Nga Frida Ghitis, “CNN/2017-a, ishte viti që prodhoi shumë probleme por pak zgjidhje. Qe një vit i tranzicionit dhe i konflikteve të pazgjidhura në skenën botërore, dhe nëpër kontinente. Mbi të gjitha, ky qe një vit që ngriti çështje të rëndësishme, dhe i la ato të hapura për të ardhmen – kryesisht për të ardhmen e afërt.
Më poshtë po rendisim dhjetë pyetjet, qe me gjasë do të lënë shumëkënd “pa gjumë” gjatë vitit të ardhshëm.
Çfarë do të ndodhë me presidencën Trump?
Presidenti Donald Trump dhe mbështetësit e tij republikanë, arritën të miratojnë reformën e taksave, duke ndryshuar një mori rregullash, në një kohë që zgjodhën një numër të konsiderueshëm gjyqtarësh konservatorë në gjykatën federale. Por viti i ardhshëm i presidencës së Trump, përballet me pasiguri serioze.
Trump e përfundon 2017-ën me vlerësimet më të ulëta që ka patur çdo president në vitin e tij të pare në detyrë, në historinë moderne të SHBA-së.
Komisionet e Kongresit, po vazhdojnë të hetojnë ende lidhjet e mundshme midis fushatës së Trump dhe Rusisë, dhe prokurori special Robert Mueller, ka akuzuar tashmë zyrtarët kryesorë të fushatës, si dhe ka siguruar bashkëpunimin me drejtësinë nga të tjerët. Dhe hetimi vazhdon.
Nëse vlerësimet mbi Trump bien akoma më tej, ose nëse demokratët marrin kontrollin e Kongresit, çdo projektligj i rëndësishëm që ai mund të çojë atje mund të rrëzohet.
Ndërkohë, ish-ndihmësi i Trump, Steven Bannon, tha së fundmi për revistën “Vanity Fair” se ai sheh një shans prej vetëm 30 përqind që Trump të përfundojë mandatin e tij, ose për shkak të fajësimit (impeachment), ose përmes evokimit të Amendamentit 25 për ta shkarkuar atë nga detyra.
Kredencialet e Bannon si një orakull politik janë dëmtuar pas dështimit të kandidatit për senator, Roy Moore, në Alabama. Por s’ka dyshim se re të errëta sillen mbi presidencën Trump.
A do të nisë SHBA-ja luftën me Korenë e Veriut?
Lufta surreale e fyerjeve midis Presidentit të Shteteve të Bashkuara dhe udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ishte më shumë se sa një përleshje fëmijësh me shkopinj dhe gurë.
Ajo u nxit nga përparimet e ndjeshme ushtarake të Koresë së Veriut, nëpërmjet testeve të raketave balistike që janë të afta të mbajnë armët bërthamore.
Trump ka paralajmëruar se do të ndërmarrë sulme ushtarake “shkatërruese”, nëse Koreja e Veriut kërcënon Shtetet e Bashkuara.
Por, deri më tani, Kim duket se nuk është i frikësuar nga njeriu që ai e quajti “të çmendur”. Ekspertët thonë se lufta me Korenë e Veriut, do të vriste qindra mijëra njerëz.
Administrata Trump, ka arritur të sigurojë sanksionet e OKB-së kundër Phenianit, por rruga drejt një zgjidhje paqësore që ta pengonte Korenë e Veriut nga pasja e armëve bërthamore, po bëhet gjithnjë e më e largët.
A do të shfuqizojë SHBA marrëveshjen bërthamore të Iranit, dhe a do të riforcojë Irani programin e tij bërthamor?
Trump e ka cilësuar marrëveshjen bërthamore me Iranin, si “marrëveshjen më idiote të të gjitha kohërave”, duke premtuar se do ta shfuqizojë atë sapo të hynte në Shtëpinë e Bardhë.
Javën e kaluar, kur bëri publike Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, Trump i akuzoi paraardhësit e tij se kishin arritur një “marrëveshje të keqe me Iranin”.
Në tetor, ai e la marrëveshjen në harresë, duke e akuzuar Iranin se kishte shkelur marrëveshjen, duke e këshilluar Kongresit të rregullonte disa nga të metat e saj.
S’ka shenja se Kongresi mund apo do të rihapë negociatat, apo që Irani të jetë i hapur për ndryshimin e marrëveshjes.
Dhe Trump ka thënë se mund të anulojë marrëveshjen, nëse ajo nuk korrigjohet. Lëvizja lë të hapur çështjen, e asaj se çfarë do të bëjë më pas Uashingtoni, dhe se si do të përgjigjet Teherani.
Teksa Irani dhe Rusia forcojnë pozitat e tyre në Siri, a do të bëjë diçka SHBA-ja?
Tashmë që Irani dhe Rusia e kanë shpëtuar diktatorin sirian Bashar Al-Asad nga rrëzimi nga pushteti, a do të vazhdojnë Moska dhe Teherani të forcojnë pozicionet e tyre në Siri?
A do të ndërmarrë SHBA-ja ndonjë veprim për të kundërshtuar ndikimin në rritje të dyja vendeve në rajon, dhe praninë e tyre ushtarake në terren?
Trump mbetet çuditërisht ngurrues për ta sfiduar presidentin rus Vladimir Putin. Ai jo vetëm që nuk është i gatshëm të kritikojë Putinin, por deri më tani nuk ka arritur të zbatojë sanksionet të reja kundër Rusisë, të miratuara nga Kongresi gjatë verës. Por, çfarë do të ndodhë me Iranin, një vend që Trump e përshkruan si një kërcënim global?
A do të vazhdojë princi ambicioz i Arabisë Saudite, me reformat e tij revolucionare?
Princi Mohammed bin Salman, djali i preferuar i Mbretit Salman të Arabisë Saudite, e kaloi vitin 2017 duke u përpjekur të ndërmarrë ndryshime revolucionare në vend.
Princi i kurorës hoqi kufizimet mbi drejtimin e makinave nga gratë, kufizoi pushtetin e policisë fetare, dhe burgosi disa personalitete të shquara, duke i akuzuar ata për korrupsion politik.
Dhe siç dihet, ai i ka bërë të gjitha duke grumbulluar jo vetëm një pushtet të madh, por edhe armiq të fuqishëm. Princi është i i sigurtë se do të bëhet mbret në muajt e ardhshëm, por përpjekja e tij ambicioze për të transformuar shoqërinë, ekonominë dhe pozicionin gjeopolitik të Arabisë Saudite, është një bast i madh, rezultati i të cilit mbetet i pasigurtë.
A do të tërheqë lufta civile Jemen, një katastrofë e humanitare, një vëmendje më të madhe të faktorit ndërkombëtar?
Kur Trump njoftoi vendimin e tij për të njohur Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit, kjo shkaktoi zemërimin e shumicës së vendeve myslimane.
Ndër ata që u zemëruan ishte Jemeni, një vend i shkatërruar nga një luftë e zhvilluar një aleancë eë udhëhequr nga Sauditët kundër rebelëve mbështetur nga Irani – dhe liderët e të cilëve gjetën kohë për të hartuar një rezolutë të Kombeve të Bashkuara, duke hedhur poshtë vendimin e SHBA.
Ndryshe nga vendimi mbi Jeruzalemin, ngjarjet në Jemen kanë marrë pak vëmendje ndërkombëtare, ndonëse zyrtarët e OKB-së thonë se Jemeni është në prag të përjetimit të “urisë më të madhe, që bota ka parë ndër shumë dekada”, dhe tashmë është duke u përballur me epideminë më të rëndë të kolerës të regjistruar ndonjëherë, të gjitha rezultat i një katastrofe të shkaktuar nga dora e njeriut.
A do të hyjë Putini në ndonjë luftë tjetër?
Ndërsa presidenti rus Vladimir Putin, po përgatitet të kandidojë për një mandat të katërt 6-vjeçar në Rusi, ai ka pak mundësi që të humbasë.
Kur të fitojë, Putini do të qëndrojë në detyrë deri në vitin 2024, dhe duke përfshirë edhe kohën që ka shërbyer si kryeministër, ai do të mbushte në pushtet gati një çerek shekulli, më shumë se çdo udhëheqës rus që nga koha e Stalinit.
Shumë pak ka mbetur nga demokracia ruse, pasi Putini ka rrënuar themelet e saj dhe e ka shtypur opozitën.
Putin, i cili kontrollon shumicën e mediave, mbetet jashtëzakonisht popullor pavarësisht nga kohërat e vështira ekonomike.
Sipas sociologut rus, Lev Gudkov, Putini e ruan legjitimitetin e tij duke qenë një president i luftës, çka ngre pyetjen: A do të shohë Putin përtej Ukrainës dhe Sirisë për të gjetur një tjetër luftë? Kjo është një pyetje që shqetëson shumë fqinjët e Rusisë.
A do të vazhdojë të përhapet populizmi?
Vitet e fundit, demokracia është përballur me sfida të mëdha, me liderë në SHBA, Rusi, Turqi, Poloni, Filipine dhe gjetkë që janë ngjitur në pushtet falë forcës së mesazheve të ashpra populiste. Dhe sapo ngjiten në pushtet, këta udhëheqës sfidojnë shpesh normat themelore liberale demokratike, si respektimin e lirisë së shtypit dhe pavarësisë së gjyqësorit.
Çështja është nëse kjo prirje ka arritur kulmin e vet, apo do të vazhdojë më tej. Fitorja e Trump, ka nxitur një fushatë në mbrojtje të demokracisë nga shumë njerëz në SHBA, por gjithashtu edhe populistët e tjerë në mbarë botën.
Mes tyre është një populist majtist anti-Trump në Meksikë, Andres Manuel Lopez Obrador, i cili mund të bëhet president – vetëm një nga shumë kandidatët populistë në të majtë dhe të djathtë, me një shans të mirë për të marrë pushtetin në vitin 2018.
A do të vazhdojë spiralja e kaosit në Venezuelë?
Katastrofa e ngadaltë në Venezuelë, u shpalos në një fatkeqësi të plotë në vitin 2017, dhe s’ka asnjë shenjë se tragjedia e shkaktuar ndaj popullit venezuelian nga një qeveri e paaftë, do të përfundojë së shpejti.
Pavarësisht rezervave më të mëdha të naftës të provuara në botë, liderët venezuelianë e degraduan atë nga një demokraci relativisht funksionale, me një nga ekonomitë më të forta në Amerikën Latine, në atë që është në thelb një diktaturë, me fëmijët të uritur nëpër rrugë, mungesat të çdo produkti të mundshëm nëpër dyqane, inflacionin 4- shifror dhe krimin jashtë kontrollit.
Opozita ka dështuar t’i kundërvihet manovrave jodemokratike të presidentit Nicolas Maduro dhe partisë së tij.
A do ta ngadalësojë ndonjë gjë rritjen e Kinës?
Ndërsa SHBA, Evropa dhe madje Rusia janë të zëna me debatet mbi demokracinë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, ndikimi i Pekinit në mbarë botën po rritet në heshtje, por në mënyrë mbresëlënëse.
Kina po ndërton projekte infrastrukturore gjigante në tokë dhe në det, në Azi dhe më gjerë. Ai po ndikon qeveritë, pa i marrë në pyetje shqetësimet rreth të drejtave të njeriut dhe normave demokratike.
Tërheqja e Trump nga marrëveshjet tregtare, i ka lënë rrugën e lirë Pekinit. Nëse vazhdojnë prirjet aktuale, Kina, një diktaturë që nuk guxon të ketë mendime ndryshe, mund të bëhet vendi më i fuqishëm në botë.
Pas një viti, do të mësojmë nëse në vitin 2018 kemi zgjidhur ndonjë nga çështjet e mbetura pezull këtë vit; nëse viti e çoi botën më pranë greminës, ose nëse e ktheu drejt një rruge më premtuese.
Garancia e vetme është që, ashtu si kërcënon mallkimi i vjetër, ne do të kemi jetuar në kohë interesante.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce