“A është Kosova dhe Shqipëria fushë beteja e radhës për diplomacinë ruse dhe atë të Perëndimit”? A do të jenë Kosova dhe Shqipëria prova e radhës dhe rasti më flagrant ku diplomacia ruse- agjentët e SVR e Gru do të luajnë shanset e tyre për të ndikuar apo jo në zgjedhjet parlamentare të Qershorit 2017?!. Ndërsa nga ana tjetër forcat e NATO-s, BE dhe aleatëve të tyre kanë shansin të prapësojnë çdo tentative të mundshme. Deri në provë të kundërt kjo rezulton të jetë skena e përballjes së radhës ndërmjet Titanëve: Diplomacia Ruse-Shërbimet sekrete nga njëra anë dhe Bota Perëndimore nga ana tjetër.
Rusia ka qenë historikisht prezent, për shekuj ne Ballkan si politikisht, ekonomikisht por edhe kulturalisht. Kjo është edhe arsyeja që marrëdhëniet ndërmjet Rusisë dhe gadishullit tonë kanë traditë të gjatë dhe të pasur. Luftërat, ndasitë dhe krizat ekonomike dhe politike të rajonit në shekujt 19 – 20 kanë përcaktuar shpesh raportet e fuqisë në rajon dhe ku Rusia ka luajtur një rol kryesor.
Dështimi i aspiratave të Rusisë për të ndaluar progresin e vendeve të Rajonit të Ballkanit rezultoi i dëmshëm për fuqinë gjeopolitike që pretendon se ka Rusia. Skemat e përdorura nga diplomacia ruse për të ndërhyre në mënyrë shumë të butë në fatin e zgjedhjeve parlamentare si në rastin e Moldavisë, Bullgarisë, zgjedhjet presidenciale në Ukrainë janë të njëjta si ato që janë evidentuar në rastin e Maqedonisë.
Modus operandi i shërbimeve sekrete ruse, në veçanti ato të Shërbimit të Jashtëm SVR- dhe shërbimi famëkeq i Ushtrisë GRU, në Maqedoni të ndihmuara edhe nga forca të ndryshme politike Maqedonase, ngjasojnë për të mos thënë janë identike me ato forma e metoda që janë zbuluar dhe dokumentuar, nga agjenci të ndryshme të lajmeve, gazetarë, analistë gjeopolitike, në rastin e zgjedhjeve presidenciale në Ukrainë, zgjedhjet e përgjithshme në Moldavi.
Agjentët rus të dislokuara në Maqedoni, Kosovë, Bullgari, Mal tëZi morën detyra specifike dhe mbështetje nga qendra Humanitare për rastet e emergjencave të Nisit dhe sidomos gjatë periudhës 2013-2017 me gjithë sforco e mëdha ekonomike që duhet të mbulojë Rusia, nuk mundën të tjetërsojnë plotësisht vullnetin e popullit maqedonas. Mobilizimi i më shumë se 70 forcave të njësive të SVR-GRU në rajonin e Ballkanit Perëndimor ndikuan para periudhës zgjedhore, gjatë fushatës zgjedhore në Maqedoni dhe mund të aktivizohen edhe në Shqipëri dhe Kosovë me rastin e zgjedhjeve parlamentare të Qershorit.
Objektivi kryesor i të ashtuquajturve agjente influentë të SVR e GRU ishte tjetërsimi i vullnetit politik të popullit maqedonas si e vetmja rrugë për të pasur kontrollin e plotë në Maqedoni. Aktivitetin e tyre ata e shtrinë jo vetëm në Maqedoni por edhe në vendet e tjera të Ballkanit dhe për gati 2 vjet pothuajse ia arritën qëllimit- krijimin e kushteve të kaosit që përfshiu Maqedoninë dhe rrezikoi shumë të përhapej edhe në vendet e tjera të Rajonit.
Ngërçi politik i krijuar në Maqedoni gjatë viteve të fundit me mbështetjen e fuqishme të Kremlinit nuk mund të zgjaste përjetësisht dhe kjo tregon pamundësinë e Rusisë për të financuar e dislokuar forca të tjera shtesë për ndryshimin e fatit të Maqedonisë nëpërmjet zgjedhjeve. Pas sulmeve të orkestruara me mjeshtëri ndaj platformës shqiptare ku zëdhënësi kryesore ishte portali rus Sputnik, vihej re dora e diplomacisë dhe agjencive sekrete ruse.
Marrëveshja e arritur nga lideri Zaev dhe forcat e partive shqiptare i shuan përfundimisht shpresat e diplomacisë ruse për të pasur influencë dhe përcaktuar organet ligjzbatuetse dhe politike në Maqedoni. Tendenca për të emfatizuar faktorët etnokulturor është rritur akoma më shumë me vendimin e Vladimir Putin për ta riorientuar politikën e jashtme ruse larg vlerave perëndimore.
Ndërkohë që në fillim ai vinte theksin në vlerat e përbashkëta të hapësirës evropiane, tani ai flet për përplasje civilizimesh ndërmjet “botës ruse” dhe aleatëve të saj nga njëra anë dhe Perëndimit armiqësor me vlerat e veta false nga ana tjetër. Ballkani për Putin është një fushëbetejë e rëndësishme në këtë përplasje, duke shtuar përpjekjet për të qenë një aktor i rëndësishëm në rajon dhe për kundër balancuar ose ndërprerë progresin e rajonit drejt integrimit euro – atlantik.
Megjithëse ky dimension ideologjik ka rëndësinë e vet në aksionin diplomatik rus, Moska zyrtare ka arsye dhe më konkrete të interesave strategjike në Ballkan. Kjo u pa këtë dhjetor kur NATO ftoi Malin e Zi për t´ju bashkuar aleancës. Përveç se protestës dhe disa kërcënimeve ndaj Malit të Zi për pasoja ekonomike, është shumë pak ajo që mund të bëjë për ta ndalur këtë poçes. Pas rastit të Maqedonisë, Malit të Zi tani vende të tjera të Ballkanit Perëndimor mund të jenë target i radhës i diplomacisë ruse. (Ina Online/Kristo Muzaka)