Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi është prononcuar në lidhje me deklaratat e Ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias për çështjen çame, i cili ka thënë se nëse përmendni Çamërinë s’ka integrim në BE. Nikos Dendias më herët ka deklaruar se “çështja çame nuk ekziston”. “Nuk duhet të krijohen çështje që nuk ekzistojnë, sepse kjo do të çonte në pasoja me nivele të shumëfishta ku Greqia do të vendosë çështje të tjera që kanë të bëjnë me itinerarin e Shqipërisë në Evropë”, iu kundërpërgjigj ai ministres Xhaçka. Në kuadër të Javës Çame që përkujton genocidin mbi çamët, Kuvendi i Shqipërisë ka hapur sot dyert për të kujtuar këtë genocid. I pyetur për deklaratat e Dendias, Idrizi e cilësoi gjuhë arrogante që duhet të na shqetësojë.
“Në qoftë se ka dikë që nuk e befason kjo gjë, jemi pikërisht ne. Sigurisht që më bën përshtypje si deklarim, sepse i shkon Ministrit të Jashtëm të një vendi që ka një ligj lufte me Shqipërinë. Por nuk i shkon një Ministri të Jashtëm i cili duhet të kuptojë që duhet të ketë raporte të fqinjësisë së mirë me Shqipërinë, apo atë që na përmendin sa herë që duan që ka dhe një traktat miqësie me Shqipërinë. Është një gjuhë arrogante, duhet të na shqetësojë të gjithëve, jo thjesht edhe ne. Sigurisht që mund të ketë një farë të drejte, sepse herë-herë politika shqiptare e merr dhe e lë çështjen çame në bazë të një axhende. Në qoftë se kjo çështje nuk ka vazhdimësi dhe unë nuk kuptoj pse politika shqiptare nuk ka kontinuitet në kërkimin e drejtësisë për shqiptarët e Çamërisë, sigurisht që ai mundohet ta artikulojë në këtë mënyrë. Kush pjesë e çështjes çame nuk ekziston? Nuk ekziston komuniteti çam? Ja ku i keni brenda në këtë sallë, nuk po përmend numrat. Nuk ekziston gjenocidi? Janë me mijëra të vrarë, familjarët tanë, prapë do t’i dëgjoni këtu nga rrëfenjat nga dëshmitarët okularë? Nuk ekziston çështja e të drejtave të njeriut? Të gjithë e dinë se akoma pleqtë shqiptarë të Çamërisë, kur duan të shkojnë të shohin dhe njëherë shtëpitë e tyre, i ndalojnë në kufi. Të gjitha këto pjesë që përbëjnë çështjen e shqiptarëve të Çamërisë janë aty, janë në këmbë dhe unë nuk e di se kush pjesë nuk ekziston. Më duhet t’i kujtoj Ministrit të Jashtëm të Greqisë së sotme, por dhe kryeministrit të sotëm, as më shumë e as më pak, por babain e kryeministrit të sotëm Mitsotakisin e parë, i cili në takimet me z. Meksi e ka pranuar ekzistencën e çështjes came. Madje kanë pranuar që të ngrenë dhe komisionet mikes, duke filluar nga ngritja e varrezave për partizanët çamë të rënë në Greqi. Të paktën, të paktën të vdekurit t’i trajtojmë njësoj. Ne jemi të detyruar të vazhdojmë betejën tonë për drejtësi. Të gjithë ata që thonë heshtni, ne nuk heshtim dot për familjarët tanë, por bëjnë mirë të mos heshtin ata”, tha Idrizi.