Trupi më i lartë fetar i Arabisë Saudite i ka bërë thirrje myslimanëve në mbarë botën, që të mos mblidhen për lutje gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit.
Sipas BBC, kjo thirrje ka ardhur në kuadër të luftës për frenimin e koronavirusit.
Këshilli i Lartë i Dijetarëve tha që myslimanët duhet “të shmangin tubimet sepse ato janë shkaku kryesor i përhapjes së infeksionit”, raporton Agjencia Saudite e Shtypit.
Shumica e xhamive në Arabinë Saudite janë mbyllur, përfshirë këtu edhe Xhaminë e Madhe në Mekë, si pjesë e masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Ndërkohë, udhëheqësi Suprem i Iranit të sunduar nga Shiitët, Ayatollah Khamenei, ka thënë që myslimanëve nuk u kërkohet të agjërojnë gjatë Ramazanit, nëse veprimi i tillë paraqet një kërcënim për shëndetin e tyre.
Deri më tani në Arabinë Saudite janë shënuar 92 viktima nga koronavirusi dhe mbi 8 mijë raste infektimi.
Më shumë se 2,3 milionë njerëz nga e gjithë bota janë prekur nga COVID-19, ndërsa mbi 161 mijë persona kanë humbur jetën.