Profesori Melazim Krasniqi, deklaroi se kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka përdorur një retorikë të ashpër sa i takon dialogut me Serbinë, por dhe me ndërkombëtarët. Deklarata e Krasniqit, u bë mbrëmjen e sotme në një intervistë për RTV Ora.
Sipas tij, Kurti ka zhvilluar debate me opozitën në Kosovë në lidhje me këtë proces, teksa e kundërta ka ndodhur në Serbi, ku Vuçiç ka pasur një aktivitet të madh me shoqërinë serbe për të bërë të mundur përkrahjen e politikave të tij.
Ndër të tjera, Krasniqi u shpreh se Kurti duhet ta rugovizonte politikën e tij dhe ta bënte më të butë
Melazim Krasniqi: Takimi ishte pritur që të përfundonte kështu se ka një mosvazhdimësi në dialogun e jashtëm të Kosovës. Kurti ka ardhur me një retorikë të ashpër sa i takon dialogut me Serbinë dhe me ndërkombëtarët. Kurti ka ardhur me një retorikë që do të fillojë spastrimet në lidhje me luftën kundër korrupsionit. Me këtë mendësi ka shkuar edhe atje, duke pritur që të ketë një përplasje të tillë. Nga ana tjetër, Vuçiç para se të shkojë në Bruksel ka pasur një aktivitet të madh me shoqërinë serbe për të bërë të mundur përkrahjen e politikave të tij. Ndërsa Kurti ka bërë të kundërtën, duke u debatuar me opozitën, pra një mënyrë krejt të ndryshme.
Kërkesat e kryeministrit tonë janë joreale. Kurti ka kërkuar njohje nga Serbia dhe për njohje nuk ka nevojë të shkonte në Bruksel. Ne e dimë se një fazë afatgjatë, Serbia nuk do ta pranojë Kosovën si shtet. Ndërsa kërkesat e tjera janë një lloj humori, sepse p.sh ai këshilli nacional i serbëve është i panevojshëm sepse serbët kanë shumë të drejta në Kosovë. Çështja e të pagjeturve është çështje tragjike dhe duket cuar përpara, por të futet kështu në agjenda politike, ajo mund të keqpërdoret. Mendoj se Kurti duhet ta rugovizonte politikën e tij dhe ta bënte më të butë. Retorika patriotike është e bukur në veshët e qytetarëve, por nuk jep asnjë rezultat ndërkombëtarisht.
Raundi i ri i bisedimeve pritet mbahet në fund të muajit korrik. Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Ky proces ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve.