Nga Jean Pisan-Ferry* “Project Syndicate”/ Paris – “Italia”, tha me përbuzje Meterniku 2 shekuj më parë, teksa gadishulli ishte ndarë në një numër të madh feudesh, “është vetëm një shprehje gjeografike”. Disa njerëz në Pekin, Moskë, Nju Delhi dhe madje edhe në Uashington, e konsiderojnë sot po kështu Europën.
Ata pranojnë se Bashkimi Evropian ka rëndësi për marrëveshjet tregtare dhe çështjet e monedhës, por e cilësojnë atë si tejet të parrezikshëm, apo si një lojtar jo real në lojën globale aktuale të pushtetit, dhe shumë të përçarë për t’u përballur me sfidat e sigurisë dhe emigrimit.
Të provuarit se ata e kanë gabim, është detyra me të cilën duhet të merret tani Europa.
Debatet ekzistuese, janë pa dyshim po aq të vjetra sa vetë BE-ja – dhe aq të përhapura, sa duket të jenë pjesë e identitetit të saj. Por ato janë kaq shumë të huaja për shumicën dërrmuese të qytetarëve, sa janë të njohura për rrethin e vogël të politikanëve që janë fiksuar pas tyre.
Prandaj ndonjërit prej tyre, mund t’i falet shpërfillja e krizës më të fundit identitetare të Europës. Ky do të qe një gabim serioz. Për të mbijetuar në një botë tjetër, shumë më të egër, BE-ja duhet të ripërcaktojë qëllimin e saj. Ajo u projektua kryesisht për të udhëhequr integrimin e brendshëm; tani ajo duhet të përballet me kërcënimet e jashtme.
Ajo që ishte nje kampione e rregullave; është tashmë e papërgatitur për lojën e re, transaksionale të gjeopolitikës. SHBA-ja u kujdes për shumë kohë për sigurinë e saj; sot presidenti Donald Trump e konsideron këtë përgjegjësi si një barrë të tepruar. Flukset e refugjatëve ishin një rrjedhje e papërfillshme. Dhe megjithëse janë rikthyer në nivele të ulëta, rritja masive e tyre në vitin 2015, mjaftoi për të ekspozuar karakterin jofunksional të regjimit europian të azilit.
Dhe e gjitha kjo vjen në një kohë, kur BE-ja është tashmë tejet e përçarë. Shenja e ndarjës së pas vitit 2008, ndërmjet kreditorëve të eurozonës dhe debitorëve, janë ende të dukshme dhe një luftë e re ka përfshirë avokatët e shoqërisë së hapur, kundër përkrahësve të politikës së identitetit kombëtar.
Çështjet e jashtme u shtohen ndarjeve ekzistuese, pasi qëndrimet lidhur me emigracionin, perceptimet e kërcënimeve të huaja, dhe gatishmërinë për të përdorur fuqinë ushtarake, ndryshojnë shumë. Europa rrezikon të hyjë në një një ngërç të zgjatur.
Bashkimi Europian, ka përdorur tradicionalisht dy teknika për të përballuar ndarjet e veta. E para ishte të blinte kohë, duke pretenduar se të gjitha vendet anëtare, megjithëse jo po aq të gatshme për të vepruar, kishin të njëjtin qëllim fundor të “bashkimit gjithnjë e më të ngushtë”. Kjo qasje, ka arritur me shumë shpejtësi kufijtë e saj.
Teknika e dytë, ka qenë transferimi i kompetencave në nivelin e BE-së, dhe zgjidhja e dallimeve përmes votimit të shumicës. Kështu u ndërtua tregu i vetëm, dhe u menaxhua me sukses tregtia, pavarësisht qëndrimeve dhe interesave të ndryshme. Por një proces i tillë, funksionon vetëm për sa kohë që vendet anëtare pajtohen dhe respektojnë sundimin e shumicës.
Kundërshtimi i qëndrimeve mbi sigurinë, mbrojtjen, ose sërish mbi azilin, nuk mund të zgjidhet në këtë mënyrë. Në fakt është tentuar kjo mënyrë – për refugjatët – dhe u dështua:nuk u arrit në një vendim të përbashkët se si t’i ndaheshin azilkërkuesit mes shteteve anëtare.
Zgjerimi i ardhshëm i BE-së në Ballkanin Perëndimor, e ndërlikon më tej problemin. Këto vende, kanë bërë përpjekje të mëdha për t’u bashkuar me Europën, dhe meritojnë të shpërblehen. Por ato do ta bënin BE-në edhe më heterogjene, dhe kjo ka gjasa të thellojë më tej ndarjet e saj.
Për këtë arsye, në një artikull të kohëve të fundit, kolegët e mi nga think-tanku ‘Bruegel’ dhe unë, mbështesim një rishikim të arkitekturës së Europës.
Ne propozojmë një strukturë të re, të përbërë nga një bazë e përbashkët, dhe disa ‘klube’ fakultative, të përkushtuara ndaj fushave kryesore të politikave. Baza në thelb do të përbëhej nga tregu i përbshkët, bashkimi doganor dhe rregulla dhe institucionet thelbësore për të siguruar mbrojtjen e konsumatorit, ruajtjen e konkurrencës dhe menaxhimin e kërkimit shkencor, energjisë dhe klimës, infrastrukturës dhe politikave rajonale.
Shtyllat institucionale – Komisioni, Këshilli, Parlamenti dhe Gjykata e Drejtësisë – do të ishin gjithshtu pjesë e bazës, sikurse parimet themelore të BE-së:të drejtat e njeriut, liria, demokracia, barazia dhe sundimi i ligjit. Do të ishte një lloj skeleti i BE-së, në përputhje me projektin origjinal, por i zhveshur nga politikat e përbashkëta.
Klubet do të ndërtohen rreth fushave kyçe të politikave. Për shkak se anëtarët e tyre do të kishin të njëjtat qëllime, ata do të ishin më efektive brenda dhe jashtë tyre. Një klub do të kombinonte euron, koordinimin fiskal, mbikëqyrjen bankare, dhe zgjidhjen e krizave financiare.
Një tjetër do të kombinonte politikën e azilit, mbrojtjen kufitare dhe bashkëpunimin mbi çështjet policore dhe gjyqësore. Kjo zonë mund t’i mbajë kufijtë e brendshëm pa ndonjë kontroll, gjë që është gjithnjë e më e vështirë ndërmjet vendeve me politika shumë të ndryshme të azilit.
Një klub i tretë do t’i përkushtohej mbrojtjes dhe sigurisë së jashtme. Përfshirja në të, do të kërkonte burime kontribuese dhe pjesëmarrje në operacionet ushtarake. Një klub i katërt, mund të parashikohet për fusha të përbashkëta të politikave që janë ende në fillimet e tyre, siç është arsimimi.
Një qasje e tillë, nuk do të parandalonte në vetvete shpërbërjen e BE-së, apo të nxiste zgjerimin me vende më pak të zhvilluara. Por fleksibiliteti, do të ndihmonte në ndërtimin e një partneriteti me fqinjët e gatshëm për të hyrë në union.
Shënim: Jean Pisani-Ferry, është profesor në Shkollën e Qeverisjes Hertie në Berlin.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce