Deputeti i Partisë Socialiste dhe njëherësh anëtari në Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve, Ulsi Manja deklaron se materialet që disponon Prokuroria kanë rrjedhur më parë nga opozita. Sipas tij, të tre prokurorët që ishin të pranishëm ditën e sotme në mbledhjen e Këshillit të Mandateve nuk kishin sjellë asnjë provë përveç atyre që janë publikuar në media. Ndërsa kanë furnizuar vazhdimisht opozitën me materiale dhe anasjelltas.
“Prokuroria gjatë kohës së pushimit dhe zhvillimit të mbledhjes së këshillit të Mandateve të zhvilluara me dyer të mbyllura prokuroria na vuri në dispozicion një material mbi Samir Tahirin që më parë e kishin deputetët e opozitës. Këtë material e kishte më parë në tryezë deputeti Gent Strazimiri dhe nuk e kishim ne deputetët e tjerë mbi tryezë. Prokuroria nuk solli asnjë provë për të vërtetuar akuzat e saj. Materiali i saj kishte ardhur në duart e opozitës më parë, pastaj është marrë nga prokuroria”, u shpreh Manja për televizionin “News 24”.