Irena Beqiraj, ish-zëvendës Ministre e Financave dhe njëherësh ish-Drejtoreshë e Doganave në qeverinë Rama, ka trajtuar me mjaft delikatesë rastin e deputetit “famoz” Alqi Bllako. Fama e tij u ngjit në majat më të larta në një kohë shumë të shkurtër, për shkak të aferës miliona euroshe me incineratorët. Dukej sikur PS-ja, partia e Bllakos e la në “baltë”. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, tha se përgjegjësia është individuale për çdo deputet që përfshihet në skema korruptive. Po kështu edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla u shpreh shkurt dhe qartë se PS-ja nuk do të jetë avokatja e askujt që përballet me drejtësinë edhe pse është nga radhët e saj.
Këto reagime dhe të tjera janë analizuar në një tjetër optikë nga Irena Beqiraj, e cila sjell rastin e një djali 33-vjeçar që ka bërë karrierë, por pa eksperiencë. Fenomeni i diplomave duket se na ka rrënuar ndër vite, e pasojat po i vujmë tashmë mbi kurrizin tonë.
E shqetësuar për këtë fenomen, aspak të ri në shoqërinë shqiptare, ish zyrtarja e lartë thotë mes rreshtave se kultura pa edukatën sidomos atë të punës, ja humbet vlerat njeriut. Duke vendosur pikat mbi “i”, ajo e mbyll me mesazhin që njeriu, edukatën e punës duhet ta ketë brilante.
Me një gjuhë të thjeshtë të përcjelljes së mesazhit, Irena Beqiraj citon se personat të cilët ngjisin shkallët e karrierës pa i “përveshur mëngët”, për fat të keq janë projeksione të shoqësë që kemi ndërtuar, dhe se në të vërtetë i mungojnë shembujt realë, ku gjithçka nis nga zero!
Shkrimi i plotë nga Irena Beqiraj
BLLAKOT ” E sotëm edhe Harry Fultz
Nje djalë 33 vjec, i quajtur Alqi Bllako, si jo pak të tjerë, që bëri karrierë në cdo stendë partie e parie, sot pritet të arrestohet. Shkeljet që ka bërë, sipas elitës drejtuese, apo parisë së fundit që frekuentoi, janë përgjegjësi individuale. Madje dëgjova që “deputetët janë të popullit ” pra është faji i popullit që i ka votuar, packa se në lista, si corbë e prishur, deputetët ofrohen nga kryetarët e Partisë .
Për Bllakon personalisht nuk kam asnjë ndjesi. Por për fenomenin Bllako në shoqëri padyshim shqetësohem. Ai nuk është as i pari as i fundit ndër të rinjtë tanë. Pa punë , pa eksperiencë , edhe pse me diploma të mira në xhep, shumë prej tyre shëtisin stendë më stendë partie , si puntorët e seksit trotuar më trotuar, edhe në fund të përdorur e të lëshuar, mbeten të vetmuar.
Ajo që po dështojmë t’ju mësojmë të rinjëve tanë eshtë ajo që Harry Fultz I mësoi Stavro Bojaxhut një mbasdite pas praktikës bujqësore në tokat pranë Laprakës. Stavro edhe Fultz-i, u nisën për në shkollë (sot shkolla pedagogjike). Tek bisedonin për në një moment Stavro e pyet- I cilës fe jeni zotni?
Ai ra supeve dhe ju përgjegj- Feja ime biri im është të mos shkel thundrat e tjetrit dhe të më vijë turp që të kem një polic që të më ruaj nga prapa.
Pas pak arritën tek “Kursali” ku mjaft nga paria e qytetit ishin ulur në tavolinat e nxjerra jashtë. Stavro e pyet sërisht – Zotni! Nuk u kam parë e as kam dëgjuar të uleni edhe ju me këta të parët tanë të qytetit! A s’keni ndonjë shok a mik prej tyre?
Ai buzëqeshi, edhe I kthehet Stavros së ri:
-Shok e mik unë kam atë që ecën dorë për dore me mua.
Fultz-i me dy doktoratura nga Universiteti I Chikagos u mësoi, studentëve të tij “ se kultura pa edukatën sidomos atë të punës ja humbet vlerat njeriut.” Dhe veçanërisht edukatën e punës njeriu duhet ta ketë brilante”
Historia e ngjitjes së Bllakos, pa eksperiencë e pa punë apo narrativat e sotme të parisë që ai frekuentoi edhe shërbeu me ngulm e devotshmëri për të ngjitur shkallët e karrierës, nuk jane thjesht cështje personale të tij apo të tyre , por projeksione ekselente të shoqërisë që kemi ndërtuar, te cilës I kanë munguar modelet si Harry Fultz.