Gjergj Meta/Kur pashë sot në mëngjes, në shtypin online, deklaratën e Arben Imamit thënë dje në emisionin “Opinion” të Gazetarit Blendi Fevziu, rreth grave që nuk kanë bërë asgjë, por kanë lindur nga dy tre fëmijë dhe janë futur në listat e kandidatëve, menjëherë mendova nënën time që ka lindur katër fëmijë dhe një i pestë që nuk arriti të jetonte më shumë se pak orë. Po e citoj deklaratën të plotë për korrektësi sikurse ishte në video: “Nuk mund të hiqet Jozefina Topalli nga listat. Ai hoqi Topallin nga listat dhe vuri në listë shtëpiake që s’kanë bërë asnjë punë se kanë pjellë nga 3-4 fëmijë”.
Mua nuk më interesojnë as listat e as partitë dhe as emrat e përveçëm, pasi për këtë unë e them fjalën time si qytetar ditën e zgjedhjeve, por si njeri dhe si katolik i kam dy fjalë me këtë deklaratë të papërgjegjshme, që, edhe nëse është emocionale, është fyese për aktin më të shenjtë në këtë botë, lindja e një fëmije dhe trajtën amnore të të qenit grua.
Duke ndjekur këtë logjikë të Zotit Imami del se gratë që duhet të shërbejnë në jetën sociale dhe në politikë duhet të jenë sterile, ose pa fëmijë, ose që përdorin kontraceptivët për të mos lindur fëmijë, sepse kështu e kërkon aktivizimi politik dhe karriera. Ose, gjithnjë si interpretim i kësaj logjike, duhet të jenë gra me sjellje mashkullore që të jenë të pranueshme për një realitet si ai shqiptar. Kjo është një logjikë antijetë dhe fyese për gratë-nëna dhe fëmijët, si dhe për jetën në thelbin e saj.
Grua shtëpiake nuk do të thotë grua dështake, sepse ato shtëpiaket janë gra që kanë marrë përsipër t’i shërbejnë jetës, familjes, bashkëshortit dhe fëmijëve. Nuk janë gra skllave, por nëna dhe bashkëshorte. Do të ishte nder për një parlament të kishte nëna dhe bashkëshorte që kanë devocion ndaj familjes dhe fëmijëve. Do të kuptonin më mirë se çfarë do të thotë të kalosh një ligj për shëndetin e grave dhe të vajzave, do të dinin më mirë se kushdo tjetër se çfarë do të thotë të bësh një ligj për tutelimin e fëmijëve dhe për arsimin e tyre. Po ashtu do të dinin shumë më shumë vlerën se çfarë do të thotë të bësh një ligj kundër dhunës së grave, sepse e dinë mirë se sa e frytshme është dashuria e një bashkëshorti dhe përkëdhelja e fëmijëve, pavarësisht nëse ato janë tre apo katër apo edhe më shumë. Prania e tyre në sallën e parlamentit do të t’i sillte asaj salle ëmbëlsinë dhe njerëzinë e munguar e të vrarë nga ajo ashpërsi mashkullore në këto 26 vjet parlament demokratik.
Kjo logjikë banale, që është në nënshtratin e deklaratës së zotit Imami, ka sjellë që sot të ketë vajza të cilat nga frika se humbin vendin e punës apo karrierën nuk martohen, apo kanë frikë të ngelin shtatzëna se sapo të shohin që i rritet barku shefi mund t’i heqë nga puna, ose nuk mund të aktrojnë më apo të këndojë, apo të jenë personazhe publike. Pasojat e kësaj logjike janë shkatërruese për një shoqëri. Përjashtimi, qoftë edhe verbal, i grave – nënave nga një logjikë pjesëmarrjeje aktive në jetën shoqërore dhe politike të vendit i heq kësaj pjesëmarrjeje dimensionin më human dhe më të frytshëm të saj. Kurrsesi nuk mund të jem dakord me një logjikë të tillë dhe mendoj se çdonjëri me një “bon sens” nuk do ta lejonte këtë deklaratë të kalonte pa u vënë re dhe pa e dënuar. Amësia nuk është një aksesor i pjesëmarrjes në jetën politike, një element më shumë për të mbushur CV-në, por element thelbësor në të qenit grua dhe njeri. Më shumë është e kundërta që pikërisht dimensioni politik duhet të jetë në shërbim të amësisë dhe të familjes.
As feministet më feministe dhe abortistët më të egër nuk do ta pranonin një logjikë të tillë përjashtuese.
Pse ka bërë bujë Licia Ronzulli, parlamentarja italiane, që mban fëmijën e saj në mbledhjet e parlamentit dhe ka krijuar reagime aq të ëmbla dhe lavdëruese, pikërisht sepse sjell një shembull që sot gjithnjë e më shumë refuzohet dhe po zbehet. Amësia në Parlament? Pse jo. Amësia do të thotë jetë e do të thotë familje. Politika nuk mund të bëhet pa familjen apo duke e anashkaluar atë. Sa më shumë njerëz me sensin familjar dhe të martesës të ketë parlamenti aq më i mirë do të jetë, aq më human dhe më i përgjegjshëm do të jetë. Amësia është jeta, jeta është dhurata më e bukur që Zoti na ka dhënë. (Pelegrinus.al)
P.S. Fjala “pjell” zoti Imami përdoret për bagëtinë dhe jo për njerëzit …