Nga: Glenn Geher “Psychology Today”
Pasojat negative që lidhen me pandeminë janë më se të dukshme. Miliona njerëz nga e gjithë bota kanë vdekur si rezultat i Covid-19. Industri të tëra janë shkatërruar. Arsimi në mbarë botën është prekur në mënyrë dramatike. Miliona njerëz kanë humbur punën dhe shtëpitë e tyre.
Mbi të gjitha, pandemia është politizuar shumë, duke thelluar më tej përçarjet ekzistuese. Njerëzit që më njohin mirë e dinë që unë zakonisht përpiqem të vërej gjërat pozitive edhe në një situatë të vështirë. Ja cilat janë 10 pasojat pozitive që unë mendoj se ka sjellë kjo pandemi,të cilat shpresoj se do të vazhdojnë të sjellin rezultate pozitive në të ardhmen tonë të përbashkët.
- Jemi më të lidhur me njëri-tjetrin, pavarësisht kilometrave që na ndajnë
Gjatë pandemisë, njerëzit janë inkurajuar më shumë se kurrë më parë që të jenë sa më shpesh me kontakt me familjet e tyre. Ata kanë takime të rregullta në platformën ZOOM me të afërmit e tyre. Gjithashtu u dërgojnë rregullisht mesazhe anëtarëve të familjes. Njerëzit po sillen ndaj njërit-tjetrit më me kujdes dhe me një dhembshuri të rritur. Dhe kjo është diçka e mirë.
- Përdorimi i teknologjisë për qëllime të mira
Sot është bërë më e lehtë se kurrë të komunikosh me të tjerët. Në shumë raste, teknologjia është përmirësuar me shpejtësinë e rrufesë, duke i bërë më efikase takimet. Dhe këto përmirësime në teknologji, me siguri do të na lejojnë të kemi më shumë mundësi për t’i bashkuar njerëzit, për të gjitha llojet e qëllimeve pozitive.
- Na ka bërë ta shohim jetën në një kornizë më të madhe
Pandemia na ka dhënë të gjithëve mundësinë të ndalemi dhe reflektojmë. Mua ende më kapin të dridhurat kur hyj në një lokal dhe shoh të gjitha tavolinat dhe karriget bosh apo kur shoh nxënësit e mi të distancuar nga njëri-tjetri në një sallë të madhe leksionesh, dhe me maska në fytyrë. Ndryshimet e menjëhershme në jetën tonë të përditshme kanë qenë shumë dramatike. Ky fakt na ka nxitur ta shohim jetën në një kornizë më të madhe, teksa po lëvizim drejt daljes nga pandemia.
- Na ka mësuar aftësi të reja
Shumë njerëz zgjodhën të fitojnë aftësi apo të merren me pasione të reja gjatë pandemisë. Kështu, ata janë duke mësuar se si të pikturojnë me ngjyra uji, të shkruajnë poezi, të flasin gjuhë të tjera, etj. Dhe këto aftësi dhe interesa sigurisht që do ta tejkalojnë pandeminë aktuale.
- Vlerësimi i natyrës
Ndryshimi i papritur i vlerësimit ndaj natyrës ka qenë i dukshëm tek shumë njerëz. Shtigjet në parkun pranë shtëpisë time që zakonisht kanë një ose dy makina të parkuara, këto ditë janë shpesh të tejmbushura. Ato janë të mbushura me njerëz që janë lodhur me jetën e qytetit dhe janë të gatshëm të ndërmarrin aventura në zonat malore.
- Vlerësimi i shkencës
Vaksinat anti-Covid u zhvilluan në më pak se 1 vit, pra me një shpejtësi rekord. Përgjatë pandemisë, shkencëtarët në të gjithë botën janë përpjekur të rrisin kuptimin tonë mbi të gjitha aspektet e virusit dhe mënyrën e përhapjes së tij. Nëse ka pasur ndonjëherë një kohë për t’u ndalur dhe vlerësuar shkencën, ajo është tani.
- Një dashuri e re për kafshët shtëpiake!
Unë nuk e di për ju, por familja ime mori një kafshë shtëpiake. Ajo është macja Zuko, dhe ne e duam shumë! Pra, shumë njerëz kanë adoptuar kafshë shtëpiake gjatë pandemisë. Dhe ndërsa kafshët shtëpiake kërkojnë një angazhim më vete, pronësia e kafshëve shtëpiake dihet se ka shumë përfitime pozitive psikologjike dhe shëndetësore.
- Na ka nxitur të vlerësojmë atë që kemi
Me Covid-19 ne përjetuam periudha të rrezikshme për jetën. Shumë prej nesh kanë humbur të dashurit e tyre si rezultat i pandemisë. Të tjerë kanë humbur vendet e punës ose janë dëmtuar financiarisht. Shpesh, janë periudhat e vështira ato që na lejojnë të shohim anët e ndritshme të jetës sonë. Kur bëjmë hapa pas dhe nuk shohim atë që kemi humbur, por përkundrazi, atë që kemi, atëherë ka vend për shumë mirënjohje dhe vlerësim për të gjitha të mirat që ekzistojnë ende në botë.
- Ka ndihmuar në gjetjen e zgjidhjeve të zgjuara
Në gati çdo industri në të gjithë globin, pandemia detyroi gjetjen e zgjidhjeve të zgjuara për problemet e reja. Unë si profesor, duhej të kuptoja se si të jepja online kurse komplekse siç është dega e statistikës. Mësuesit e kopshteve kishin nevojë të kuptonin se si për orë të tëra, të rroknin mendjet dhe imagjinatat e fëmijëve 5 vjeçarë që nuk kishin shkelur kurrë në klasë. Njerëzit në të gjitha llojet e bizneseve, kishin nevojë të kuptonin se si t’i mbanin takimet në një mënyrë plotësisht virtuale.
- Të kuptuarit që jemi një popull
Si evolucionist, unë jam vazhdimisht i mrekulluar nga fakti që ne të gjithë ndajmë një paraardhës të përbashkët. Të gjithë jemi një popull. Dhe në fakt tërësia e jetës është në fund të fundit e ndërlidhur. Pandemia na ka vendosur të gjithëve në të njëjtin varkë. Në shumë aspekte ne jemi një popull, dhe pandemia e ka nënvizuar këtë fakt.
Burimi i lajmit: https://www.psychologytoday.com/intl/blog/darwins-subterranean-world/202104/10-positive-outcomes-the-pandemic
Përshtatur nga TIRANA TODAY