Kreu i FSHF-së, Armando Duka, ka uruar ish-trajnerin e kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, për detyrën e re.
Duka thotë së shpreson që De Biasi të shijojë sa më shumë suksese me përfaqësuesen e re. De Biasi u emërua sot si trajneri i kombëtares së Azerbajxhanit. Ai do të mbërrijë në Baku bashkë me dy asistentë italianë për të filluar aventurën e re në një tjetër kombëtare.
64-vjeçari italian, drejtoi për 7 vite kombëtaren shqiptare, duke shënuar emrin e tij si i pari në historinë e futbollit shqiptar që arriti të kualifikojë kombëtaren shqiptare në një kompeticion të rëndësishëm evropian, siç ishte Euro 2016.
Postimi i plotë:
U gëzova shumë kur mësova lajmin se Gianni De Biasi do të nisë një aventurë të re në stolin e kombëtares së Azerbajxhanit. Dua t’i uroj sukseset më të mira ish-trajnerit të Kombëtares shqiptare, më të cilin kemi përjetuar emocione te jashtëzakonshme dhe kemi arritur edhe suksesin më të madh të Kombëtares 🇦🇱 në kompeticionet ndërkombëtare.
Ndihem mirë që De Biazi ka qenë një pjesë e rëndësishme e atij rrugëtimi historik, që kulmoi me pjesëmarrjen e Kombëtares kuqezi në finalet e EURO 2016. Edhe pse kanë kaluar 3 vjet nga ndarja e rrugëve tona, dua ta siguroj se ai do të ketë gjithmonë një vend të veçantë në historinë e FSHF-së dhe përfaqësueses shqiptare.
Shpresoj dhe uroj që De Biazi të shijojë sa më shumë suksese në këtë eksperiencë të re!”