Nga Skënder Minxhozi
Ka ndërruar edhe një herë emër nisma e Shqipërisë, Serbisë e Maqedonisë së Veriut për të krijuar një hapësirë pa pengesa për katër liritë e njohura që ndodhen në themelet e të standartit të sotëm evriopian: njerëzit, mallrat, shërbimet dhe kapitalin. Rama, Vuçiç e Zaev kanë sfiduar vapën e Shkupit, në emër të një sfide tjetër, edhe më të madhe: asaj ndaj Bashkimit Evropian, i cili ndodhet në status të plotë amullie sa i përket afrimit të vendeve të Ballkanit në BE.
Njëherësh kjo treshe ka tërhequr pas vetes zukatjen e zakonshme të patriotizmave me çmim të lirë që gjallojnë në të gjitha vendet e rajonit dhe shprehin që të gjitha në gjuhë të ndryshme, të njëjtën tezë dhe mendim: po krijohet Jugosllavia e re, po humbin ca e po fitojnë ca të tjerë, po shitet sovraniteti për imazh e për foto familjare dhe po harrohen të vrarët, krizat dhe gjaku që qëndron në sfondin e marrëdhënieve të tre shteteve.
Të gjitha paragjykimet e mosbesimi e skepticizmi që kanë shoqëruar procesin e deritanishëm të hapjes mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë, ngrihen mbi logjikën e kuptueshme të faturës së rëndë të së shkuarës, që rëndon ende në subkoshiencën e popujve në fjalë. Por edhe mbi lojrat politike, rivalitetet e bërrylat që në Ballkan janë sporti më i dashur.
Është më pas edhe problemi i termave konkrete me të cilat do të realizohet Ballkani i Hapur. Ekonomia, tregjet, kapitalet janë të gjitha elemente që duhen shqyrtuar me kujdesin maksimal, për të kuptuar se cilat vende pësojnë, e cilat vende gëzojnë nga hapja e rrëzimi i barrierave.
Më tej akoma, një aspekt tjetër me peshë, kur flitet specifikisht për ne shqiptarët, është që të kuptohen sesi e impakton në perspektivë kjo nisëm, dialogun Kosovë-Serbi. A e dobëson pozitën e Kosovës një proces i tillë, apo e forcon atë duke e bërë zyrtarisht pjesë të tryezave rajonale, me flamurin zyrtar në tavolinë dhe si palë e barabartë me serbët, shqiptarët e maqedonët?!
Të gjitha këto janë dilema të kuptueshme për të dyja shtetet shqiptare. Dilema të cilat Tirana duket se i ka tejkaluar, ndërkohë që Prishtina vijon të ngurrojë. E vërtetë universale dhe e palëvizshme është që shtetet sovrane duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të zhvilluar marrëdhënie me fqinjët. Është kjo e drejtë që iu lejoi fjala vjen, Sali Berishës e Lulzim Bashës, një dekadë më parë, që të mos vendosin kusht ndaj qeverisë greke të kohës problemin e Çamërisë, por të ulen e të marrin vizoren në dorë, për të ndarë detin përballë Sarandës me Karamanlis e Bakojanis (me faull, siç vendosi Gjykata Kushtetuese më pas)!
Qeveritë shqiptare të 30 viteve të fundit kanë ngurruar në mënyrë të kuptueshme që të zhvillojnë raporte normale me Beogradin, pasi shteti serb gjeneroi në këto dekada konfliktin më të përgjakshëm që ka parë Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore. Kjo rrethanë mbetet e palëvizshme dhe duhet gjykuar nga historianët për pjesën që i takon, ose nga politikanët e drejtësia për pjesën e mbetur.
Megjithatë sot vende si Shqipëria e Maqedonia e Veriut kanë një start shumë më solid në negociatat dhe përballjen e tyre me një fuqi rajonale si Serbia. Janë që të dyja anëtare të NATO-s dhe ndodhen në fazë të avancuar të afrimit drejt Bashkimit Evropian. Shqiptarë dhe maqedonë nuk mund të bëjnë sikur më në veri nuk jetojnë serbë, e as këta të fundit nuk mund t’i fshijnë nga harta fqinjët jugorë.
Kjo vlen në termat më madhore edhe për Kosovën, i dyti shtet shqiptar në Ballkan, që sot garantohet nga fuqitë më të mëdha globale, SHBA dhe Evropa. Kushtëzimi i përsëritur, me zgjidhjen finale të marrëdhënieve me Kosovën, që Beogradi ka dëgjuar t’i thuhet në sy, sa herë që është përpjekur të vijojë integrimin euro-atlantik, përbën një rrethanë sigurie për qeverinë kosovare, në përballjen me Vuçiçin. Në anën tjetër, historia e këtij kontinenti shënon një pafundësi shembujsh kur vende armike e që janë vrarë e prerë historikisht mes tyre, kanë ditur të ulen në tryezë e të gjejnë forcat për të nisur një klimë normaliteti e hapjeje mes tyre. Një shembull i tillë i heshtur e indirekt që sot është në sytë e të gjithëve, por që të gjithë bëjnë sikur nuk e shohin, është bilanci tregëtar i Kosovës me Serbinë, i cili flet për gjithçka, përveçse për mbyllje e izolacionizëm ndërkufitar!
Përballja me atë që ndodhet jashtë derës tonë, është një akt i madh emancipimi për shoqëritë ballkanike. Edhe në rrafshin ekonomik, që sot përbën të panjohurën më të madhe që frikëson shumëkënd në Tiranë, Prishtinë apo Shkup. Kemi qëndruar historikisht brenda kullave tona ballkanike, pa nxjerrë hundën nga frëngjia për të parë seç bën komshiu përballë. Kjo është një fqinjësi anakronike, përtej çdo retorike romantike për hapjen e rrëzimin e kufinjve.
Do të vijë një ditë kur perimet e Myzeqesë, mollët e Korçës apo qershitë e Peshkopisë të konkurojnë me produktet bujqësore të Portugalisë, Italisë apo Francës. Kjo do të ndodhë kur te jemi anëtarë të BE. Që do të thotë nja dhjetë vjet në të ardhmen. Pse të mos e nisim duke konkuruar me fqinjët, nga momenti që izolimi ballkanik siç vijojmë ta kemi sot, i takon epokës komuniste dhe është thjesht një relikt që stonon klithshëm me botën e sotme?!
Nisma e Minishengenit, e Ballkanit të Hapur apo quajeni si të doni, e ofron shansin që fqinjë të ngërthyer deri dje në logjikën e Luftës së Ftohtë e më pas të krizës jugosllave, të nisin të shembin ngapak muret e paragjykimit. Bëhet fjalë për procese kaq afatgjata dhe graduale, sa të flasësh sot për shitblerje e trafikim interesash shtetërore e kombëtare, është një retorikë që më shumë të bën të qeshësh, sesa të frikësohesh apo tërhiqesh. Ka kaq shumë mure ky rajoni ynë, saqë s’ka qeveri e kryeministra që ja dalin t’i shembin të gjitha me një, dy apo dhjetë xhiro nga qendra e Shkupit, Tiranës apo Beogradit. Ballkani i hapur është një projektim paraprak i të nesërmes evropiane për të gjitha vendet e rajonit. Si i tillë ai është de facto i pashmangshëm. Kush trembet apo bën sikur trembet, është thjesht i pasinqertë.