Nga: Chloé Benoist “Middle East Eye”
Një teori franceze konspiracioni, që pretendon ekzistencën e një aleancë midis qarqeve akademike të krahut të majtë dhe islamikëve, ka zënë kohët e fundit vend edhe në qeverinë e presidentit Emmanuel Macron, duke nxitur thirrjet për një goditje të përhapjes së kësaj lëvizjeje të supozuar në arsimin e lartë.
E quajtur në frëngjisht si “Islamo-gauchisme”, ose “islamo-majtizimi”, ajo që dikur ishte një argument që përmendet më shpesh midis anëtarëve të ekstremit të djathtë në Francë, ka fituar një rëndësi të paparë teksa debati ëshët zhvendosur në politikën qendrore.
Më 14 shkurt, Ministrja e Arsimit të Lartë, Frederique Vidal, njoftoi në kanalin e krahut të djathtë CNews se “islamo-majtizimi”po e korrupton shoqërinë në tërësinë e saj dhe se ndaj tij nuk janë imun as universitetet”.
Dy ditë më vonë, ajo bëri thirrje për nisjen e një hetimi në sektorin e kërkimeve universitare, në mënyrë që të identifikohen “ato që i përkasin kërkimit akademik, dhe ato që përfshihet tek aktivizmi dhe mendimet personale”.
Deklaratat e saj bëri bujë në qarqet akademike franceze. Qendra Kombëtare e Kërkimit Shkencor (CNRS), organi kryesor shtetëror i kërkimit shkencor, reagoi duke thënë pa asnjë mëdyshje se “islamo-majtizmi nuk është një realitet shkencor”.
Një peticion që bën thirrje për dorëheqjen e ministres, deri më 4 mars ishte nënshkruar nga mbi 22 mijë njerëz. Vidal është ministrja e tretë franceze që nga tetori i vitit të shkuar, që denoncon përhapjen e supozuar të ideologjisë “islamo-majtiste” në vend, pas Ministrit të Brendshëm Gerald Darmanin dhe Ministrit të Arsimit Kombëtar Jean-Michel Blanquer.
Pas zhurmës që shkaktoi hetimi i sugjeruar nga Vidal, Blanquer bëri thirrje për “qetësi” në një debat të organizuar më 2 Mars, edhe pse këmbënguli se në botën universitare “ka diçka që është ideologjike, dhe e cila duhet të bëhet e qartë”.
“Shumë gjëra përparojnë në fshehtësi, dhe mund të jenë të rënda për të ardhmen tonë”- deklaroi ai për radio France, pasi akuzoi kërkuesit akademikë në fushën e shkencave sociale si“regresivë” dhe në kundërshtim me vlerat e Iluminizmit.
Në mesin e këtij debati të zjarrtë, mbeten shumë pikëpyetje mbi atë që nënkupton termi islamo-majtizëm, dhe pse në shënjestër është bota universitare franceze, një terren që me sa duket, nuk ka gjasa t’i jetë nënshtruar radikalizmit të pretenduar islamik.
Nga koncepti gjeopolitik, tek shprehja e krijuar nga ekstremi i djathtë
Thuhet se termi “islamo-majtizëm” u krijua për herë të parë nga historiani Pierre-Andre Taguieff në librin e tij të vitit 2002 “Judeofobia e re”, për t’iu referuar aleancës midis aktivistëve të majtë dhe islamikëve mbi një kauzë të përbashkët:kundërshtimin e pushtimit izraelit gjatë Intifadës së Dytë.
Ky përkufizim thonë akademikë është një fenomen gjeopolitik, që mund të vërehej që në vitet 1960. Ai përfshin Organizatën e Muxhahedinëve në Iran, magjepsjen e vetë filozofit francez Michel Foucault pas Revolucionit Iranian të vitit 1979, apo lëvizjen Panterat e Zeza në Shtetet e Bashkuara.
Përgjatë dekadave, disa figura të ekstremit të majtë, si trockisti britanik Chris Harman, kanë argumentuar se e majta perëndimore duhet të konsiderojë hyrjen në aleancë me lëvizjet islamike në luftën proletare kundër kapitalizmit. Edhe pse këto argumente të përkthyera në bashkëpunimet aktuale, në rastin më të mirë ishin anekdotike.
“Në realitet, këta intelektualë të majtë e kanë braktisur prej kohësh magjepsjen pas aleancave islamike”- thotë për “Middle East Eye”filozofi dhe sociologu francez Raphael Liogier. “Është paradoksale që në momentin kur kjo aleancë nuk josh më askënd në të majtë, në botën akademike apo diku tjetër… që ata të akuzohen për islamo-majtizëm. Kjo është një kauzë e dyshimtë, e çuditshme dhe jo koherente”-thekson ai.
Ky term u përdor në vitet 2010 nga e djathta ekstreme në Francë, më tepër si një akuzë poshtëruese për të diskredituar kundërshtarët.“Vështirësia e parë me këtë term, është se nuk bën dallimin midis Islamit dhe Islamizmit, dhe lejon që të gjitha llojet e abuzimeve”-shprehet për “Middle East Eye”,Jean-Yves Pranchere, profesor i shkencave politike në Universite Libre në Bruksel.
“Përmes imponimit të një gjuhe të caktuar, e djathta ekstreme po udhëheq – dhe po e fiton – betejën për hegjemoninë kulturore. Tek islamo-majtizimi, ekziston frika ndaj Islamit dhe frika nga e majta … Ky term përfaqëson më tepër një mjet për të krijuar një frikë të përzier, duke futur në një thes njerëz që nuk kanç asgjë të përbashkët mes tyre”- shton ai.
Ndërkohë sociologu Amel Boubekeur, thekson se pavarësisht akuzave për bashkëpunim mes së majtës dhe Islamit, myslimanët francezë janë në fakt të përjashtuar nga pjesëmarrja aktive në politikën e vendit.
“Myslimanët francezë besojnë dhe mendojnë se ata vetëm janë përdorur nga e majta gjatë garës së saj kundër të djathtës mbi çështjet e ndryshme shoqërore, por ata nuk kanë pasur kurrë një zë apo ndonjë lloj përgjegjësie brenda këtyre lëvizjeve”-deklaroi ai për“Middle East Eye”.
Akuzat që burojnë nga vetëkënaqësia
Përgjatë viteve të fundit, termi “islamo-majtizëm” ka fituar terren në diskursin publik, përfshirë edhe qeverinë gjoja të qendrës liberale të Emmanuel Macron. Pas sulmeve në Charlie Hebdo dhe Bataclan në vitin 2015, dhe së fundmi atë që solli vrasjen e mësuesit të shkollës së mesme Samuel Paty më 16 tetor 2020, “islamo-majtizmi” është shndërruar në një term tërheqës për ata që mendohet se janë shumë të vetëkënaqur ndaj kërcënimit të dhunës islamike në Francë.
Që nga tetori i vitit të shkuar, qeveria e Macron ka shumëfishuar nismat për të synuar goditjen e Islamizmit, qoftë përmes ligjeve globale të sigurisë, një rregull i diskutueshçm ndaj imamëve që e dënon diskutimin e “racizmit shtetëror”, apo një projekt-ligj anti-separatizëm, që është akuzuar për diskriminimin e myslimanëve.
Kjo betejë “skifterësh”, bëri që konservatori Darmanin të lëshonte akuza të forta ndaj Marine Le Pen, drejtuese e partisë së ekstremit të djathtë Tubimi National (RN), që i vlerësoi si “shumë të buta ndaj Islamit”komentet e Vidal.
“Ajo që po ndodh nuk është një analizë racionale e gjërave, por një analizë emocionale. Megjithatë, këto lloj temash kanë nevojë për racionalitet”- deklaroi për “Middle East Eye”Anais Voy-Gillis, studiuesee fokusuar në lëvizjet e ekstremit të djathtë. Pavarësisht se përdorimi i këtij termi është zhvendosur në politikën qendrore, “islamo-majtizmi” ka
në realitet pak themele vërtetësie, tha Liogier.
Qeveria Macron, thekson ai, “ka arritur që brenda disa muajsh të bëjë atë që Tubimi Kombëtar (i njohur më parë si Fronti Kombëtar), nuk kishte arritur ta bënte për më shumë se 10 vjet me islamo-majtizmin, pra duke ia dalë të legjitimojë koncepte në debatit publik që janë qartazi fantazi dhe thjesht populiste”.
Studimet e botuara në vazhdën e polemikave të Vidal, kanë treguar se termi “islamo-majtist”, është përdorur kryesisht nga e djathta në mediat sociale që nga viti 2016. Në dhjetor 2020, sociologu Fabrice Dhume-Sonzogni tha për“Le Monde”, se gati gjysma e referencave për islamo-majtizimin në median e shkruar franceze që nga viti 2003, ishin vërejtur në gazetën e krahut të djathtë “Le Figaro”.
Bota akademike nën shënjestër
Kohët e fundit Macron ka qenë i etur që të tregojë se qeveria e tij po e godet ekstremizmin islamik, por kjo me rrezikun, kanë paralajmëruar disa analistë, e nxitjes së më shumë armiqësie kundër popullatës myslimane në vend.
Por përse në këtë përplasje është futur befas edhe bota akademike?“Ka gjithnjë përjashtime, por universitetet nuk janë bazat e preferuara të rekrutimit për njerëzit që i përkasin një ideologjie radikale, e cila synon që të kryejë sulme terroriste”-thotë Voy-Gillis.
“Debati në fjalë po e trajton kërkimin akademik jo si një shkencë, por si një kamp politik që meriton të luftohet. Përmes këtyre sulmeve të ndryshme kundër botës akademike, ata po përpiqen që të de-legjitimojnë punën e studiuesve, të cilët kërkojnë që të nxjerrin në pah atë çka nuk funksionon në shoqërinë tonë”- shton ajo.
Nëkuadër të kërcënimit të supozuar të “islamo-majtizmit”, universitetet franceze po e shohin veten të akuzuar se gjoja janë infektuar nga konceptet amerikane të identitetit të shumëfishtë, teorivetë barazisë gjinore dhe studimet post-koloniale.
“Ideologjitë indigjeniste, raciste dhe de-koloniale (të marra nga kampuset universitare tëAmerikës së Veriut) … ushqejnë një urrejtje ndaj ‘të bardhëve’ dhe Francës”- thuhej në një letër të nënshkruar në tetor 2020 nga 253 intelektualë përfshirë Taguieff, babai i “islamo-majtizmit” në mbështetje të komenteve të ministrit Blanquer.
Vetë Macron kishte provokuar reagime të forta në qershor të vitit të shkuar, kur në media u dekonspiruan disa komente të tij, ku fajësonte për aktivizmin e të rinjve kundër dhunës policore dhe racizmit në kulmin e protestave të vitit 2020 të “Black Lives Matter”“botën akademike … që inkurajoi etnizimin e çështjeve sociale”.
Për Pranchere, përdorimi i “islamo-majtizëm”synon të sulmojë kërkimet shkencore mbi çështjet progresive që nuk kanë asnjë lidhje me Islamizmin.“Ne po shohim një diskurs të luftës civile, që nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Gjithçka është përzier në mënyrë abuzive; edhe shkrimet mbi barazinë gjinore,janë bërë një element i islamo-majtizmit, a thua sikur islamikët radikalë dhe ISIS janë të njohur për aktivizmin e tyre në këtë drejtim”.
Pranchere hodhi poshtë pretendimet se “islamo-majtizmi” ka depërtuar në botën akademike franceze përmes teorive që pretendohet se janë shfaqur fillimisht në Shtetet e Bashkuara. Ai nënvizon se Franca ka historinë e saj të gjatë të reflektimit mbi çështjet gjinore, koloniale dhe racore, me mendimtarë të shquar përfshirë Frantz Fanon dhe Colette Guillaumin.
“Të gjithë ata që denoncojnë importimin e këtij termi nga bota anglo-saksone, po importojnë vetë “luftëra kulturore” si ato të drejtuara nga e djathta amerikane”- thotë ai, duke shtuar se gjurmimi kundër “islamo-majtizmit” akademik, degradoi në një“Makartizëm të mirëfilltë”.
Në mesin e pandemisë Covid-19, reformave të diskutueshme në sistemin arsimor, dhe me lëvizjen e protestës të Jelekëverdhëve në vitin 2018, që solli një rënie të madhe të popullaritetit për Macron, Voy-Gillis e sheh këtë debat si një shpërqendrim të qëllimshëm nga problemet reale.
“Problemi numër një i universiteteve nuk është ky,por mungesa e mjeteve për kërkime, dhe ajo për t’u kujdesur për studentët. Kur ju synoni të kryeni një hetim mbi islamo-majtizmin, ju nuk po i bëni vetes pyetjet themelore që kanë të bëjnë me universitetet”- thekson ajo.
Një lojë elektorale e rrezikshme?
Ndërsa zgjedhjet presidenciale në Francë janë të planifikuara të mbahen në prillin e vitit 2022, debati mbi islamo-majtizmin vjen në një periudhë shumë të ndezur politike. Mes analistëve ka një konsensus se Marine Le Pen e ekstremit të djathtë, do të arrijë sërish të kalojë në raundin e dytë të votimit.
“E djathta ekstreme arrin të krijojë një kryqëzim të urrejtjes, frikës dhe panikut moral që e majta – dhe sigurisht jo e majta ekstreme – nuk mund të kishin kurrë sukses të krijonin, gjë që i lejon asaj të bashkojë blloqet e votuesve që e majta nuk mund t’i bashkonte kurrë”- tha Pranchere. “Vetëm Marine Le Pen mund të merrte votat e protestuesve Jelekë-Verdhë dhe oficerëve të policisë që qëlluan mbi Jelekë-Verdhët”- shtoi më tej ajo.
Macron drejtoi fushatën e tij presidenciale në vitin 2017 duke u paraqitur si “as i majtë dhe as i djathtë”, dhe fitorja e tij u vlerësua si një “breshëri” kundër së djathtës ekstreme. Por ndërsa vota e vitit 2022 është më afër, qeveria e tij ka përqafuar gjithnjë e më shumë pikat e krahut të djathtë, duke u përqendruar në Islam dhe çështjet e sigurisë.
“Ajo që po ndodh me konceptin e islamo-majtizmit, është e pandashme nga projektligji i separatizmit dhe ligji global i sigurisë. Kjo është një vazhdimësi dhe pjesë e ndryshimit në mandatin presidencial të Macron”- thotë Liogier.
Pavarësisht se ka figura që janë haptazi të krahut të djathtë në kabinetin e tij, Liogier tha se nuk beson se vetë Macron është një populist. “Por racionalizimi i tij, do t’i japë një hapësirë më të madhe populizmit… Ashtu si të gjithë politikanët e tjerë, me afrimin e zgjedhjeve, Macron po i harron bindjet e tij origjinale”- mendon ajo.
Boubekeur e sheh Islamin dhe Islamizmin si një pretekst të përshtatshëm që është përdorur prej kohësh në sherret politike në Francë.“Ky është një debat që është më i lidhur me historinë franceze dhe luftën midis krahut të djathtë dhe atij të majtë, midis lëvizjeve nacionaliste dhe atyre republikane, që ka rrënjë shumë të thella historike në Francë, duke i paraprirë edhe pyetjeve mbi Islamin”- shprehet ajo.
Për Voy-Gillis, Macron po luan një “lojë të rrezikshme” me zgjedhjet, duke “tentuar që të joshë bazën elektorale të ekstremit të djathtë”ashtu siç bëri disa vite më parë ish-presidenti Nicolas Sarkozy.
“Ka një pikëpamje se zgjedhjet nuk do të rrjedhin si në vitin 2017, pasi votuesit e majtë nuk do të votojnë më për Macron, dhe kjo është pak a shumë e sigurt. Por unë nuk jam e bindur nëse në lidhje me kontekstin ekonomik dhe shoqëror të Francës, ne do të shohim të njëjtat rezultate në vitin 2022. Kjo është një lojë e pashëndetshme, pasi kontribuon në ndarjen e mëtejshme të një shoqërie tashmë të fragmentuar”-shton ajo.
Myslimanëvetë Francës u është mbyllur goja
Ndërsa debati mbi“islamo-majtizmin”ka qenë në mënyrë paradoksale më i përqendruar në sulmimin e pikëpamjeve të majta, ligjërimi që ka pasur gjithsesi një efekt negativ në komunitetin mysliman të Francës, tashmë po vuan edhe nga diskriminimi dhe armiqësia.
Një koalicion i organizatave të shoqërisë civile, i kërkoi në janar të këtij vitit Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (UNHRC), që të çelte procedurat zyrtare kundër qeverisë franceze, mbi atë që ata e quajtën “islamofobi të ngulitur” në vend.
Ndërsa në Francë ka pasur vitet e fundit polemika të panumërta në lidhje me hixhabin apo burkën, myslimanët janë në fakt të përjashtuar nga debate të tilla, shpjegon
Boubekeur. “Popullsia myslimane po vuan deri pasojat e një ndëshkimi popullor pa u përfshirë në këto debate shumë elitare mbi botën akademike. Ata nuk kanë një zënë debatin publik, sepse do të akuzoheshin si komunitarë, dhe akoma më keq tani si separatistë. Pra, ne dëgjojmë vetëm akademikët e bardhë të majtë ose ekspertët e bardhë, por jo përfaqësues nga kjo popullsi”- shton ajo.
Boubekeur thotë se një ndryshim i domosdoshëm për të kundërshtuar tendenca të tilla, do të ishte që Franca të bëhej më komode duke diskutuar çështjet sociale dhe historike që shpesh mbahen të fshehura.
“Diskutimet rreth klasës dhe racës, duhet të normalizohen në debatin publik francez, dhe kjo duhet të bëhet në mënyrë shkencore, dhe jo nga ekspertë që dalin dhe flasin në ekranet televizive pa pasur njohuri reale mbi atë për të cilën janë duke folur”- thotë ajo.
Voy-Gillis, që ka shkruar librin “Si Bashkimin Evropian po vendoset nën testin e nacionalizmit”, thotë se Franca po zhvendoset drejt së djathtës ekstreme, por situata këtu është larg nga të qenit unik.“Çështjet e identitetit janë të përbashkëta për të gjitha kombet perëndimore. Kudo ekziston ky hutim, ky tension që rrethon çështjen e Islamit, dhe përmes Islamit, çështjen e identitetit”- shkruan ajo.
Edhe Pranchere e sheh klimën aktuale në Francë si simptomë të problemeve që shtrihen përtej çështjes së Islamit në vend, që nëse adresohet, mund të jetë çelësi për t’iu kundërvënë rritjes në dukje të pashmangshme të ndikimit të ekstremit të djathtë.
“Kur ka një panik moral, kjo do të thotë se ka pasiguri, të cilat për mendimin tim janë pasiguri thellësisht shoqërore. Kjo gjë do të kërkonte adresimin e çështjes së politikave sociale, politikave arsimore… Por ne nuk mund t’i kundërvihemi këtij lloj diskursi në arenën ku ata po përpiqen të na çojnë”- thekson ai.
Burimi i lajmit: https://www.middleeasteye.net/news/france-islam-leftism-macron-muslims-academia-elections
Përshtatur nga TIRANA TODAY