50 vjet mbushen sot nga dita kur terroristë palestinezë vranë 11 sportistë izraelitë e 1 polic në Lojërat Olimpike në Mynih në vitin 1972. Gjermania e ka pasur të vështirë të përballet me këtë masakër.
Ende sot Hans Völkl nuk ka një ndjenjë të mirë kur dëgjon zhurmë helikash. Ato i zgjojnë kujtimet e zhurmave të helikopterëve të tipit Bell-UH 1 natën nga 5 më 6 shtator 1972. Völkl atëherë ishte ushtar i Bundeswehrit i stacionuar në aeroportin ushtarak, Fürstenfeldbruck. Atë darkë 5 shtatori ai kishte turnin e natës në kullë, duhej të orientonte pilotët. Dramën në fshatin olimpik 20 km larg Mynihut, ushtari i ri 21-vjeçar e kishte ndjekur në televizion. Në mëngjes terroristët palestinezë kishin hyrë në zonën ku strehohej ekipi izraelit olimpik dhe kishin qëlluar për vdekje peshëngritësin Josef Romano dhe trajnerin e ringut, Moshe Weinberg, si edhe 9 sportistë të tjerë.
Orë frike në fshatin olimpik
Në darkë 8 terroristët bashkë me 9 pengje ishin ngjitur në helikopterë. Me kërkesën për të liruar shokët e tyre nga burgu në Izrael dhe Gjermani ata nuk kishin pasur sukses. Pas mjaft orë negociatash, ministri i Brendshëm gjerman, Hans-Dietrich Genscher kishte premtuar udhëtim të papenguar në kryeqytetin e Egjiptit, Kairo. Helikopterët do t’i çonin ata në aeroportin Riem, ku do t’i priste një avion pasagjerësh. Por në vend të kësaj pilotët i çuan ata në aeroportin ushtarak në Fürstenfeldbruck. Aty helikopterët rreth orës 23:00, kujton Völkl në bisedë me DW, dolën papritur nga një mur mjegulle dhe zbritën para dritares së zyrës së tij.
Dështimi në Fürstenfeldbruck
Sipas planit të shtabit të krizës, aty duhej që snajperistët t’i eliminonin terroristët dhe të çlironin pengjet. Por plani nuk doli ashtu si u mendua. Pengmarrësit u kundërpërgjigjën me zjarr. Nga pala gjermane mbretëronte kaos, sepse nuk ishte trajnuar asnjëherë çlirimi i pengjeve. Policët nuk kishin kontakt me radiomarrëse. Disa madje ranë edhe në breshërinë e kolegëve.
Völkl dhe kolegët e tij as nuk ishin informuar më parë për planin e ardhjes së terroristëve. “Ne u morëm me këtë, vetëm sepse kishim atë natë turnin. Më parë askush nuk kishte thënë ndonjë gjë.” Völkl kërkon në një cep të kaldajës shpëtim, ndërkohë që në ajër kalonin plumbat. “Pak metra më tutje një plumb preku një polic. “Aty e kapi Anton Fliegerbauerin”, thotë ai. “Ai ra. Muret ishin plot me cifla kockash. Goditja ishte në kokë.”
Atentat ndaj festës së paqes
Deri në mesnatë jehuan shkrepjet e armëve. Më pas dëgjohet një shpërthim. Një terrorist kishe hedhur një granatë në njërin nga heikopterët, ku pengjet ishin brenda dhe të lidhur. Në të gdhirë bëhet e qartë. Të pesë terroristët ishin vrarë. Asnjë nga pengjet izraelite nuk e kishte mbijetuar atentatin.
Me Lojërat Olimpike të Mynihut, Gjermania donte t’i tregonte botës fytyrën e saj miqësore. Lojërat duhej të ktheheshin në një “festë të paqes”, 27 vjet pas luftës dhe vrasjes së 6 milionë hebrenjve nga Gjermania naziste. Por e kundërta ndodhi. Sërish në tokën gjermane u vranë hebrenj, dhe shteti gjerman u tregua i paaftë për t’i mbrojtur.
Kaq shumë vite heshtje
Pas një ditë ndërprerjeje dhe një ceremonie përkujtimore, Lojërat Olimpike vazhduan. Nga politika apo policia nuk erdhi asnjë kërkim faljeje për dështimin në Fürstenfeldbruck. Nuk u krijua asnjë komision hetimor, askush nuk mori përgjegjësinë për dështimin e çlirimit të pengjeve. As për atë që nuk u pranua ndihma e specialistëve izraelitë. Për vite të afërmit e viktimave duhej të luftonin për të pasur në dorë dosjet hetimore. Deri më sot ata luftojnë për një zhdëmtim më të madh dhe nuk do të marrin pjesë në përkujtimin e 50-vjetorit të atentatit.
“Dëshmitarët, viktimat e familjeve e tyre janë trajtuar gati si të afërmit që nuk do t’i shohësh me sy”, thotë Ludvig Spaenle, i ngarkuar i Bavarisë për antisemitizmin që angazhohet për zbardhjen e të gjithë atentatit. “Edhe ajo që ndodhi më pas ishte një dështim i plotë i shtetit.” “Shumë shpejt dhe me qëllim gjërat iu lanë harresës. U hesht. As një përkujtim publik nuk pati.” Vetëm dy vitet e fundit ka përpjekje për të ngritur një qendër përkujtimore në Parkun Olimpik.
Edhe Hans Völklit pas atentatit nuk iu ofrua ndonjë ndihmë psikologjike, të gjithë iu kthyen shpejt së përditshmes. Në Fürstenferldbruck filluan sërish fluturimet, kujton Völkl. “Ka një tendencë që ngjarjet traumatike të lihen mënjanë”, thotë Anna Ulrike Bergheim, drejtuese e Shoqatës Historike Fürstenfeldbruck, që ka kërkuar për një kohë të gjatë për dëshmitarë që të flisnin për atentatin. “Njerëzit që ishin të përfshirë në atë kohë nuk u përballën me atë”, thotë Bergheim për DW. Shumë dëshmitarë vetëm tani mund të flasin. Jo vetëm të afërmit e viktimave janë injoruar. “50 vjet nga ana zyrtare nuk pati përpjekje as për ata që ishin në krye të detyrës atë natë, policët, të afërmit e pilotëve ushtarakë, zjarrfikësit. Asnjë nga ata nuk u pyet këta 50 vjet, si ndjehesh ti me këtë kujtim”. /DW