Bota që na pret: Feudalizmi kibernetik

Nga: Michele Di Lollo “Opinione.it”

Është pak a shumë si në filmin e famshëm “Matrix”. Makineritë kanë marrë kontrollin e gjithçkaje, dhe një elitë teknologjike po e dominon botën. Është në fakt post-bota. Ajo më jorealja, metafizikja dhe virtualja që mund të kishim imagjinuar.

Intuita e një të ardhmeje dystopiane, që do t’i bënte të gjithë më pak të lirë, dhe me më pak para në portofol. Nëse do të donim ta kthenim lexuesin tonë me këmbë në tokë, mund ta vendosnim përkohësisht këtë rrjedhë të re të historisë në kohën pak para se të shpërthente Revolucioni Francez në korrikun e vitit 1789 në Paris.

Mësymja e një turme mbi Bastijë, është vetëm hapi i parë drejt humnerës për miliona francezë. Jakobinët kundrejt Jakobinëve, luftë kundër atij që është më i pastër dhe një vend në flakë që do të rishkruajë faqet e filozofisë moderne.

Por në këtë rast, në rastin tonë, gjithçka është më pak e prekshme. Është më e sofistikuar.Më pak gjak do të rrjedhë nëpër sheshe, dhe më pak koka do të priten. Nga ana tjetër, një “ushtri luanësh”që kanë si armë kryesore tastierën e kompjuterit, është gati çdo ditë për të çliruar urrejtjen e saj kundër klasës sunduese.

Ka shumë njerëz që vënë bast mbi ekzistencën e një fuqie jo shumë të fshehtë, që po e shkatërron demokracinë tonë nga brenda. Dhe sociologu amerikan Xhoel Kotkin e kuptoi këtë. Ai shkruan mbi këtë gjë në esenë e tij të fundit “Ardhja e neo-feudalizmit”.

Për Kotkin, demokracia dhe tregu gjenden nën rrethim. Edhe shtresa e mesme e dobët nuk po bën shumë mirë. I gjithë faji është i Big Tech (kompanitë e mëdha të teknologjisë), por jo vetëm.

Me një intuitë të kthjellët, Totkin rishikon kthesat dhe lëvizjet e shoqërisë sonë. Dhe ai shpjegon shumë qartë sesi rënia e klasës së mesme, është prova e lakmusit të një evolucioni që e ka arritur kulmin e tij, dhe për një kërcënim që fshihet pas qosheve.

Pas një epoke të mrekullueshme të shpërndarjes së madhe të pasurisë dhe mundësive, ne mund ta përcaktojmë këtë periudhë historike si epoka e artë e sistemit të përparuar. Ne po kthehemi në mënyrë të pashmangshme në një epokë feudale, të karakterizuar nga një përqendrim më i madh i pasurisë dhe pronës, lëvizshmërisë së ulët sociale, stanjacionit dhe dogmatizmit në rritje.

Nëse gjatë 70 viteve të kaluara, pati një zgjerim të madh të shtresës së mesme, jo vetëm në Amerikë por në pjesën më të madhe të botës së zhvilluar, sot kjo shtresë është në rënie, teksa po shfaqet një shoqëri e re, hierarkike dhe e mbyllur brenda salloneve të saj.

Mediat kryesore, intelektualët, akademikët intelektualisht të pandershëm dhe perversë të korrektësisë politike, po e rrezikojnë shumë atë “anomali të bukur” që është qytetërimi perëndimor. Totkin shprehet:“Struktura e re shoqërore që po shfaqet të kujton atë të Mesjetës.

Në krye të rendit të ri janë dy klasa:një elitë klerikale e rilindur që dominon nivelet e larta profesionale, universitetet, mediat dhe kulturën, dhe një aristokraci e re e udhëhequr nga oligarkë teknologjikë me një pasuri të paparë dhe me një kontroll në rritje të informacionit. Këto 2 shtresa korrespondojnë me 2 klasat e shoqërisë franceze në kohën e revolucionit”. Pra e gjitha kjo ndodhi pak para shpikjes së gijotinës si një mjet politik.

“Nën këto dy shtresa – vazhdon sociologu amerikan – është ajo që dikur quhej Shteti i Tretë. Ai përbëhet kryesisht nga pronarë të bizneseve të vogla, pronarë të vegjël, punëtorë të aftë dhe profesionistë të orientuar drejt sektorit privat”.

Pasi ka qenë në ngritje në pjesën më të madhe të historisë moderne, kjo shtresë është tani në rënie, ndërsa ata që janë poshtë tyre, shërbëtorët e rinj, ose skllevërit, po shtohen në numër:pra një popullatë e madhe dhe në rritje. Pa asnjë liri për të zgjedhur, dhe pa ndonjë perspektivë për të ardhmen.

Pra,teknologjia është një nga përbërësit e kësaj bote që rrezikon ta ngrejë veten si një diktator i madh. Për këtë mjafton të mendosh për botën dixhitale, tek ky univers virtual që po zëvendëson marrëdhëniet e bazuara tek konkurrenca, me marrëdhëniet e bazuara tek varësia, duke e çrregulluar kësisoj mekanikën e përgjithshme të sistemit ekonomik.

Pra ne ndodhemi në pragun e një epoke të re. Epokës së tekniko-feudalizmit. Të drejtat e pronës intelektuale dhe centralizimi i të dhënave, presupozojnë kontroll shumë më të rreptë mbi territoret dhe individët. Tregu është pa oksigjen, ashtu si edhe një nga elementet e tij themeltarë:konkurrenca.

Kjo është pak e shumë ajo që ndodhi me kompaninë e lavdishme të Indisë Lindore, që ishte shumë e madhe dhe absolutiste për të pranuar konkurrentë. Por nga vjen kjo fazë e re? Gjithçka ka nisur në Kaliforni. Në vitet e arta, Silicon Valley ishte “toka e premtuar”e biznesit kur bëhej fjalë për teknologjinë.

Aty ekspertët më të mirë punuan në pushtimin e hapësirës dhe zhvillimin e kompjuterëve personalë. Pastaj, gati papritur gjatë viteve 2004-2010 gjithçka që ishte Silicon Valley u zhduk. Dhe për herë të parë nisën të prodhohen produkte globale që funksionojnë në internet, pa u varur nga kërkesat e klientëve.

Një revolucion i vërtetë kulturor. Më pas u shtrua pyetja:çfarë do të ndodhë më tej? Ndërkohë, PayPal ishte krijuar prej disa kohësh, si një ide e Elon Musk dhe të tjerëve. Ata u fokusuan tek përdoruesit e internetit. Këto subjekte mund të konsiderohen pararendëse të rrjeteve sociale. Kështu lindi interneti i njerëzve.

Dhe në vitin 2000, kompani të tilla u shumëfishuan. Kompanitë e mëdha si Facebook apo Google gëzojnë kompetenca të shumta që rrjedhin nga monopoli në të cilin veprojnë. Ata e kufizojnë konkurrencën, dhe kësisoj edhe fuqinë e tregut.

Me pak fjalë, demokracia është në rrezik, për shkak të kompetencave të mëdha që gëzojnë këto kompani të mëdha.  Është një sfidë që të kujton betejat e mëdha të së kaluarës. Qëllimi i kontrollit është grumbullimi i të dhënave, të konsideruara nga shumë njerëz si “ari i zi”i ekonomisë dixhitale.

Korporatat e teknologjisë së informacionit, nuk janë të interesuara të nxisin prodhimin, por të nxisin grabitjen, duke filluar me të dhënat. Kjo gjë në kurriz të shteteve që po tregojnë shenja të konsiderueshme dobësie, dhe paaftësie për t’iu kundërvënë ambicies së tyre.

Burimi i lajmit: http://opinione.it/cultura/2021/03/12/michele-di-lollo_elite-tecnologica-saggio-joel-kotkin-the-coming-of-neo-feudalism-big-tech

Përshtatur nga TIRANA TODAY