Deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri ka folu rreth rrëzimit të qeverisë së ish-kryeministrit Sali Berisha në vitin 2013.
I ftuar në emisionin “Java” në RTSH, Gjiknuri tha se nuk ka të bëjë me rotacionin politik, apo me konsumimin e mandatave nga ish-kryeministri. Sipas tij, ishte pikërisht sektori energjetik ai që ndikoi në largimin e Berishës nga pushteti.
“Privatizimi i gabuar me CEZ dhe falimentimi energjetik çoi në mungesë të parave. Shteti merrte kredi për të financuar sektorin. Në situata të vështira hidrike, nëse nuk merren masa të sakta, ka kosto të mëdha”, deklaroi ai.
Gjiknuri foli edhe rreth veprimtarisë së tij si ministër në mandatin e parë të qeverisë socialiste.
“Nëse kthej kokën pas, nëse ka diçka për t’u krenuar në punën time, ajo është që u ndryshua një mentalitet. Dhe kjo nuk ishte e lehtë për një popull që e ka pasur traditë mospagesën e energjisë. Natyrshëm që ka pasur sfida, por e rëndësishme është që sot ne krenohemi. Energjia është një sektor delikat ajo është energjia”, tha ish-ministri.