është larguar nga pushteti, Mali i Zi duket se gjendet në një rrezik të ngjashëm.
Ndërsa mbështet retorikisht anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe BE, lidershipi i ri politik, vepron në përputhje me ideologjinë e Serbisë dhe Rusisë. Shumë malazezë janë të tmerruar nga kthesa e papritur e demokracisë së tyre të re.
Ata druhen se hegjemonia kulturore serbe, do të mohojë përparimin e tyre në ndërtimin e kombit, dhe do ta largojë Malin e Zi nga vlerat evropiane drejt Rusisë. Presidenti rus Vladimir Putin po e ndjek nga afër luftën për të ardhmen e Malit të Zi.
Rusia ka lidhje tradicionale kulturore dhe fetare me Malin e Zi, dhe të pasurit me vete të Malit e Zi, do t’i jepte Rusisë qasje në një port të Mesdheut. Madje disa malazezë shqetësohen se mund të nisë sërish konflikti i dhunshëm etnik. Për ta, luftërat ballkanike janë ende një kujtim i freskët.
Dhe ata kanë parë disa demokraci në Evropën Lindore -me në krye Poloninë dhe Hungarinë kryesuese midis tyre – të rifuten nën një sundim autokratik. Perëndimi e mësoi 25 vjet më parë se konflikti në ish-Ballkan mund të përfundojë në tragjedi. A do të përsëritet kjo histori në Malin e Zi?
Burimi i lajmit: https://theconversation.com/montenegro-was-a-success-story-in-troubled-balkan-region-now-its-democracy-is-in-danger-157288
Përshtatur nga TIRANA TODAY