Drejtuesi politik i qarkut të Shkodrës për PS-në, Ilir Beqaj është i bindur se mazhoranca do të qëndrojë edhe këto zgjedhje te shifra e 74 mandateve.
Në një intervistë për ”Ora News”, Beqaj u shpreh se qeveria ka bërë një punë shumë të mirë në raport me pandeminë dhe rindërtimin, dhe theksoi se PS nuk ka nevojë për asnjë aleancë me parti të tjera.
Beqaj shtoi se në këto zgjedhje në kushte pandemie, ajo që ka munguar është vizioni i opozitës për të qeverisur vendin.
Ilir Beqaj: ”Ata që janë në opozitë janë të interesuar që të shkaktojnë konflikte, ne si mazhorancë nuk kemi interes. Nga ajo që ndodh në territor dhe nga zgjedhjet e fundit unë mendoj se do të qëndrojmë te 74 mandate. Sigurisht që pushteti konsumon, sidomos dy ngjarjet e fundit që kanë qenë me një impakt shumë të fortë. Por këto zgjedhje nuk po votohet një parti, por mes dy alternativave për vazhdimin e reformave dhe në përmirësimin e shërbimeve publike. Është shumë e rëndësishme që të evidentohet ajo që ne kemi bërë për të mbështetur ekonominë rurale. Kjo gjë ka ndodhur edhe në kohë pandemie ku ka pasur rritje, falë veprimeve të qeverisë.
Këto zgjedhje janë të ndikuara nga situata e pandemisë edhe në raport me gjendjen sociale të shoqërisë. Vaksinimi është një ndër arritjet më të rëndësishme të qeverisë. Ajo që ka munguar për mua është vizioni i opozitës për të qeverisur vendin. Ai premton shumë gjëra që tashmë qeveria jonë i ka bërë këto gjëra.”