Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ka reaguar menjëherë në lidhje me mega-operacionin, ku u arrestuan vëllezërit Klement dhe Eldi Çala. Ai thotë se kapja dy protagonistëve kryesorë të grabitjes së vitit të kaluar në Rinas, shënon një sukses të madh në luftën kundër krimit të organizuar.
Sipas tij, kjo goditje nuk është gjë tjetër veçse një mesazh i rëndësishëm ndaj krimit. Lleshaj paralajmëron se është çështje kohe dhe se përballja me ligjin dhe drejtësinë është e pashmangshme.
Policia njoftoi arrestimin e vëllezërve Klement dhe Eldi Çala, të akuzuar për një sërë grabitjesh me armë dhe dhunë në zonën e Rinasit dhe në aeroport.
“Kapja e dy protagonistëve kryesorë të grabitjes së vitit të kaluar në Rinas shënon një sukses të madh në luftën kundër krimit të organizuar.
Laku ndaj bandës së rrezikshme të Rinasit është afruar sot drejt mbylljes së plotë.
Kjo goditje është edhe një mesazh i rëndësishëm ndaj krimit: është vetëm çështje kohe!
Përballja me ligjin dhe drejtësinë është e pashmangshme.
Përgëzime për gjithë ekipin e Policisë së Shtetit që mundësoi këtë sukses inkurajues në këto ditë të vështira.
Operacioni vazhdon….”.