Nga: Visar Zhiti
Ai nuk ikën, do të qëndrojë në Ukrainë. Është në Kiev, në shtëpinë e tij, i ka mbuluar dritareta me libra që të mos kuptohet brendësia e asnjë dhome, të mos tërheqë vëmendjen e bombardimeve të mundshme, tank apo avion, çdo çmenduri qoftë, që po vjen nga Rusia.
Ai nuk është mbyllur në shtëpinë e tij për t’u fshehur, përkundrazi, është i lidhur jo vetëm me miqtë e shumtë që ka, por dhe jep intervista hapur në televizione të ndryshme të Europës dhe tregon për luftën e pushtuesit rus dhe luftën e bashkatdhetarëve të tij në mbrojtje të Ukrainës, jo vetëm tregon, ai po lufton dhe vetë me përkushtimin, bën jo vetëm qendrestarin heroik, por dhe u bën apel heronjve dhe botës, Ukraina nuk është vetëm vendi i tij që po lufton me pushtuesin, por dhe pragu i qytetërimit europian, i kërcënuar nga ringjallja e atij përbindëshi perandorak me ëndrrën e keqe sovjetike.
Dikur e luftuan së bashku bishën naziste, që pllakosi Europën, tani Rusia po bën atë që pësoi në Luftën II Botërore. Mos po kërkon ta risjellë atë luftë, që do të jetë apokalipsi i botës?
Për më shumë shpresë, po shkoj në dritaret e shtëpisë së Dmytro-s, aty janë dhe mbi 65 librat e tij, të botuara në Ukrainë dhe në vendet e tjera, ku është përkthyer poezia e tij, jo vetëm pranë atdheut të tij, në Azerbajxhan e Rumani, por edhe në Francë e Itali, në gjuhët e Ballkanit, në Serbi e Kroaci dhe Maqedoninë e Veriut (e Jugut për ne) etj., dhe para ca ditësh edhe në shqip nxora disa poezi të tij në disa në media dhe tregoja që përveçse shkrimtar i njohur, ai është dhe historian i artit dhe i religjionit, kritik letrar, frankofon i shkëlqyer dhe përkthyes, profesor në Universitetin Kombëtar të Kievit, që mban emrin e poetit të tyre kombëtar “Taras Shevchenko”. Dmitry Chystiak është anëtar në Qendrën Evropiane të Përkthimit Letrar në Bruksel, përgjegjës në shtëpitë botuese ukrainase “Summit-Knyga” dhe asaj franceze “L’Harmattan”. Është edhe Sekretar Ndërkombëtar për Letrat e Akademisë në Universitetin Europian të Shkencave, Arteve dhe Letrave të Parisit. Është emëruar si kreu i “Urdhrit të Arteve” të Ukrainës dhe “Kalorës i Urdhrit Francez të Palmës Akademike” etj., pra, është fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare dhe tani, çdo ditë po merr çmimin më të lartë të njeriut, të ndërgjegjes dhe moralit, jo vetëm të atdheut të tij, por të mbarë njerëzimit.
Është ende burrë i ri, me një fytyrë e pastër që di të qeshë përzemërsisht, edhe tani, siç e kanë parë në intervistat televizive për luftën kundër luftës. Kështu e njohëm, serioz dhe të qeshur ose të qeshur seriozisht në Festivalin e Poezisë në Komo, në Itali, që tani i duket sikur i përket një kohe të largët të një jete tjetër.
Megjithëse tejet i ngarkuar me tragjeditë që ka sjellë lufta te dera, që edhe pse s’ka aq shumë ditë që ka filluar, duket si prej shekujsh, Dmytro Chystiak, aty në shtëpinë e tij nën gjëmimet e rënda përmes shkatërrimesh dhe vrasjes gjen kohë të përgjigjet, fisnik dhe në mesazhet që marr, falënderon për dhembshurinë vëllazërore dhe shqetësimet, për atë ankth që s’ia themi dot se mos vjen ai, çasti fatal ogurzi, kur nuk do të përgjigjet dot, që ai vetë e përmend sypatrembur, madhërishëm. Ja, sapo më shkroi: “In Kyiv time is hard, today a house 10 mn from mine destroyed by rocket, but we still hoping to survave…” (Në Kiev koha është e rëndë, sot një shtëpi 10 minuta larg simes u shkatërrua nga një raketë, por ende shpresoj të mbijetoj… Ora 6:34 pasdite me orën e Shqipërisë, 14 mars). Tronditëse! Lutemi për të dhe Ukrainën e tij. Ç’eshtë kjo!
Ka 7 pyetje të shkurtra përpara siç janë urdhrat në luftë, dhe ai po ashtu përgjigjet si në luftë, me informacionin e domosdoshëm për këdo, dhe për shqiptarët tani. I qarta si rreptësia. Me dije dhe qytetari. Brenda përgjigjeve ka guxim dhe shpresë, por fshihet dhe qortimi i përmbajtur i luftëtarit, me kumte të rëndësishme për sot dhe të ardhmen, jo vetëm të vendit të tij, ka edhe poezinë, me dashurinë njerëzore që beson të ketë fuqi të përtejme, që i mposht të gjitha vdekjet.
FJALA PËR DMYTRO CHYSTIAK QË NGA LUFTA:
1) Si është gjendja në Kiev?
Sigurisht që jeta jonë ka ndryshuar gjatë këtyre 18 ditëve të luftës. Bombardime natë e ditë, vështirësi nga më të ndryshmet, por në krahasim me qytetet e tjera, Kievi është i mbrojtur mirë: kemi energji elektrike, ujë dhe gaz, shitoret dhe farmacitë janë të hapura.
Sulmet masive të trupave ruse i kemi ndalur në rrethinat dhe tani ata duhet të përballen, edhe pse kanë marrë aty kontrollin e përkohshëm. Ne presim sulme të reja pas përforcimit të trupave ruse, por ato nuk do të jenë aq aktive sa sulmi i parë në fund të shkurtit dhe do të shtyhen gjithnjë e më pas nga ushtria ukrainase.
Gjendja në rrethinat e kontrolluara nga trupat ruse është dramatike: njerëzit vriten, dhunohen, grabiten shtëpitë, muzetë, kishat shkatërrohen nga sulmet ajrore dhe artileria. Mijëra e mijëra njerëz janë shpërngulur në Kiev dhe rajone të tjera. Po kështu dhe nga qyteti i Irpinit, që më parë ishte qendra e jetës kulturore dhe letrare, ku ne organizonim festivalin letrar ndërkombëtar Koçur. Tani atje duket se është një jetë tjetër…
2) Çfarë mendoni për Presidentin tuaj, Zelenski?
Njerëzit tanë në përgjithësi e mbështesin pozicionin e Presidentit Zelenski dhe të ekipit të tij. Disa diskutime që më parë ishin shenjë e shoqërisë demokratike në establishmentin politik ukrainas, janë harruar tani për të përqendruar forcat së bashku dhe për të shkatërruar pushtuesin.
3) Çfarë mendoni për atë që quhet Putin?
Putin bëri një tjetër gabim të madh që do ta konsolidojë totalisht kombin ukrainas në rezistencën e tij ndaj së ashtuquajturës “botë ruse” me tentativat për gjenocid të popullatës sonë, që e shohim në vende të ndryshme si Mariupol, Kharkiv, Okhtyrka. Ai vazhdon politikën e Perandorisë Ruse dhe përpjekjet sovjetike për të shkatërruar kombin tonë, përpjekje që nuk patën sukses. Ne e dimë tashmë se lufta do të jetë një disfatë për të dhe për vite e vite nuk do të ketë më bashkëpunim të mundshëm mes vendeve tona. Kufiri midis Evropës dhe Azisë do të jetë kufiri ynë. Por përparimi historik nuk mund të ndalet. Vizioni i Putinit për botën është nga e kaluara dhe regjimi i tij duhet të shkatërrohet siç u shkatërrua Kartagjena. Nëse jo, ka për të qenë një kërcënim i vazhdueshëm për botën e qytetëruar.
4) A keni frikë?
Kur shohim miliona ukrainas që luftojnë në ushtri, në forcat e mbrojtjes territoriale, në lëvizjen vullnetare, kur dimë se sa njerëz humbën familjet dhe shtëpitë e tyre, kur bombat fluturojnë ditë e natë, nuk ka kohë për frikë, por më së shumti si t’i ndihmojmë bashkatdhetarët tanë që ta përfundojnë këtë luftë me fitore.
Unë e kuptoj më mirë përvojën e gjyshërve të mi që luftuan në Luftën e Dytë Botërore, ata e humbën frikën në atë epokë dhe kjo e ndryshoi gjithë jetën e tyre.
5) A jeni i vendosur për qëndresën?
Unë mendoj se shumica e ukrainasve po bëjnë çmos për të mbështetur bashkatdhetarët tanë për ta ndalur luftën dhe ne këtë po bëjmë tani. Kam marrë shumë propozime për t’u larguar nga Kievi për në Evropë, Amerikë dhe Azi, por mendoj se është më e dobishme për tani të qëndroj këtu dhe të ndihmoj Ukrainën që lufton me të gjitha mundësitë që kam.
6) Çfarë mendoni për se si po sillen Europa dhe NATO?
Kohët e luftës tregojnë gjithmonë të vërtetën në botë dhe në jetën e përditshme: cilët janë miqtë tuaj të vërtetë dhe cilët janë spektatorët, cilët janë armiqtë tuaj dhe cilët nuk janë më miqtë tuaj.
Ukraina falënderon të gjithë miqtë jashtë që na ndihmojnë me çdo mjet, megjithëse mijëra e mijëra civilë vriten nga avionët ruse, sepse qielli nuk është i mbyllur. Ju gjithsesi duhet ta kuptoni se, nëse Ukraina humbet, lufta do të vazhdojë në Evropë. Mundësia e katastrofës bërthamore në Çernobil dhe Energodar, të kontrolluar nga trupat ruse, është gjithashtu e mundur. Ndërkaq, unë e di se me shekuj Ukraina ka qenë një pjesë organike e Evropës dhe më pas me shekuj e dominuar nga Rusia aziatike, gjë që ka ndikuar shumë te ne. Por Revolucioni Portokalli, Maidan (Revolucioni pro europian më 2013-2014 në Ukrainë, shënim im, V. Zh.) dhe lufta më sigurojnë që ne jemi kthyer tashmë në qytetërimin evropian. Është vetëm çështje kohe.
7) A do të tregoni për këtë luftë në veprat tuaja të ardhme?
Unë mendoj se një shkrimtar duhet të përjetojë katastrofën për të kuptuar çmimin e jetës, të së vërtetës dhe të gënjeshtrës, të dritës dhe të errësirës. Nëse mbijetoj, jeta ime dhe puna do të ndryshojnë me siguri. Ajo, në fakt, tashmë ka ndryshuar.