Monopoli i Austrian Airlines për fluturimet Tiranë-Vjenë dhe nëpërmjet Vjenës me gjithë botën ka rënë, pas 30 viteve nga fillimi i tranzicionit. Që nga data 19 Dhjetor 2019 në rezervimet e biletave për në Vjenë do të ketë dy opsione pasi ka filluar operimi i linjës Tiranë – Vjenë nga kompania low-cost (me kosto të ulët) Wizzair.
Rënia e monopolist të Austrian është shoqëruar menjëherë me çmime të ulëta, jo vetëm nga Wizzair, por dhe vetë austriakët, që kanë nxituar të ofrojnë bileta të pamenduara më parë për fluturimet nga/drejt Tiranës.
Çmimet e biletave drejt Vjenës dhe destinacionet e tjera kanë rënë me disa herë madje në shifra që nuk mendoheshin deri para pak kohësh, pasi vetë Austrian ka ofertuar bileta 120 euro Tiranë Vjenë për data të caktuara në 2020 ndërkohë që kompania low cost e ofron të njëjtin itinerar për 60 euro.
Me rreth 140 paund mund të shkosh në Londër nëpërmjet Vjenës ndërkohë që linjën non stop vijojnë ta ofrojnë dy kompani, British Airways dhe Easy Jet.
Më lirë janë biletat drejt Budapestit në Hungari ku në data të caktuara, çmimet janë dyshifrore në euro madje në vlera simbolike 10-20 euro për një rrugë.
Në këtë mënyrë konfirmohet se jo vetëm tarifat e larta të operimit të koncesionarit të Rinasit por ç ‘është më e rëndësishmja mungesa e konkurrencës ishte ndër faktorët kryesorë pse shqiptarët kanë paguar si asnjë vend tjetër në Evropë çmimet më të larta të biletave të avionëve.
Hyrja në treg e kompanive low cost ka bërë që operatorët tradicionale të humbasin dominimin dhe monopolizimin e tregjeve. Destinacione si Roma apo Milano nuk janë më monopol i Alitalias pasi tashmë ato ofrohen dhe nga Air Albania, Blue Panorama, Easy Jet (AlItalia madje nuk fluturon më direkt në Milano). Gjithashtu janë shtuar shumë destinacione të tjera drejt Italisë ku tashmë operojnë Air Albania, Alitalia, Blue Panorama, Albawings. Nga Tirana ka fluturime non stop dhe madje disa herë në ditë drejt qyteteve më të vogla italiane si drejt Pisa, Torino, Bolonja, Bergamo, Venezia, Peruxhia, Verona etj.
Biletat drejt destinacioneve kryesore italiane, nëse rezervon herët i gjen edhe më pak se 100 euro vajtje-ardhje, ndërsa më parë, minimumi ishte 150 euro dhe në periudha piku mbi 200 euro.
Konkurrenca hetoi Austrian për tarifat, hetimi u mbyll me rekomandime
Autoriteti i Konkurrencës më herët ka hetuar sjelljen në treg të kompanisë ajrore austriake për shkak të monopolist të saj në fluturimet me Vienën dhe çmimet që arrinin shifra të konsiderueshme për një udhëtim në distancë të shkurtër rreth 1 orë. Çmimet e biletave për festa dhe brenda javës disa herë kapnin shifra nga 600-700 euro më shumë se sa kushton një udhëtim drejt SHBA nëpërmjet një ndalese në Evropë.
Por më gjithë këto çmime të larta Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të konkludojë ndonjë shkelje të rregullave të konkurrencës në rastin e Austrian. Sipas njoftimit zyrtar, me vendimin nr. 525, datë 14.06.2018 “Për mbylljen e hetimit paraprak në tregun e transportit ajror të pasagjerëve ndaj ndërmarrjes Austrian Airlines dhe dhënien e disa rekomandimeve”, Autoriteti i Konkurrencës midis të tjerash i rekomandoi Austrian Airlines si ndërmarrje me pozitë dominuese në tregun përkatës, e cila ka një detyrim të veçantë për t’u sjellë në treg ndaj pasagjerëve të saj për të mos i vendosur ata në kushte të pafavorshme konkurrence, në zbatim të Kodit Ajror.
Në zbatim të vendimit të mësipërm Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur të mbajë në monitorim sjelljen e ndërmarrjes Austrian Airlines që operon në tregun e transportit ajror për një periudhë 1 vjeçare, duke raportuar pranë Autoritetit të Konkurrencës çdo 4 muaj.
Gjithashtu i rekomandoi Autoritetit të Aviacionit Civil që në zbatim të Kodit Ajror brenda një afati 90 ditor: të kryejë analizën e çmimeve të aplikuara nga transportuesit ajrorë me pozitë dominuese në treg; të hartojë një metodologji për llogaritjen e kostove të ndërmarrjeve për krahasimin e çmimeve abuzivisht të larta dhe praktikave diskriminuese; të kërkojë nga të gjithë transportuesit ajrorë që të sigurojnë të gjithë informacionin e nevojshëm dhe të qartë për pasagjerët, i cili duhet të ekspozohet në një mënyrë të dallueshme për pasagjerët; të kërkojë nga organi menaxhues i aeroportit të sigurojë që informacioni i përgjithshëm mbi të drejtat e udhëtarëve të shfaqet në mënyrë të qartë dhe të dukshme brenda aeroportit me qëllim që të sigurojë që pasagjerët e pranishëm në aeroport të informohen për anulimin e fluturimit të tyre dhe për të drejtat e tyre.
Aeroporti Kukësit dhe Vlorës mbeten në 3D, Rinasi monopol edhe disa vite
Në Kukës aeroporti duhet të ishte funksional që në vitin 2017. Si u mashtruan shqiptarët me liberalizimin në letër për zgjatjen e koncesionit me dy vjet dhe me dëm për buxhetin mbi 30 milionë euro
Aeroporti i Kukësit duhet të kishte 2 vite në operim tashmë sipas planeve të qeverisë shqiptare e cila ja zgjati koncesionin aeroportit të Rinasit pikërisht përse “pranoi” liberalizimin e tregut. Por sot që flasim kur kanë kaluar katër vite nga negociatat dhe 2 vite kur aeroporti Kukësit duhet të ishte operacional, asgjë s’ka ndryshuar dhe Kukësi mbetet një projeKt 3D i kopjuar edhe në projektim ndërsa procedurat për aeroportin e Vlorës janë hapur vetëm në dhjetor 2019.
Po si vazhdon Rinasi të jetë monopol për tregun shqiptar dhe pse trumbetimi i liberalizimit të tregut ishte më shumë për t’i rritur vlerën koncesionit, të cilit 20 vitet e operimit iu shtuan me të paktën dhe dy vite, ndërkohë që fitimet neto i kalojnë 15 milionë euro në vit. Pra de fakto dëmi që i është shkaktuar buxhetit të shqiptarëve vetëm nga zgjatja e koncesionit është të paktën 30 milionë euro, sa fitimi aeroportit në dy vite, pa përfshirë kostot e larta që paguajnë për biletat.
Në vitin 2015 qeveria “Rama1” ia zgjati me dy vite afatin e koncesionit të aeroportit të Rinasit në “këmbim” të lëshimit të ekskluzivitetit për fluturime ndërkombëtare që ky aeroport e kishte siguruar me qeverinë “Nano”. Alibia për të zgjatur afatin me 2 vite për një hyrës të ri në tregun e shërbimeve aeroportuale dhe me 0.5 vite të tjera për operimin e një aeroporti të dytë tashmë ka rezultuar një manovër për të rritur vlerën e aksioneve të koncesionarit.
Rritet biznesi, zgjerohen pistat
Rritja e numrit të shoqërive ajrore që fluturojnë nga/drejt Tiranës ka shtuar edhe investimet në zgjerimin e shtimin e pistave të ulje-ngritjeve në aeroportin ndërkombëtar të Tiranës. Pavarësisht projekteve të aeroportit të Kukësit dhe së fundi të Vlorës, TIA mbetet monopol për fluturimet ajrore civile drejt/nga Shqipëria dhe do të vijojë të mbetet në këtë pozicion edhe për disa vite. Ndërkohë shifrat tregojnë rritje të numrit të pasagjerëve që i janë afruar shifrës së 3 milionë pasagjerë në vit që e tejkalon popullsinë e Shqipërisë që sipas censusit të vitit 2010 është 2.8 milionë banorë.
Në përgjigje të rritjes së kërkesës për shërbimet aeroportuale, Tirana International Airport (TIA) ka filluar ndër projektet më të rëndësishme të quajtur “Airfield 2020” i cili lidhet me rehabilitimin e pistës dhe rrugëve lidhëse që mundësojnë lëvizjen e avionëve në zonën ajrore.
Projekti “Airfield 2020” do të realizohet në disa faza të ndryshme. Rrugët lidhëse W dhe B, pjesë e fazës së parë të projektit, janë në fazën e rindërtimit me një gjatësi rreth 1.5 km, në përputhje me kërkesat dhe standardet e avionëve që priten të operojnë në TIA vitin e ardhshëm. Sipas njoftimit për median, gjerësia prej 45 m e rrugëve lidhëse është projektuar brenda standardeve dhe rregulloreve kombëtare dhe ndërkombëtare, për avionët e kategorisë E dhe do jenë të pajisura gjithashtu me sisteme të reja drenazhi dhe ndriçimi./Monitor