Ish-lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka dalë kundër kryeministrit Edi Rama, pas takimit të djeshëm të këtij të fundit me kryeministrin Ramush Haradinaj.
Albin Kurti është ndalur te çështja e demarkacionit, teksa shkruan se kryeministri Rama i kërkoi Haradinajt të ndryshonte qëndrim mbi çështjen e Demarkacionit, pra të lejonte që Kosovës t’i merrnin 8200 hektarë tokë pa të drejtë.
Me anë të një postimi në Facebook, Kurti shpreh pakënaqësinë e tij lidhur me moszbatimin e marrëveshjeve mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa në mbyllje ai shprehet se nga Rama pret që të kontribuojë në lartësimin e social-demokracisë e të bashkimit të kombit.
“Por, ndërkohë që përparimet në këtë aspekt janë tepër të ngadalta, e më shpesh ceremoniale se sa përmbajtësore, ne dëgjuam se z. Rama po i kërkon z. Haradinaj, kryeministrit aktual të Kosovës, që të ndërrojë qëndrim për demarkacionin me Malin e Zi. Z. Rama pra po kërkon që, kundër asaj që dëshmohet në harta, në dokumente zyrtare, nga profesionistët ekspertë, në mbamendje institucionale, në kujtesë popullore dhe me peticionin masiv qytetar, të përkrahet një marrëveshje e padrejtë që ia heq Kosovës 8.200 ha. të territorit.
Me 32 deputetët e saj tash Lëvizja VETËVENDOSJE! është partia më e madhe në vend e në Kuvend. Në mënyrën më meritore ne do të merremi me Marrëveshjen e Demarkacionit Kosovë-Mal i Zi. Nga kryeministri ynë Edi Rama presim që të merret me realizimin e marrëveshjeve Shqipëri-Kosovë. Dhe, po ashtu presim që ai të kontribuojë në lartësimin e social-demokracisë e të bashkimit të kombit. Nuk kemi kohë për të humbur e as tokë për të falur”, shkruan ndër të tjera Kurti.