Taksa e re e ndërtesës, me formulën që ka në bazë vlerën e tregut, ka 18 muaj që ka hyrë në fuqi. Bashkitë janë ende në tranzicion, duke e aplikuar këtë taksë sipas situatës, ku në disa raste zbatohet formula që përcakton metodologjia e re, e në të tjera aplikohet aforfeja. Zgjedhjet vendore ulën ritmin e bashkive për të saktësuar të dhënat. Bashkia më e madhe në vend, Tirana, po vazhdon me formulën e vjetër, ndërkohë që agjenti i saj, ujësjellësi ka nisur një fushatë për të nxitur vetëdeklarimin. Teksa projekti për regjistrin qendror të Kadastrës Fiskale ka renditur 1.3 milionë pasuri, bashkive do t’ju duhet të kalojnë një kohë të mirë në tranzicion, duke punuar paralelisht me regjistrin qendror dhe atë të agjentëve.
Nga Nertila Maho
Thuajse 18 muaj nga hyrja në fuqi e taksës së re të ndërtesës me një metodologji që ka në bazë vlerën e tregut, bashkitë në të gjithë vendin janë në përpjekje për të plotësuar bazën e tyre të të dhënave, ende e paplotë. Kjo ka bërë që një pjesë e llogaritjes së taksës të bëhet në formë aforfe dhe një pjesë tjetër mbi bazë të metrave katrorë të saktë për ndërtesat. Paralelisht me këtë, është puna e projektit ProTax-i, i cili synon ngritjen e sistemit të Kadastrës Fiskale që pritet të jetë gati sipas parashikimeve në fund të vitit 2020.
Përmes këtij projekti synohet që jo vetëm të bëhet saktësimi i regjistrit të plotë për pasuritë në të gjithë territorin e vendit, por edhe integrimi i metodologjisë për përllogaritjen e taksës për çdo pasuri. Ajo që konstatohet sot, më shumë se një vit e gjysmë nga nisja e zbatimit, është fakti që taksa e ndërtesës vijon të mbetet në një fazë tranzicioni, ku bashkitë mbeten peng i informacionit të cunguar që kanë nga terreni, ndërkohë që agjentët e përzgjedhur për të arkëtuar këtë taksë, që janë ujësjellës-kanalizimet, kanë ndikuar pozitivisht te rezultati i arkëtimeve, pasi kjo erdhi në një kohë me fushatën kundër informalitetit në sektorin e ujit.
Të dhënat zyrtare të Entit Rregullator të Energjisë treguan se në vitin 2018, “faturimi total i sasisë se ujit të prodhuar në nivelin 36% paraqet trend në rritje. Aksioni për vendosjen e matësve për të gjitha kategoritë e klientëve ka bërë që niveli për “Faturimin e matur” të jetë përmirësuar me 1,5% në krahasim me vitin e kaluar”. Kjo do të thotë që, me rritjen e familjeve që kanë hyrë në sistemin e ujësjellësve, është rritur edhe baza e taksapaguesve që e paguajnë taksën e ndërtesës.
Tirana, ende me taksën e vjetër, UKT u kërkoi qytetarëve të bëjnë vetëdeklarim
Në muajin gusht, qytetarëve të Tiranës, fatura e ujësjellësit u ka shkuar me një vlerë 100 lekë si taksë ndërtese. Është formula e vjetër e taksës që parashikon 100 lekë çdo muaj, apo në total 1200 lekë. Ujësjellësi, si agjent i përzgjedhur nga Bashkia, njoftoi në gusht që qytetarët duhet të bënin vetëdeklarimin lidhur me banesën e tyre. Në momentin që qytetari shkon në sportelet e UKT, njoftohet edhe për taksën që duhet të paguajë sipas formulës së re të taksimit. Sipas njoftimit që bëri më herët UKT, vetëdeklarimi mund të bëhej me një kopje të kartës së identitetit, certifikatën e pronësisë me kartelën e pasurisë/ kontratë shitblerje, dhurimi ose shkëmbimi / akt privatizimi apo vetëdeklarimi të ALUIZNI-t, rivlerësim të fundit të pasurisë, nëse ka, dhe librezën e ujit apo një faturë UKT.
Vetëdeklarimi pranë pikave, sipas afatit të UKT, mund të bëhej deri më 15 shtator, ndërkohë që mbetet i hapur opsioni i vetëdeklarimit në faqen online të ujësjellësit. Paralelisht me këtë proces, UKT njoftoi se do të niste verifikimet në terren për të pasuruar sistemin me të dhënat e detajuara për banesat në kryeqytet. Nga detyrimi për të paguar këtë taksë, do të jenë të përjashtuara banesat sociale; ndërtesat që përdoren nga komunitetet fetare, në funksion të veprimtarisë së tyre; ndërtesat e banimit, të deklaruara si vendbanim nga kryefamiljarët që përfitojnë vetёm pension pleqërie/pension social, kur familja e tyre përbëhet vetёm nga pensionistë, ose dhe me persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë; ndërtesat e banimit të kryefamiljarëve që trajtohen me ndihmë ekonomike.
Zgjedhjet ulën ritmin për verifikime, kryebashkiakët e rinj pak ndryshime në stafe
Zgjedhjet e 30 qershorit angazhuan arsenalin e gjithë bashkive në funksion të fushatës, duke humbur fokusin nga disa detyra prioritare. Por edhe pse pati një lloj përgjumje para tyre, duket se pas zgjedhjeve ka rinisur puna. Burime pranë bashkive thanë se janë të paktë ata kryebashkiakë që kanë bërë lëvizje në stafet e tyre në përgjithësi e aq më pak në pjesën që i takon asaj të taksave. Lëvizjet kanë qenë vetëm në nivel drejtorësh, ku të paktën në dy raste ka pasur kallëzime penale, kurse në një pjesë të mirë specialistët, që edhe janë trajtuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Taksës së Pasurisë, kanë mbetur të pandryshuar. Në rastet e pakta të ndryshuar, stafeve ju janë lënë kredencialet për logimin në sistemin e ngritur.
Mosarkëtimin në potencial si efekt edhe i situatës zgjedhore e nënvizon edhe kreu i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali, i cili rendit edhe një sërë arsyesh të tjera. “Mbledhja e kësaj takse është një e ardhur shumë e mirë për buxhetin e bashkive. Deri më tani, nuk ka pasur rezultate edhe shumë të mira për disa arsye. Së pari, mungesa e kadastrës fiskale, pra sistemit të plotë të saj, paqartësitë mbi të dhënat e pronave, mungesë vullneti për të bashkëpunuar mes institucioneve qendrore dhe atyre vendore, aftësitë jo të mjaftueshme nga vendorët për zbatimin e metodologjisë së re, situata politike dhe periudha zgjedhore, si dhe ndryshimet potenciale kanë krijuar një mjedis jo të qëndrueshëm për eficencën e taksës” – shprehet ai.
Bashkitë aplikojnë taksën sipas mundësisë, Korça 80% të bazës me vlerë tregu
Bashkitë në vend kanë punuar për plotësimin e bazës së të dhënave me metrat e saktë katrorë. Bashkia e Korçës raporton se të paktën 80% të kësaj baze e ka të plotësuar saktë, çka i jep mundësinë të taksojë me metodologjinë e re.
“Faturim aforfe bëhet vetëm për ato ndërtesa në njësitë administrative për të cilat nuk disponohet dokumentacion, apo për të cilat nuk kemi asnjë të dhënë” – shprehet Sotiraq Filo, kryebashkiak i Korçës. Mosinformimi i qytetarëve në disa raste bën që pagesa të bëhet në formën e vjetër.
Jeton Puka, këshilltar ekonomik pranë Bashkisë së Vlorës, sqaron se një pjesë e mirë do të përfitonin ulje, nëse do të bënin vetëdeklarimin, pasi taksa rezulton më e ulët, por fakti që nuk paraqiten, i penalizion ata me aforfe, që ka një vlerë më të lartë. “Në qytetin e Vlorës, aforfe paguhet 3100 lekë në vit, duke e ndarë në këste të barabarta mujore, dhe për çdo njësi administrative ka vlera në bazë të VKM. Me taksën e re, një apartament, në një pallat të vjetër para vitit 1993, do të paguante më pak” – sqaron ai.
Treguesit fiskalë, taksa e ndërtesës në gusht 2019, më dobët se vitin e shkuar
Teksa pushteti vendor synon që taksa e pronës t’i shërbejë si një frymëmarrje për financat e veta, me një mundësi arkëtimi më të lartë të saj treguesit fiskalë të 8-mujorit 2019 reflektojnë një situatë jo dhe aq optimiste. Të paktën jo në raport me vitin 2018, kur nisi për herë të parë zbatimi i taksës. Deri në fund të gushtit, në zërin e taksës së pasurisë (ndërtesës) janë arkëtuar 3.82 miliardë lekë, me një rënie 1.8% në raport me një vit më parë. Kjo duket se lidhet me faktin që deri në prill 2018, bizneset dhe individët kanë paguar taksën me formulën e vjetër. Pavarësisht kësaj, 8-mujori 2019 mbetet periudha me ecurinë më të mirë pas asaj të vitit 2018 në dhjetë vitet e fundit.
Si taksohet sot një ndërtesë apo njësi pronësore
Taksimi për ndërtesat apo njësitë pronësore sot, sipas kuadrit ligjor, bëhet në bazë të disa specifikave. Së pari, duhet pasur parasysh çfarë kategorie ndërtese është ajo, apo funksioni që kryen; së dyti, nëse është ndërtim i para vitit 1993 apo pas vitit 1993 dhe në çfarë zone ndodhet. Me një vendim të veçantë, atë 132, qeveria përcaktoi një vit më parë edhe çmimet referencë që do të mbahen parasysh për të llogaritur vlerën e një banese në treg. Çdo njësi, që të ketë një taksë të përllogaritur sipas metodologjisë së re, duhet të ketë të plotësuar specifika të tilla, si sipërfaqja, zona ku ndodhet dhe normalisht funksionin e saj.
Vlera e pasurisë llogaritet duke shumëzuar çmimin për metër katror i përcaktuar në VKM-në e qeverisë me sipërfaqen e njësisë pronësore. Taksa llogaritet sa 0.05% e kësaj vlere. Për ndërtesat e ndërtuara para vitit 1993, apo ato që konsiderohen si apartamente të vjetër, çmimi për metër/katror llogaritet sa 70% e atyre referencë të përcaktuar në vendimin e qeverisë. Ndërtesat që shërbejnë për veprimtari ekonomike, nga ana tjetër, do të taksohen në vlerën 0.2% të vlerës së tregut që ka njësia e tyre pronësore./Monitor