Ne kemi konstatuar që në draftin e paraqitur nuk është shumë i qartë kërkimi shkencor. Nuk është i qartë kërkimi shkencor dhe roli i Institutit të Arkeologjisë në kërkimin shkencor, pas organizimit e menaxhimit të ri të parkut. Ky shqetësim është paraqitur në mbledhjen që kemi bërë ne në Këshillin Shkencor së bashku me hartuesit e draftit”. Kështu shprehet Luan Përzhita, drejtor i Institutit të Arkeologjisë në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” mbi draftin e planit të menaxhimit të integruar të Butrintit, dorëzuar në Ministrinë e Kulturës nga Fondi Amerikan i Zhvillimit pak ditë më parë. sipas Përzhitës, në takimet mes palëve, kanë qenë disa shqetësimet që arkeologët kanë parashtruar, duke marrë premtimin se do të pasqyrohen në draft. Më tej, sipas tij, në përmbajtjen e draftit, është përdorur termi: arkeologjia e peizazhit.
“Në fakt, arkeologjia e peizazhit nuk e specifikon drejtpërdrejt edhe arkeologjinë e kërkimit shkencor. Kështu që ne kemi propozuar që të hiqet termi ‘arkeologji e peizazhit’ dhe të përdoret vetëm termi ‘arkeologji’, sepse termi ‘arkeologji’ e përfshin edhe arkeologjinë e peizazhit, edhe kërkimin shkencor, edhe kërkimet e riskut, e me radhë”, thotë Përzhita. Ai shprehet se, “mendohet të krijohet një grup kërkimor shkencor për Butrintin, por ky grup kërkimor nuk del se si do të jetë i formuluar, kush do jetë pjesë e tij”. Një çështje tjetër e rëndësishme për IA-në, janë asete. “Ne kemi shumë asete në Butrint. Asete të cilat janë në pronësi të Institutit të Arkeologjisë, me vendim të Këshillit të Ministrave”, thotë ai, duke sqaruar se nuk mund të jenë dakord t’u hiqet pasuria. “Nuk është pasuri personale, ajo është një pasuri që i takon Butrintit në radhë të parë. Atje ka depozitime që lidhen me gjetjet arkeologjike të Butrintit, laboratorë etj.”, thotë drejtori i IA-së.
Ai vëren se vërejtjet e arkeologëve janë mirëpritur dhe është premtuar të pasqyrohen në draft. Kujtojmë se më herët arkeologu Neritan Ceka në një intervistë për ‘GSH’ ka dalë plotësisht kundër draftit, duke qenë se parashihet që Butrinti të menaxhohet nga një fondacion, çka nënkupton një Partneritet Publik-Privat, që rregullohet me ligjin e ri të trashëgimisë.
Më poshtë, intervistë me prof. Luan Përzhitën, i cili ndalet në bisedimet e zhvilluara mes palëve.
– Profesor, një draft i planit të menaxhimit të Butrintit është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës nga Fondi Amerikan i Zhvillimit. Instituti i Arkeologjisë ka qenë i përfshirë, a mund të na tregoni si ka qenë procesi i punës?
Po, është e vërtetë. Ne tani kemi një draft të paraqitur në Ministrinë e Kulturës, i cili është diskutuar dhe natyrisht në këtë diskutim është përfshirë edhe Instituti i Arkeologjisë. Kemi pasur disa takime me hartuesit e draftit dhe takimi më i rëndësishëm është bërë në Institutin e Arkeologjisë në prani të të gjithë Këshillit Shkencor të profesorëve të profesoratit të IA-së, ku kemi diskutuar rreth shqetësimeve tona mbi përmbajtjen e draftit të menaxhimit të ri të Butrintit. Natyrisht, e dimë të gjithë që Butrinti është sit i shpallur në mbrojtje nga UNESCO për vlerat që ka, kryesisht ato arkeologjike, por edhe për vlerat e tjera natyrore. Si institucion që ka një lidhje shumë të gjatë, gati 70-vjeçare të kërkimit arkeologjik në Butrint, instituti ka një ndjeshmëri më të madhe, sepse atje kanë punuar arkeologë që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm për të ardhur sot, në një sit kaq të organizuar e kaq të bukur, e kaq tërheqës sa i takon edhe zhvillimit turistik. Por është edhe një krenari që lidhet edhe me kombin shqiptar. Pa marrë parasysh që gërmimet filluan në kohën e Ugolinit, që në vitet 1925-1926, pas Luftës së Dytë Botërore janë zhvilluar me shpejtësi kërkime të tjera, nga arkeologë të njohur të vendit tonë. Edhe pas viteve 1990, në Institutin e Arkeologjisë, ka pasur një bashkëpunim shumë të suksesshëm me Shkollën Arkeologjike të Romës, ku një ekip nga Britania e Madhe drejtuar nga profesor Richard Hodges dhe Instituti i Arkeologjisë, bënë që Butrinti të kthehet në një kantier të madh gërmimesh arkeologjike, duke e bërë atë një shkollë arkeologjike për arkeologët e rinj. Kjo, dorë pas dore krijoi hapjen e parë që Butrinti të shpallej park. Tashmë kishim një zonifikim të qartë, një sistemim të të gjitha monumenteve arkeologjike, kronologjinë e tyre, anën historike, si edhe anë të tjera që lidhen me arkitekturën, estetikën dhe zhvillimin kulturor. Në këtë rast, si kontribut i përbashkët, një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe lordët me fondacionin, derisa u arrit që Butrinti të jetë një park arkeologjik, me VKM, me territore të përcaktuara qartë, me kufij të përcaktuar që të shërbente më pas si një bazë shumë e rëndësishme për t’ia paraqitur UNESCO-s si sit i veçantë për Mesdheun. Tashmë Butrinti u bë park i rëndësishëm, ku edhe zhvillimi i turizmit i dha një shtytje të madhe, duke krijuar një ndër parqet më të suksesshme për sa i përket jo vetëm anës kulturore, por edhe financiare.
Tani, mbërrijmë te një draft, që synon të përcaktojmë menaxhimin 10-vjeçar të tij?
Tani kemi një draft që synon ta çojë më para anën e menaxhimit të parkut. Këtu unë shoh dy pamje: është pamja e sitit, në përmbajtjen arkeologjike dhe Butrintin me natyrën e tij që lidhen me zhvillimin e parkut. Debati ynë me formuluesit e draftit është zhvilluar për kërkimin arkeologjik. Në bashkëbisedimet që kemi pasur, kërkimi arkeologjik ka qenë ndjeshmëria jonë më e madhe në një situatë të re, të një drafti të paraqitur për zhvillimin dhe menaxhimin e parkut.
Çfarë kishte aty? Ne kemi konstatuar që në draftin e paraqitur nuk është shumë i qartë kërkimi shkencor. Nuk është i qartë kërkimi shkencor dhe roli i Institutit të Arkeologjisë në kërkimin shkencor të organizimit e menaxhimit të ri të parkut. Ky shqetësim është paraqitur në mbledhjen që kemi bërë ne në Këshillin Shkencor së bashku me hartuesit e draftit. Një pikë tjetër. Në përmbajtjen e draftit, formuluesit kanë përdorur një term: arkeologjia e peizazhit. Në fakt arkeologjia e peizazhit nuk e specifikon drejtpërdrejt edhe arkeologjinë e kërkimit shkencor. Kështu që ne kemi propozuar që të hiqet termi ‘arkeologji e peizazhit’ dhe të përdoret vetëm termi ‘arkeologji’, sepse termi ‘arkeologji’ e përfshin edhe arkeologjinë e peizazhit, edhe kërkimin shkencor, edhe kërkimet e riskut, e me radhë. Një pikë tjetër me shumë rëndësi që ne kemi diskutuar është vendosja e arkeologjisë dhe Institutit të Arkeologjisë, në monumentet kur drejtuesit mendojnë të bëjnë restaurime e konservime të monumenteve të ndryshme të parkut të Butrintit. Sepse ato së pari, duhet t’i nënshtrohen kërkimit arkeologjik për të kuptuar ku i kanë shtresat, nënshtresat dhe aspektet kulturore e datuese, për të kuptuar si do të konservohet një monument. Kjo ishte lënë e paqartë në draft. Tjetra është që, sipas draftit, mendohet të krijohet një grup kërkimor shkencor për Butrintin, i cili do të jetë në përbërje të stafit të ri, por ky grup kërkimor nuk del se si do të jetë i formuluar, kush do jetë pjesë e tij. Meqë te Butrinti peshën e luanit e ka arkeologjia, të kuptohet cili do jetë roli i këtij grupi dhe marrëveshja e tij me kërkimin shkencor, me Institutin e Arkeologjisë.
– Për të kuptuar edhe sa rol do të ketë vetë Instituti i Arkeologjisë në Butrint, pas vënies në jetë të planit të menaxhimit?
Po, edhe për të kuptuar çfarë roli do ketë instituti në këtë hapësirë të madhe që krijohet pas miratimit të draftit. Një çështje tjetër e rëndësishme për ne janë asetet. Ne kemi shumë asete në Butrint. Asete të cilat janë në pronësi të Institutit të Arkeologjisë, me vendim të Këshillit të Ministrave.
– Që do të thotë?
Që do të thotë se ne kemi laborator, kemi salla të përpunimit të qeramikës, depo të magazinimit të qeramikës dhe gjetjeve arkeologjike, kemi salla me funksion studimi. Pra, kemi ambiente të tëra që janë shfrytëzuar për vite e vite me radhë nga Instituti i Arkeologjisë, por edhe nga bashkëpunimet e ndryshme. Aktualisht ne në Butrint kemi dy bashkëpunime, një me Universitetin e Bolonjës dhe një me Universitetin e ‘Notre Dame’ të Amerikës. Pra, janë disa bashkëpunime atje. E natyrisht, gjithë këto astete përdoren me këtë qëllim dhe atje janë depozituar. Në rastin konkret, këto llogariten si pjesë e parkut të Butrintit, pra i hiqen nga pronësia Institutit të Arkeologjisë. Por kjo, mendojmë ne ka një konflikt me ligjin e ri të Arsimit dhe të Shkencës, që krijon pavarësi. Ne jemi institucion kërkimor shkencor që e kemi asetet tona e laboratorët për të ndjekur punën tonë dhe nuk mundet që tashmë këto asete që kemi t’i bashkëngjiten një institucioni tjetër, duke lënë zbrazur laboratorët ose pjesët e tjera. Gjithë këto diskutime i kemi bërë me grupet e punës dhe shpresoj që të reflektohen edhe në draft.
– Meqë pesha e luanit në Butrint është arkeologjia, njëherësh edhe arsyeja pse Butrinti është në UNESCO, jo liqeni, jo natyra, por arkeologjia – sa takime keni pasur me hartuesit e draftit të menaxhimit të Butrintit? Dhe a keni ndjerë që fjala e Institutit të Arkeologjisë dhe specialistëve po dëgjohet?
Nuk e di me numër, por janë bërë 2-3 takime. Mbase edhe më shumë. Por, takimi më i rëndësishëm i yni ka qenë kur grupi i punës që po punonte për draftin u ftua në mbledhjen e Këshillit Shkencor të Institutit të Arkeologjisë, ku u debatua përreth gjithë çështjeve që kishte drafti, në aspektin e kërkimit shkencor të arkeologjisë. Për hir të së vërtetës ranë dakord dhe pranuan të gjitha vërejtjet tona. Thanë që do të jenë pjesë e një diskutimi, meqë drafti tani po përgatit linjat e përgjithshme të planit të menaxhimit të parkut dhe në momentin e dytë do të krijohet mundësia për të vënë në vend mendimet e ndryshme që do të vijnë, qofshin edhe këto të arkeologjisë për realizimin e draftit. Kemi marrë prej tyre një miratim për propozimet tona. Natyrisht, në lidhje me asetet që është problem i rëndësishëm që ka të bëjë me pronësinë, kjo do të bëhet vetëm me Vendim të Këshillit të Ministrave, kjo nuk mund të jetë dëshirë, as e një drafti as e një institucioni, që janë pjesë e Institutit të Arkeologjisë që kur është krijuar IA prej 70 vitesh.
– Që do të thotë se mund t’ju hiqet pronësia? Do të pranoni ju që t’ju hiqet pronësia dhe kjo pasuri?
Ne nuk mund të jemi dakord që të na hiqet pasuria. Nuk është pasuri personale, ajo është një pasuri që i takon Butrintit në radhë të parë. Atje ka depozitime që lidhen me gjetjet arkeologjike të Butrintit, laboratorë e është një investim i Institutit të Arkeologjisë. Atje çdo gjë që është bërë, është mirëmbajtur e është bërë traditë. Të gjithë studentët e arkeologjisë, shqiptarë a të huaj dinë pothuajse të gjithë sistemin e organizimit të zyrave e ambienteve të Butrintit. Domethënë, mendoj që nuk do të jetë e mirëpritur nga Institutit të Arkeologjisë dhe punonjësit e Arkeologjisë.
– Ju thatë se u diskutua në Këshillin Shkencor të Institutit të Arkeologjisë. Sa anëtarë ka ky këshill dhe cilët janë anëtarët?
Janë shtatë anëtarë, që janë profesorë e shefa departamenti dhe nga shkolla doktorale.
– Ju folët për shqetësimet që ka ngritur Instituti i Arkeologjisë. Në këtë plan menaxhimi, sa vend zë pjesa arkeologjike në krahasim me atë që është parku në tërësi?
Me atë që kemi vënë re ne, pjesë arkeologjike nuk është se ndryshon, në kuptimin e territorit. Unë mendoj që është pjesa tjetër që i shtohet menaxhimit të parkut, që është pjesa jashtë mureve rrethuese e gadishullit të Butrintit; janë pjesa e diaporitit, e kalivosë, pjesa e fushës së Vrinës deri tek lumi i Pavllos duke integruar një zhvillim natyror, ose turistik, edhe ekonomik të zonës. Ndërsa bërthama a zemra kryesore, që është pjesa arkeologjike është e pandryshueshme, sepse ka marrë të gjitha të drejtat e veta për sa i takon territorit, përmbajtjes e të tjerë. Këtu është problemi marrëdhënieve që mund të krijohen mes atyre që do menaxhojnë parkun dhe institucioneve shkencore, që do të jenë pjesë e kërkimeve ose do të jenë pjesë e kontributeve të ndryshme./Gazeta Shqiptare