Nga Chris Cillizza “CNN”/ Xhorxh H.W.Bush, nuk do të ishte zgjedhur kurrë kandidat nga Partia Republikane e sotme.
Dhe kjo jo për shkak se ish-presidenti, i cili vdiq të premten në moshën 94-vjeçare, nuk ishte një republikan “i vërtetë”. Bush besonte tek taksat më të ulëta, një qeveri më të vogël federale, dhe një ushtri të fuqishme – parimet e përgjithshme që deri vitet e fundit kanë përkufizuar konservatorizmin modern.
Dhe kjo për shkak të qasjes së Bushit ndaj politikës. Ai nuk ishte një “zjarrvënës” politik. Instinkti i tij i parë, nuk ishte të shpallte fajtor cilindo që nuk pajtohej me të. Ai besonte në idenë, se njerëzit e mirë mund të mos pajtohen me të. Ai e shihte kompromisin, si një qëllim të arsyeshëm të qeverisë.
Në diskursin modern të politikës republikane, e folura e sjellshme e Bushit, do të lexohej si angazhim i pamjaftueshëm për kauzën konservatore. Ai do të etiketohej si “Rino” (republikan vetëm për emër), për dallimet e tij me demokratët mbi politikat.
I zgjedhur në Kongres në një zonë të Hjustonit në mesin e viteve 1960, Bush do të përballej së shpejti në një gare praprake, nga një kandidat që hoqi dorë nga mbështetja e tij për kontrollin e lindjeve. Dhe ai me gjasë do të humbiste mbështetjen. Një karrierë 2 ose 4-vjeçare, do të përfundonte me mosrespektimin e duhur të ortodoksisë së partisë.
Sigurisht, kjo nuk është mënyra se si shkoi karriera politike e Bushit. Pas humbjes së zgjedhjeve për në senat në vitin 1970, ai shërbeu si ambasador në Kombet e Bashkuara, shefi i CIA-s, dhe në vitin 1980 garoi për president. Ai e humbi garën brendpartiake përballë Ronald Reganit, por arriti të zgjidhet zv/presidentit.
Pas 8 vjetësh si numri i dytë i Reganit, presidenti Bush e fitoi presidencën në vitin 1988. Megjithëse e humbi atë 4 vjet më vonë përballë Bill Klintonit, Bush i kaloi 25 vitet që pasuan duke udhëhequr familjen e parë të politikës republikane – kreu e një familjeje që prodhoi një president 2 mandatësh Xhorxh W.Bush dhe një tjetër kandidat presidencial, Xheb Bush.
Garimi i Xheb Bushit për president në vitin 2016, solli ndryshime mbresëlënëse brenda Partisë Republikane. Ajo garë nisi me Bushin si favorit. Ai kishte një prejardhje – një baba dhe një vëlla president – që republikanët e kishin vlerësuar prej kohësh, për të mos përmendur një rekord të gjatë të qeverisjes konservatore në Florida.
Dhe atij nuk iu dha kurrë një shans. Sepse, pa Bush-ët në parti, Partia Republikane ndryshoi rrënjësisht në 8 vitet që Barak Obama shërbeu si president. Baza republikane, nuk donte më dikë që e shihte politikën si një detyrë qytetare dhe vokacionin më të lartë. Ata donin dikë që e shihte atë si një shfaqje televizive.
Donald Trump u pozicionua shumë kundër Partisë Republikane të Xhorxh H.W.Bush (dhe djemve të tij), ashtu siç bëri gjatë 8 viteve të fundit të Obamës, gjatë paprakeve në Partinë Republikane në vitin 2016. Që nga fillimi i kësaj fushate, Trump sulmoi ashpër Xheb Bushin
në aspekte shumë personale.
“Xheb është në prag të një krize nervoze”- tha Trump për Ulf Blicer të CNN në prag të praprakeve në Nju Hempshajër. “Ai është një siklet për familjen e tij, detyrohet të shëtisë nënën e tij rreth 90 vjeçe, mendoj se kjo është një situatë shumë e trishtueshme”. (Në përgjigje, Xheb tha se ishte “i neveritur nga komentet e Trump mbi familjen e tij”).
Pas humbjes së tij në parapraket e Karolinës së Jugut në shkurtin e 2016-ës, Xheb Bush I dha fund fushatës së tij, dhe u përpoq t’u bënte një thirrje “engjëjve” më të mirë të partisë, që e kishin diktuar trashëgiminë politike të babait dhe familjes së tij.
“Unë besoj fuqimisht se populli amerikan, duhet t’ia besojë këtë detyrë atij që e kupton, se kushdo që e mban postin e presidentit është një shërbëtor dhe jo një padron, se është dikush që do të angazhohet për atë shërbim me nder dhe mirësjellje”-tha Bush në fjalimin e tij të tërheqjes.
Por ajo shpresë ishte e kotë.
Trump vazhdoi të ofendonte kandidatët e tjerë republikanë, duke e hapur me forcë rrugën e kandidatimit të tij zyrtar. Dhe pastaj, pavarësisht të gjitha mosmarrëveshjeve, ai u bë president – një dëshmitar i gjallë dhe frymëzues se sa shumë jo vetëm Partia Republikane, por vetë SHBA-ja, kishte ndryshuar që nga koha kur Xhorxh H.W.Bush ishte në Shtëpinë e Bardhë.
Ja një shembull domethënës:Pasi humbi Shtëpinë e Bardhë përballë Bill Klintonit në një garë të ngushtë në vitin 1992, Xhorxh Gorge H.W.Bush la një shënim që pasardhësi i tij që ta lexonte ditën e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Aty ndër të tjera thuhej:”Ju do të jeni presidenti ynë
kur ta lexoni këtë shënim. Ju uroj gjithë të mirat. Suksesi yt tani, është suksesi i vendit tonë!”.
Ndërkohë, Donald Trump, e shpenzoi ditën e tij të parë si president, duke e urdhëruar zëdhënësen e tij për shtyp që të shkruante, se pavarësisht dëshmive vizuale për të kundërtën, turma e njerëzve në ceremoninë e tij të inaugurimit, ishte më e madhe se ajo e Obamës.
Dhe presidenca e Trump, ka qenë gati në çdo aspekt një refuzim i mënyrës përmes së cilës Xhorxh H.W.Bush kishte parashikuar se si zyrtarët e zgjedhur duhet të mendojnë, flasin dhe veprojnë.
Refuzimi nga Trump i rrugës së qeverisjes së Bushit, është shfaqur në mënyra të mëdha dhe të vogla. Ndërsa Bush besonte në idenë e Amerikës, si një fanar i udhëheqjes morale në botë, Trump shpesh duket se vepron vetëm nga perspektiva e interesave financiare.
Ndërsa Bush fliste për “mijëra vatra drite”, që përfaqësonin frymën e madhe të vullnetarizmit dhe të komunitetit në punë në Shtetet e Bashkuara, Trump, e talli këtë verë këtë slogan – dhe pranoi se nuk e kishte kuptuar kurrë atë. “Çfarë dreqin është ky slogan, a ka ndonjeri që e ka kuptuar atë? Dhe u shpall nga një republikan, apo jo? Unë di një gjë, ‘Ta bëjmë Amerikën sërish të Madhe’, është ajo që kuptojmë”.
Dhe kjo thotë gjithçka. Vetëm pse Trump nuk e kupton atë, kjo s’do të thotë se nuk e kuptojmë ne të tjerët. Për këtë qëllim, të gjithë do të bënim mirë t’i kujtonim këto fjalë nga një fjalim që Xhorxh H.W.Bush mbajti gati 30 vjet më parë:
”Qeveria duhet të jetë një mundësi për shërbim publik, dhe për përfitime private. Dhe unë dua të sigurohem që shërbimi publik të vlerësohet dhe respektohet, pasi unë dua të inkurajoj të rinjtë e Amerikës të bëjnë karrierë në qeveri.Nuk ka asgjë më të përmbushëse sesa t’i shërbeni vendit tuaj, bashkëqytetarëve tuaj, dhe ta bëni mirë këtë. Dhe nga kjo varet sistemi ynë i vetëqeverisjes”.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce