Avokati Arben Llangozi ka deklaruar se një nga betejat më të forta që do të zhvillojë nëse zgjidhet në krye të Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë do të jetë rikthimi i dinjitetit dhe autoritetit të avokatit në sistemin e drejtësisë.
Përmes një reagimi publik, Llangozi thekson se avokati nuk mund të trajtohet më si figurë dytësore, ndërsa prokurori dhe gjyqtari funksionojnë me afrimitet të vazhdueshëm institucional. Sipas tij, ky perceptim cenon besimin e qytetarëve tek drejtësia dhe krijon ndjesinë e një procesi të njëanshëm ndaj mbrojtjes.
Ai shprehet se nuk është normale që avokati, si përfaqësuesi i vetëm i qytetarit përballë pushtetit penal, të përballet me përçmim apo mungesë respekti institucional.
“Avokati nuk është dekor i sallës së gjyqit. Ai është barriera e fundit kundër arbitraritetit dhe abuzimit me pushtetin”, shprehet Llangozi.
Më tej, avokati thekson se do të lobojë për barazi reale procedurale dhe për një kulturë drejtësie ku mbrojtja të ketë të njëjtën peshë dhe autoritet si akuza.















