Në ditën e 22-të të protestës, banorët e Astirit pritet të zhvendosen rreth orës 11:00 pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në kohën kur në gjykatë do të jepet masa e sigurisë për të ndaluarit e protestës, banorët do të kërkojnë lirimin e tyre.
Banorët, bashkërisht do të kërkojnë lirimin e banorëve të cilët janë shoqëruar në komisariat, pas protestës para Kuvendit ku përfundoi me një bilanc të rëndë. Nga protesta në fjalë u plagosën 15 efektivë, mes tyre edhe efektivja Ina Nuka, e cila humbi dy gishta. Po kështu u shoqëruan 25 persona, nga të cilët 6 u mbajtën në burg, dhe sot për ta prokuroria do të kërkojë masën “arrest me burg”.
Protestuesit për të cilët prokuroria do të kërkojë “arrest me burg” janë: Fluturim Goleci, Ruzhdi Daci, Marsel Velillari, Dorjan Protoduari, Amarildo Sinanaj dhe Shpati Bilbilaj. Ata akuzohen për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike” e kryer në bashkëpunim.