Irlanda besohet se është vendlindja e festës së Halloween-it. Në formën që e njohim sot është zhvilluar që nga shekulli XVIII. Ndërkohë Halloween, e ka marrë frymëzimin nga festivali i vjetër kelt, Samhain Eve, kur besohej se atë ditë lidhja mes botës së të gjallëve dhe asaj të të vdekurve, ishte më e fortë se në çdo ditë tjetër të vitit. Në periudhën e mesjetës në Irlandë dhe Skoci, festivali Samhain niste në perëndim të diellit më 31 tetor, dhe zgjaste deri në të gdhirë të datës 1 nëntor, që shënonte edhe mbarimin e sezonit të korrjeve, dhe fillimin e dimrit ose “sezonit të errët”.
Halloween u çua në SHBA nga emigrantët irlandezë dhe skocez gjatë shekullit XVII dhe fillimit të shekullit XIX-të. Imazhet e “fantazmave”, bëheshin në fillim me rrepa, ndërsa në Meksikë nisi tradita e përdorimit të kungullit. Natën e Halloween, të gjithë fëmijët maskohen me veshje të frikshme, ndërsa prindërit përgatisin ëmbëlsira në shtëpi, të cilat i lënë para derës për të qerasur shpirtrat.
Sipas legjendës, nëse shihni një merimangë natën e Halloween, ajo është në të vërtetë shpirti i një njeriu të dashur që ka vdekur prej kohësh, dhe që ka ardhur t’iu shohë. Amerikanët shpenzojnë mesatarisht 74 dollarë për frymë për karamele, kostume dhe dekorimet e shtëpive.
Për pasojë, Halloween është festa e dytë fitimprurëse në SHBA pas Krishtlindjeve. Pavarësisht popullaritetit, ka njerëz që kanë frikë nga kjo festë, dhe kjo quhet “Samhainophobia”.