Vijon të rritet numri i viktimave, për shkak të përmbytjeve në Iran. Qytetet dhe fshatrat kërcënohen nga reshjet e shiut që parashikohet të bien edhe në pjesën jugperëndimore të vendit. Sipas televizionit shtetëror iranian, numri i viktimave ka shkuar në 70 persona.
Autoritetet vendosën hapjen e digave, dhe për këtë arsye, qyteti Susanager, me një popullsi prej 50 mijë banorësh por edhe disa komunitete të tjera në provincës Hussein, janë shpërngulur në zona më të sigurta për banorët.
“Na është thënë të evakuojmë gratë dhe fëmijët, ndërsa të rinjve po u kërkojmë të qëndrojnë për të na ndihmuar në aksionet e shpëtimit”, tha ndër të tjera Goralreza Sariadi, guvernator i krahinës.
Televizioni shtetëror lajmëron se një krahinë afër Lorestanit rrezikohet nga rrëshqitja e dherave, por për fat të mirë, për një pjesë të madhe të banorëve është bërë i mundur evakuimi.
Reshjet e rrëmbyera të shiut filluan nga 19 marsi, duke prekur 1900 qytete dhe fshatra. Shërbimet e ndihmës po hasin vështirësi të mëdha në përballimin e situatës, gjithashtu raportohet se 86.000 njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre, dhe janë transferuar në qendrat e strehimit.
Qeveria iraniane për shkak të dëmeve të konsiderueshme, lajmëroi se do ti kompensojë qytetarët, veçanërisht fermerët, të cilët janë më të dëmtuarit nga kjo katastrofë.