Teksa ka prezantuar sot platformën e PD për ndryshimin e ligjit antimafia, Basha ka vënë në dukje ndër të tjera lidhjen mes politikës me krimin e organizuar dhe nevojën e Vettingut në politikë. Ai ka denoncuar me emra dy ndër politikanët, të cilët kanë lidhje të ngushta me bandat.
Kreu i PD-së ka denoncuar si politikanë të karrierës kreun e Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, të lidhur me bandat e krimit të organizuar, si ajo e Lushnjës dhe Bajrit në Shkodër. Po kështu ai u shpreh i vendosur për të çuar deri në fund Vettingun në politikë.
“Aleanca krim-qeveri ka shkatërruar demokracinë, sot ka rënë demokracia dhe shteti ligjor. Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund Vettingun në politikë, që të ndërpresë mandatet e politikanëve të lidhur me krimin.
Politikanët e karrierës bashkëpunojnë haptazi me bandat e krimit të organizuar, duke filluar nga Taulant Balla me bandat e Lushnjës dhe të Elbasanit, te Ditmir Bushati me Bajrët e Shkodrës, deri te koka e qeverisë, pa miratimin e të cilit asnjë prej këtyre bandave s’do ishte në pozitat që është sot të diktimit dhe kontrollit të territorit dhe ekonomisë”, përfundoi Basha.