Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, u shpreh kundër hapjes së dosjeve të ish-Sigurimit. Qëndrimin e tij e shprehu gjatë një interviste për “Euronews Albania”, ku tha se ligji për hapjen e dosjeve nuk do të sjellë pozitivitet në Shqipëri.
“Unë nuk vij nga shtresa e të përndjekurve politikë. Im atë ka qenë komunist. Nuk na kanë thirrur ne njeri as për të bërë spiunllëqe. Janë gjuajtur më shumë njerëzit që kanë qenë të përndjekur. Unë di shembuj që e kanë kërcënuar që të bëhet bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. E kanë marrë dhe e kanë kërcënuar për përdhunim të një anëtari të familjes, e kanë detyruar të bëhej spiun. Apo ka pasur njerëz që i kanë torturuar dhe i kanë detyruar që të bëheshin spiunë të Sigurimit të Shtetit”, u shpreh Agron Duka.
Kuvendi i Shqipërisë miratoi me 94 vota pro dhe 1 abstenim propozimin e Partisë Socialiste për shfuqizimet e komisioneve “Bezhani” e “Mezini”, duke i dhënë të drejtë Autoritetit të Dosjeve të rivlerësojë figurën e zyrtarëve të pajisur me certifikatë pastërtie. Projektligji erdhi pas kërkesës së Autoritetit, pasi doli një dosje me një spiun të Sigurimit me iniciale I.M., që dyshohet se është ish-Presidenti Ilir Meta. Gjithashtu u miratuan edhe amendamentet e propozuara bashkërisht nga PD dhe PS që çdo kush mund të kërkojë dosjen e tij, por duhet ta argumentoj pse e kërkon dhe nëse të dhënat do të dalin në publik e të keqpërdoren, do të mbajë përgjegjësi.