Nga George Kyris, The Conversation
Marrëdhëniet midis presidentit hungarez Victor Orban dhe udhëheqësve të tjerë evropianë duket se kanë prekur pikën më të ulët. Për vite me radhë, Orban ka ndjekur axhendën e së djathtës ekstreme, e cila ka qenë shpesh në kundërshti me vlerat thelbësore të bllokut.
Lëvizja e tij e fundit ka qenë prezantimi i një ligji “për mbrojtjen e fëmijëve”, që e shpall të paligjshme shpërndarjen tek personat nën 18 vjeç të informacionit që mund të shihen si promovim i homoseksualitetit.
Ligji përfshin të gjitha produktet, reklamat dhe përmbajtjet mediatike që flasin mbi homoseksualët apo transgjinorët, si dhe programe arsimore me temë komunitetin LGBTQ, apo nëse përmendin ekzistencën e personave homoseksualë dhe transgjinorë.
Ligji është i fundit në një varg përpjekjesh për të kufizuar të drejtat dhe liritë LGBTQ në vend. Ai është në një farë mënyre i ngjashëm me Seksionin 28 të kryeministres së dikurshme britanike Margaret Thatcher, një ligj që i ndaloi shkollat të “promovojnë mësimin e pranueshmërisë së homoseksualitetit si një marrëdhënie e pretenduar familjare”.
Seksioni 28 mbeti në fuqi deri në vitin 2003. Më vonë Partia Konservatore kërkoi ndjesë për prezantimin e tij. Parlamenti Evropian e sheh këtë ligj si pjesë të çmontimit gradual të të drejtave themelore të njeriut në Hungari, dhe si pjesë të një axhende më të gjerë politike për të shtypur demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Komisioni Evropian ka theksuar gjithashtu se “barazia, respektimi i dinjitetit dhe të drejtave të njeriut janë vlerat thelbësore të BE-së, të përfshira në Nenin 2 të Traktatit të BE-së”, ndaj ka filluar procedurat e marrjes së masave ndëshkimore ndaj Hungarisë.
Ndërkohë, shtetet anëtare kanë bërë thirrje për veprime më të vendosura kundër sjelljeve të gabuara të Budapestit. Kryeministri i Holandës Mark Rutte, ka deklaruar se ky ligj është një sinjal se “Hungaria nuk ka vend më në BE”.
Nga ana tjetër, Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, ka bërë thirrje për një referendum për të vendosur nëse Hungaria duhet të lejohet apo jo të mbetet anëtare e Bashkimit Evropian. Por a mundet BE-ja ta përjashtojë Hungarinë nga unioni nëse do?
Dhënia fund e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare të një shteti,nuk është një praktikë shumë e zakonshme. Nëse shohim OKB-në, projekti më i madh dhe më ambicioz është të bërit bashkë shtetet nën një organizatë ndërkombëtare, gjithashtu ne vërejmë se edhe pse jo gjithmonë është e lehtë të anëtarësohesh në të, padyshim është shumë më e vështirë që një anëtar të dëbohet nga organizata.
Precedentët në të shkuarën
Në vitin 1971, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së vendosi që t’i zëvendësojë zyrtarët nga Tajvani me ata nga Kina kontinentale. Dhe kjo për shkak se Kina e Maos ishte më e njohur në kontinent si shtet sesa Tajvani. Kjo lëvizje do të thoshte që Tajvani u përjashtua de fakto nga organizata.
Një shembull tjetër i rrallë ndodhi kur Asambleja e Përgjithshme vendosi që Republika Federale e Jugosllavisë (RFJ) – që deri atëherë përbëhej vetëm nga Serbia dhe Mali i Zi dhe jo pjesa tjetër e ish-republikave Jugosllave që ishin shkëputur – nuk mund të trashëgonte automatikisht anëtarësimin e Jugosllavisë në OKB, ndaj duhej të aplikonte për anëtarësim nga e para.
OKB e dëboi Jugosllavinë në fillim të vitit 1990, dhe 8 vjet më vonë pranoi RFJ si një shtet të ri anëtar. Një ndryshim kryesor midis rasteve të Tajvanit, RFJ-së dhe Hungarisë është se anëtarësimi në OKB varet kryesisht nga anëtari që është një shtet paqedashës, ndërsa Bashkimi Evropian ka kritere pak më të sofistikuara.
Kjo është edhe arsyeja pse ka shumë shtete që nuk janë anëtare të BE-së, por nuk ka shumë shtete të njohura të cilat nuk janë anëtare të OKB-së. Anëtarësimi në OKB i Tajvanit dhe i Republikës Federale të Jugosllavisë u ndërpre de fakto pasi ato nuk konsideroheshin më si shtete.
Hungaria është një rast tjetër. Askush nuk po shtron çështjen nëse Hungaria ekziston apo jo si shtet. Ajo që po sfidohet është aderimi i Hungarisë në detyrimet që burojnë nga anëtarësimit në BE nën udhëheqjen e Victor Orban. Një përgjigje më e zakonshme ndaj situatave të këtij lloji, është më shumë pezullimi sesa dëbimi. Gjatë regjimit të Aparteidit, shumë organizata ndërkombëtare e pezulluan anëtarësimin e Afrikës së Jugut.
Në mënyrë të ngjashme, Organizata e Shteteve Amerikane e pezulloi Kubën midis viteve 1962-2009 dhe Hondurasin midis viteve 2009-2011, për shkak se qeveritë e tyre po shkelnin angazhimin e Kartës Demokratike Ndër-Amerikane ndaj institucioneve demokratike.
Edhe Greqia u pezullua nga Këshilli i Evropës gjatë Diktaturës së Kolonelëve të fundit të viteve 1960 dhe fillimit të viteve 1970. Ndërkohë Siria është pezulluar nga Lidhja Arabe që nga viti 2011 si dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik që nga viti 2012.
A nuk kemi qenë edhe më parë në një situatë të ngjashme?
Rregullat e traktatit të nenit 7-të të BE-së,e lejojnë unionin të pezullojë të drejtën e votës për një vend anëtar “nëse ai vend shkel seriozisht dhe me këmbëngulje parimet mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian”. Efektet e tij nuk do të jenë shumë të ndryshme nga ato që kanë bërë organizatat e tjera ndërkombëtare në të kaluarën.
Megjithatë, ky mekanizmi nuk është përdorur kurrë më parë, dhe nuk do të miratohej lehtë. Janë bërë edhe me herët përpjekje për të përdorur nenin 7, për të pezulluar të drejtat e votës së Hungarisë në përgjigje të trajtimit që i ka bërë kjo e fundit refugjatëve dhe emigrantëve, por të gjitha kanë dështuar.
Sidoqoftë, ky mekanizëm tani mund të jetë e vetmja përgjigje e përshtatshme ndaj veprimeve të Hungarisë. Për momentin, nuk ka asnjë mënyrë të qartë sesi BE mund të dëbojë një vend anëtar. Organizatat ndërkombëtare nuk i dëbojnë shpesh anëtarët e tyre.
Në vend të këtij skenari, mund të jenë më pozitive masat e përkohshme si pezullimi i të drejtave të votimit të Hungarisë në BE apo privilegje të tjera. Nëse liria, demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut, liritë themelore dhe sundimi i ligjit janë një detyrim që buron nga anëtarësimi, a nuk duhet të sjellë pasoja mosrespektimi i tyre?