Dy deputetë të rinj u betuan sot në Kuvend, Artemis Dralo (Malo) dhe Ervis Meço. Zv/ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme Artemis Dralo mori mandatin e Flamur Golemit, i cili do të kandidojë në Bashkinë e Gjirokastrës në zgjedhjet e 30 qershorit.
Për herë të parë në Parlament ka hyrë një deputet që përfaqëson komunitetin egjiptian. Në Parlament është betuar sot Ervis Meço, i cili në zgjedhjet e shkuara ishte në listat e PD-së së Qarkut të Vlorës.
Kandidati i komunitetit egjiptian, në formularin e tij të dekriminalizimit sqaron se është dënuar në Gjermani me 30 ditë burg. Ai sqaron më tej se vepra penale e tij është konvertuar në gjobë, të cilën e ka paguar.
Ervis Meço akuzohet se ka përgjuar/regjistruar në mënyrë të paligjshme një zyrtar gjerman, dhe për këtë vepër penale ai është dënuar me burgim.
Ai shkruan në formular se për katër muaj ka qëndruar në Gjermani si azilant politik, por nuk e ka përfituar statusin.
Sipas formularit të plotësuar nga ai vetë, Meço ka shkuar në Gjermani për azil pas zgjedhjeve të 2017.
Bashkë me Meçon shkon në 122 numri i deputetëve me mandat, teksa mbeten edhe 18 karrige pa plotësuar nga opozita e re, një nga listat e LSI-së dhe 17 nga PD-ja.