Nga: Leonidha Mërtiri
Në seancën e pardjeshme të kësaj legjislature të Kuvendit të Serbisë, problematika e vetme që u diskutua ishte raporti i qeverisë për negociatat e zhvilluara me Kosovën gjatë periudhës njëvjeçare. Kjo u kërkua më këmbëngulje nga forcat opozitare në Parlament, lëvizja e djathtë Dvera, Partia Popullore, me kryetar ish-kreun e njohur të diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç, koalicioni “Shpresa”.
Propozimi i tyre unik me emërues: për të pasur në gjithçka dhe mbështetjen e Rusisë dhe të Kinës, aleatët e Serbisë, që nuk e kanë njohur shtetin e pavarur të Kosovës. Retorika nacionaliste serbe vazhdon t’i shtrijë tentakulat dhe më tej. Rusia, për hesap të vet, në forma të ndryshme, e ushqen atë vazhdimisht. Ajo i druhet një angazhimi serioz të BE-së dhe SHBA-së për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk është në interes të vet kjo, por fryrja e konfliktit për ta lënë atë hapur për një Ballkan të shqetësuar, ku influenca e saj të jetë e ndjeshme.
Duket se kjo për Presidentin Aleksandar Vuçiç bëhet më e pranishme përballë qëndrimeve të Bashkimit Europian, pavarësisht lëkundshmërisë apo betimit të tij të pardjeshëm, disi të sforcuar, për të ruajtur një farë balance sa në njërën a tjetrën anë. Sikurse vërehet, ky sforcim mëkohet dhe nga fakti, që pohimit të tij në këtë seancë të Kuvendit serb, se Serbia nuk do ta njohë Kosovën, i bashkëlidhet ajo e “politikës reale që nuk mbështetet në mite”. Sepse, siç nënvizon Presidenti serb, “dëshirat e popullit janë maksimaliste dhe mundësitë janë të pakta”.
Nga këto krijohet përshtypja se arritja e marrëveshjes së pritur për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë mund të mos jetë kaq e largët sa është dukur deri tani. Dhe kjo – dihet: kërkon kompromiset e nevojshme. Cilat do të jenë ato? Deri ku do të shkohet me to? Pikëpyetjet rriten me të drejtë.
Nga ana tjetër, si për të mbajtur njëfarë ekuilibri, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, përmes fjalës së tij i vesh betimit cohën e njohur, mbështetur në furka të tilla, sesa të ketë ndikim, Serbia nuk do ta njohë as drejtpërdrejt, as tërthorazi pavarësinë e njëanshme të Kosovës. Politikën e Serbisë ndaj Republikës së pavarur të Kosovës, kreu i Presidencës serbe e argumenton me “konstruktivitetin” e saj me pretendimin territorial për të. Fraza të njohura këto, që u ngrenë nervat dhe atyre që dëshirojnë t’i dëgjojnë përballë një realiteti tjetër. Pavarësia e Kosovës është tepër e dukshme dhe nuk ka nevojë për tjerrje fjalësh e frazash. 116 shtete e kanë njohur atë. Ajo është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë qysh në korrik të vitit 2010, e cila i ka dhënë përgjigje me kohë Serbisë, duke qenë “plotësisht në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Për ta plotësuar më tej këtë kuadër, Vuçiç, edhe pse flet për dialog, ndërkohë, për t’u bërë edhe më i besueshëm, betohet se nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. Serbët, që jetojnë në veri të Kosovës, ai i inkurajon të mos tërhiqen nga këto pretendime, përderisa pohon të bindë të vetët, po se po, por edhe ndërkombëtarët, se ky komunitet “është i ngopur nga terrori në Prishtinë”.
Duke iu kthyer betimit të Vuçiçit, mendojmë se vendosmëria më e madhe e BE-së, mbështetur fort nga SHBA-të, po i hap udhë një dialogu më efikas mes Kosovës dhe Serbisë, Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe. Kancelari gjerman, Olaf Scholz, dhe ai francez, Emmanuel Macron, kanë ingranuar këshilltarët e tyre për politikën e jashtme dhe sigurinë në mbështetje të këtij dialogu, duke e vlerësuar atë si shumë të rëndësishëm, jo vetëm për Prishtinën dhe Beogradin, por dhe tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në letrat e dy presidentëve, dorëzuar me këtë rast Kurtit dhe Vuçiç, u bëhet thirrje këtyre për gatishmëri dhe zgjidhje maksimale, për të ndërmarrë vendime jo të lehta.
Betimi “i sforcuar” i Presidentit Vuçiç, pa e ndarë dhe nga retorika nacionaliste, imponohet jo pak nga integrimi i Serbisë në Bashkimin Europian me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës dhe pse, sipas disa sondazheve, mbështetja e serbëve për anëtarësim gjatë dekadës së fundit ka qenë e ulët, krahasuar me vendet e rajonit tonë, midis 41 dhe 55 për qind. Një qëndrim i prerë ndaj palëve, pa luhatje i BE-së, sikurse krijohet përshtypja se po duket, favorizon një situatë më premtuese për rajonin e Ballkanit Perëndimor.