Deputetja e Partisë Demokratike Dhurata Çupi ka sulmuar qeverinë Rama, duke e ironizuar lidhur me një tjetër “arritje rekord” sa i takon klasifikimit të vendit për varfërinë në Europë.
Në një status në Facebook, Çupi shkruan se kjo renditje e shpall Ramën si kryeministrin e preferuar nga oligarkët dhe më i urryeri për shqiptarët.
“Rekordi i radhës i qeverisë Rama shënohet për klasifikimin në krye të varfërisë për Europën.
Kjo renditje e shpall kryeministrin më të dashur për oligarkët e tij e më të urryerin për Shqiptarët. I pari per pasurine vetjake dhe i fundit per pasurine e qytetareve shqiptare. Kështu sipas të dhënave nga Statistikat Europjane , veriu i Shqipërisë është rajoni më i varfër në Europë, ku të ardhurat e banorëve janë sa 24% e mesatares së Bashkimit Europian.
Rajoni i tretë më i varfër i Europës është Jugu i Shqipërisë, me 29.52% të mesatares së Bashkimit Europian. Të ardhurat për frymë të Shqipërisë janë sa rreh 30% e mesatares së BE-së, duke e renditur edhe si shtet si më të varfërin e Europës. Serbia dhe Maqedonia e kanë këtë tregues në rreth 37% dhe 35% përkatësisht, ndërsa në mal të Zi është rreth 40%”, thekson Çupi.