Në gusht të vitit 1991, kur Shqipëria nuk ishte më shtet me sistem politik njëpartiak, kur të burgosurit e fundit politikë kishin lënë qelitë më 17 mars dhe kur më 31 mars ishin mbajtur zgjedhjet e para pluraliste, diku në breg të detit të Fierit, në një vend që quhet Pishë-Poro, ka vijuar të funksionojë një nga ingranazhet më të pamëshirshme të ish- sistemit komunist: Janë ekzekutuar me vdekje dy të dënuar për krime jopolitike, por gjithçka ka funksionuar sipas procedurës së vjetër të përdorur gjatë diktaturës.
Gjykatat popullore dënojnë dy të akuzuar në të gjitha shkallët me vdekje, Presidenti i Republikës (në këtë kohë, Ramiz Alia) nuk u fal jetën, të dënuarit çohen në një vend larg dëshmitarëve, u lejojet të shprehin dëshirën e fundit dhe vriten me plumb pas koke.
Porse këtë rast po e bëjmë publik, jo më tepër për procedurën e pushkatimeve që vijonte të ishte e njëjtë edhe në fillimet e pluralizmit shqiptar. Historinë po e sjellim më tepër për shkakun se ajo ka në mes një nga fragmented më fatale të poemës komuniste të mjerimit.
Një nga njerëzit që pak sekonda më pas do të priste plumbin pas kokës, shpreh një dëshirë e cila ilustron fare mirë realitetin tronditës që kishte kapluar shoqërinë shqiptarë të kohës. Njeriu që do pushkatohej, si dëshirë të fundit lë amanet që një palë çorape të reja, që ka veshur, të mos groposen bashkë me të, por ti dërgohen familjes së tij.
Një ngjarje e dokumentuar që rrëfen mjerimin ekonomik ekstrem të shumicës absolute të shqiptarëve. Një varfëri dhe mjerim aq i thellë, aq i gjatë dhe aq i rrënjosur në mendjet e popullsisë, saqë edhe para tytës së armës, apo pak para vdekjes, mendja e fatkeqit gjente mundësi të logjikonte, se kishte me vete një vlerë që nuk duhet të shkonte kot, se kishte një palë çorape të reja që mund ti merreshin dhe përdoreshin nga pjesëtarët e familjes së tij të varfër…
Por ngjarja ka edhe një bazë reale. Kush i ka jetuar ato kohëra, duhet të kujtojë gëzimin e gjithsecilit pas blerjes në dyqan, apo pas blerjes me mik, të një palë çorapeve sintetike.
Përmbajtja e plotë e dokumentit:
Proces verbal
Mbi ekzekutimin e vendimit me pushkatim të dënuarve Bujar Y. dhe Bujar B.
I mbajtur sot në datën 23.8.1991, në orën 24:00 në vendin e quajtur “Pishat e Pishporos”, në prani të skuadrës së pushkatimit, të prokurorit të rrethit Kiço Nano, mjekut ligjor Kostandin Kërri dhe shefit të policisë së rrethit Niko Shqina.
Me vendimin nr. 42 datë 18.7.1991 të gjykatës popullore të rrethit Fier (kolegji ushtarak) i cili është lënë në fuqi nga ana e Gjykatës së Lartë, Bujar Y., dhe Bujar B., janë dënuar me vdekje (me pushkatim).
Presidenti me vendimin Nr.8 datë 22.8.1991 nuk u fali jetën të dënuarve në fjalë. Në këto rrethana, në zbatim të normave të Rregullores Nr. 01-46 datë 30.3.1984, kapitulli 11, të dënuarit Bujar R.Y., dhe Bujar I.B., u çuan për ekzekutim.
Para se të ekzekutoheshin, nga ana e Prokurorit të Rrethit ju tha se Presidenti i Shqipërisë nuk e mori parasysh kërkesën për faljen e jetës. Ata para ekzekutimit të vendimit deklaruan:
I dënuari Bujar Y., deklaroi: “Nuk kam gjë”
I dënuari Bujar B., deklaroi: “Duke bërë porosi për një palë çorape të reja që ka, ti jepen familjes së tij”.
Pas kësaj u bë menjëherë ekzekutimi i tyre.
Të pushkatuarit u kontrolluan dhe nga ana e mjekut ligjor në prezencë të pjesëmarrësve të përmendur në procesverbal i cili konfirmoi vdekjen e të dënuarve në fjalë.
Procesverbali pasi u shkrua, u lexua nga pjesëmarrësit dhe nënshkruhet rregullisht me firmën e tyre.
Prokurori i Rrethit, Kiço Nano (firma)
Shefi i Policisë së Rrethit, Niko Shqina (firma)
Mjeku ligjor, Kostandin Kërri (firma) TIRANA TODAY