Çështja e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë duket se është drejt zgjidhjes.
Ndërmjetësuesi i OKB-së në bisedimet për çështjen e emrit, Methew Nimetz, ka caktuar datat 11 dhe 12 dhjetor për të zhvilluar takime mes përfaqësuesve të dy vendeve në Bruksel.
Nimetz shprehet optimist lidhur me takimin, ndërsa siguroi angazhimin e OKB-së për këtë çështje:
“Takimi është pjesë e angazhimeve të OKB-së që t’u ndihmohet të dyja palëve të gjejnë zgjidhje të përbashkët e të pranueshme për çështjen e emrit”, thuhet në njoftimin zyrtar të zyrës së Nimetz.
Fillimisht bisedimet u planifikuan për javën e ardhshme, por u anuluan dhe u ricaktuan për në dhjetor.
Raundi i ri i bisedimeve vjen në periudhën e klimës së përmirësuar politike mes Maqedonisë dhe Greqisë, si dhe pritjeve optimiste nga Shkupi, Athina dhe Washingtoni për t’i dhënë fund kontestit shumëvjeçar.
Nga ana tjetër, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur mbrëmë në takim kryetarin e Selanikut, Yiannis Boutaris.
Ata diskutuan edhe për integrimin e Maqedonisë në NATO dhe BE, duke nënvizuar se duhet të arrihet kompromis mes palëve për emrin sa më shpejt, duke respektuar veçoritë e palëve dhe duke menduar për të ardhmen e përbashkët në familjen Euroatlantike.
“Ahmeti mbështeti të gjitha idetë për bashkëpunim midis komunave të udhëhequra nga Bashkimi Demokratik për Integrim me Selanikun dhe mirëpriti gatishmërinë e Boutaris për ta thelluar komunikimin midis qyteteve tona”, thuhet në njoftimin e BDI-së.