Policia e Tiranës ka arrestuar djalin e Vehbi Alimuçës, ish-administratorit të firmës piramidale VEFA.
41-vjeçari Artan Alimuçaj është i dënuar me 4 vite burg për “pastrim parash”.
Prokuroria e Tiranës ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të datës 18.11.2015, të Gjykatës së Tiranës, e cila e ka dënuar me 4 vite burg për Veprën Penale, “Pastrim i produktit të veprës penale”.
Ish-Presidenti i firmës piramidale “VEFA” Vehbi Alimuçaj dhe djali i tij Artan Alimuçaj akuzohen për fshehjen e një shume prej afro 1 milion dollarësh në Hungari.
Vehbi Alimuçaj është dënuar për veprën penale të “Mashtrimit” për një numër shumë të madh personash dhe rezulton se ka pasur një llogari bankare në një bankë në Hungari në shumën 328 mijë dollarë. Po ashtu, rezulton se në të njëjtën bankë, djali i tij, shtetasi Artan Alimuçaj ka pasur një llogari bankare në shumën 647 mijë dollarë.
Shumat në fjalë janë lënë të fjetura nga viti 1996, kur janë vendosur në bankë deri në 2010 kur është tentuar të përdoren duke u transferuar, shkruan BalkanWeb.
Sipas hetimit të prokurorisë, rezulton se këto para janë të prejardhura nga aktiviteti i paligjshëm “Mashtrim” i shtetasit Vehbi Alimuçaj deri në vitin 1997, kohë kur u rrëzua skema e tij piramidale.