Samanta Ljutuajt, e njohur ndryshe si “Vejusha e Bardhë”, është një terroriste e organizatave terroriste, si Al-Shabab dhe Al-Kaeda. Ajo është e veja e organizatorit të shpërthimeve në Londër më 7 korrik 2005, që shkaktuan 52 të vrarë dhe mbi 700 të plagosur. Ljutuajt u lind në një familje të krishterë, por më vonë u konvertua në besimin islam.
Samanta u dënua fillimisht për posedimin e shumë pasaportave të falsifikuara ndërkombëtare, që ajo kishte përdorur për kalimet e saj tranzit. Në shumë raste, ajo ka përdorur edhe fëmijët e saj, për të fshehur jetën e saj të vërtetë, që bënte pas dyerve të mbyllura. Samanta punonte për njësinë e inteligjencës, të të gjitha grupeve të mëdha terroriste. Shumë sende të konfiskuara të saj, duke përfshirë dokumente dhe shkrime, tregojnë rolin e saj në organizimin e sulmeve, dhe furnizimin me bomba të grupeve të ndryshme terroriste.
Interpoli ka lëshuar një Njoftim të Kuq kundër saj, pasi ajo është një nga terroristët më të kërkuara në botë. Samanta lindi më 5 dhjetor 1983, në Banbrixh në qarkun Daun në Irlandën e Veriut. Babai i saj, Endrju, ka qenë ish-ushtarak, ndërsa e ëma, Elizabet, është me origjinë katolike irlandeze.
Menjëherë pas lindjes së Samantas, familja e saj u zhvendos në Ajlsbëri të Anglisë. Pasi mbaroi shkollën e mesme, ajo ndoqi Universitetin e Londrës në Shkollën e Studimeve Orientale. Por e braktisi shpejt universitetin dhe trashëgiminë e saj si e krishterë, përpara se të konvertohej në besimin islam në moshën 18 vjeçare. Emrin e ndryshoi në Sherafijah.
Samanta u njoh me Zhermen Lindsej, një nga të dënuarit e shpërthimeve të Londrës, në një tubim pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në SHBA. Edhe Lindsej gjithashtu ishte konvertuar në Islam, dhe kishte fituar emrin Abdullah Shahid Xhamal. Ata u martuan në tetorin e vitit 2002. Samanta e regjistroi martesën duke përdorur emrin Asamantra, dhe shumë shpejt lindi një djalë. Vajza e saj e parë, u lind pas shpërthimeve të Londrës, në korrikun e 2005-ës.
Gjatë hetimit mbi këtë ngjarje, u provua se pas sulmit qëndronte Xhamal, dhe më pas Samanta u dënua për përfshirjen indirekte në aktin terrorist. Ajo u emërtua si “Vejusha e Bardhë”, duke i`u referuar origjinës së saj britanike, dhe duke qenë gruaja e një kamikazi.
Kur u arrestua, Samanta i mohoi fillimisht akuzat, por më vonë rrëfeu se projektuesi kryesor i sulmit ishte Muhamed Sidik Khan. Shtypi bëri ndërkohë publike lidhjen e saj të drejtpërdrejtë me grupin terrorist me bazë në Somali, Al-Shabaab. Ajo u dënua me disa vite burg, si pjesëtare e njësisë së inteligjencës së grupit terrorist.
Gratë e trajnuara nga ajo, do të maskoheshin si shitëse në rrugë apo si punonjëse hoteliere, dhe do të merrnin informacione konfidenciale. Informacioni i marrë, i jepej Samantës, që më pas u`a kalonte anëtarëve të tjerë të lartë të Al-Shabab. Në vitin 2008, Samanta iku në Afrikën e Jugut, ku u njoh dhe më pas u martua me burrin e saj të dytë, Fehmi Xhamal Salim, një terrorist po i Al-Shabab.
Kur zyrtarët e bastisën shtëpinë e saj të braktisur, gjetën disa pasaporta të falsifikuara, të cilat ajo i kishte përdorur për të udhëtuar. Ajo e kishte falsifikuar identitetin e saj si Natali Faje Ueb. Në gushtin e vitit 2011, ajo përdori sërish një pasaportë të rreme për të udhëtuar në Kenia.
Udhëtimet e shpeshta të Samantas drejt Kenias, e bënë atë të dyshuarën kryesor të një sulmi me granatë në një bar në Mombasa. Sulmi ndodhi më 24 qershor 2012, duke shkaktuar 3 të vdekur dhe 25 të plagosur, që në ato moment po shihnin një ndeshje të Kampionatit Evropian të futbollit.
Samanta, u raportua se ishte parë pranë barit, pak para sulmit. Njerëzit pohonin se ajo ruante armë, dhe materiale për prodhimin e bombave, në një shtëpi aty pranë. Por ajo arriti të largohej, para se policia ta kapte. Fajtor u shpall edhe britaniku Zhermen Grant. Një vit më vonë, Samanta u akuzua si drejtuese e një sulmi, ndaj turistëve që udhëtonin në një safari të kafshëve të egra, në Parkun Kombëtar të Masai Mara në Kenia.
Samanta, akuzohet gjithashtu për sulmin e ndodhur në Qendrën Tregtare Uestgejt në Nairobi, po në Kenia. Sulmi shkaktoi 67 të vrarë, përfshirë 5 qytetarë britanikë. Disa nga të mbijetuarit, raportuan se kishin parë një grua të bardhë, nën urdhrat e së cilës, terroristët sulmuan qendrën tregtare, duke hapur zjarr më armë.
Hetimet konfirmuan përfshirjen e Al-Shabab, por përfshirja e Samanta nuk mund të provohej bindshëm. Policia bastisi disa nga shtëpitë në të cilat kishte qëndruar Samanta në Mombasa. Ata gjetën një ditar, që përmbante detaje se si ta jetonte jetën një grua bashkëshorte e një kamikazi.
Policia gjeti edhe disa shënime të shkruara me dorë brenda shtëpisë së saj, të cilat zbuluan se ajo po rriste fëmijët e saj si xhihadistë. Gjithashtu u gjet një poemë dashurie kushtuar Osama bin Ladenit. Ishte një poemë me 34 vargje, që tregonte dashurinë e saj ndaj ish-shefit të Al Kaedës.
Një raport i publikuar nga agjencia ruse e lajmeve, Regnum, në nëntorin e vitit 2014, thoshte ndër të tjera, se Samanta ishte qëlluat për vdekje nga një snajper në Ukrainën Lindore. Ajo supozohej se ishte vrarë nga forcat rebele ruse. Megjithatë, nuk u publikua asnjë fotografi për trupin e saj të vdekur.
Gjithashtu, asnjë dokument nuk tregoi se ajo ndodhej asokohe në Ukrainë. Një raport kontradiktor, pohonte se Samanta kishte hyrë në Ukrainë nën një emër të rremë, dhe u vendos në frontin e luftës si një snajperiste, në rajonin e Donnjeckut.
Më vonë, këto raporte u përgënjeshtruan, pasi Samanta u pa me burrin e saj xhihadist, Marko Kosta, një anëtar i dyshuar i Al-Kaidës. Për të kundërshtuar këto zëra, u publikua një selfi e Samantas, e realizuar në shtëpinë e saj. Britanikja 36-vjeçare, akuzohet nga Interpoli, për më shumë se 400 të vdekur, dhe mbetet ende një ndër terroristet më të kërkuara në botë./ Përgatiti Tirana Today