Nga Sebastian Dullien, “European Council of Foreign Relations”/Javët e fundit, mediet nëpër botë kanë kujtuar përvjetorin e 10-të të një ngjarje sinjalizuese të krizës financiare globale:falimentimin e “Lehman Brothers”, dikur një nga bankat më të rëndësishme të investimeve të Shteteve të Bashkuara.
Pjesa më e madhe e tyre ka përshkruar zhvillimet që çuan në atë krizë, fajtorët dhe heronjtë që e larguan ekonominë botërore nga buza e humnerës, për të parandaluar një rishfaqje të Depresionit të Madh.
Megjithatë, e vërteta e hidhur është se as struktura e sistemit financiar, dhe as diskutimet politike rreth tij, nuk kanë ndryshuar mjaftueshëm, për të parandaluar një kolaps të tillë.
Në shumë raste, leksionet e krizës së viteve 2007-2008 janë harruar – ose tjetërsuar në një histori të largët, që pak ka të bëjë me të tashmen. Kjo vetëkënaqësi, mund të shihet tek rrikthimi i presidentit Donald Trump tek rregullat e shtrënguara bankare, që SHBA-ja paraqiti pas vitit 2008.
Në maj të këtij viti, Kongresi Amerikan miratoi paketën e parë të masave, për të ulur ndjeshëm aspektet e Aktit Dod-Frank të vitit 2010. Ngjashëm, pak qeveri kryesore e kanë marrë seriozisht kërcënimin nga bankat, që janë tepër të mëdha për të falimentuar.
Kriza tregoi se mund të jetë e pamundur mbyllja e bankave të mëdha dhe me borxhe të mëdha, pa dëmtuar ekonominë kombëtare. Një fakt, që i detyron udhëheqësit politikë t’i shpëtojnë ato.
Ky leksion, duket se është harruar në shumë pjesë të Evropës. Për shembull, ekziston një mbështetje politike në rritje, për një shkrirje midis bankave gjermane Deutsche Bank dhe Commerzbank, edhe pse kombinimi i bilanceve të tyre – 1.500 miliardë dollarë dhe 500 miliardë dollarë – do të krijonte një institucion me vlerë rreth 60 për qind të PBB-së gjermane.
Bilanci i BNP Paribas, banka më e madhe e Francës, u rrit nga rreth 1.600 miliardë dollarë në vitin 2007, në rreth 2.000 miliardë dollarë më 2017-ën. Qeveritë nuk kanë arritur ndërkohë të adresojnë sfidat e kompleksitetit financiar. Një nga tiparet më të rëndësishme të krizës së viteve 2007-2008, ishte se zbuloi se sa pak njerëz i kuptonin ndërlidhjet bizantine midis institucioneve financiare globale.
Pas falimentimit të Lehman, dhe kolapsit që pësoi tregu ndërkombëtar, pati një frikë të përhapur, se rrëzimi i një lojtari të madh financiar do të rrënonte gjithë sistemin. Një problem tjetër, është se unioni bankar evropian mbetet i paplotë.
Politikanët evropianë, nuk i kanë kushtuar rëndësi adresimit të problemeve të njohura në sistem, që ndihmuan në krijimin dhe zgjatjen e krizës së eurozonës. Kështu, ndërkohë që sistemi bankar botëror mund të mos përjetojë një krizë të re së shpejti, nuk është aq e sigurt se mund t’i mbijetojë një krize tjetër.
Megjithatë, edhe pse shumica e njerëzve nuk e kuptojnë atë, kriza financiare ka të ngjarë të ketë pasur një rol të rëndësishëm në erozionin e demokracisë liberale perëndimore.
Ekonomistët Manuel Funke, Moritz Schularick dhe Christoph Trebesch, kanë treguar se në ekonomitë e përparuara gjatë një periudhe të gjatë që fillon nga 1870, përqindja e votave të partive të krahut të djathtë, u rrit mesatarisht 30 për qind pas krizave financiare.
Ky efekt ka qenë i veçantë për krizat financiare, dhe nuk vlen për recesionet apo goditjet makroekonomike, që vijnë nga jashtë sistemit financiar. Është e besueshme që një krizë financiare, krijon perceptimin e përhapur, se një elitë e korruptuar po shfrytëzon qytetarët e zakonshëm.
Për shkak se transferimi i parave të taksapaguesve në bankat kreditore, e kufizon buxhetin e qeverisë, shtrëngimi fiskal ndjek shpesh një krizë. Ai rrit papunësinë, si dhe konkurrencën për mallra gjithnjë e më të pakta publike siç janë shëndetësia, arsimi dhe infrastruktura.
Në disa vende, një konkurrencë e tillë mund të përkeqësojë armiqësinë mes vendasve dhe emigrantëve. Pikëpamjet e shumë votuesve evropianë, e pasqyrojnë këtë interpretim të ngjarjeve.
Për shembull, në prag të referendumit të Brexit, disa qytetarë të Mbretërisë së Bashkuar shprehën shqetësimin se punëtorët emigrantë nga Europa Qendrore dhe Lindore, kishin qasje të barabartë në shkollat shtetërore dhe në Shërbimin Shëndetësor Kombëtar, që është në vështirësi për shkak të uljes së financimit.
Shqetësime të ngjashme mbizotërojnë në lagjet e Berlinit, ku ka një mbështetje të fuqishme për Alternative für Deutschland të krahut të djathtë. Një ankesë e zakonshme është:qeveria na ka thënë për vite me radhë se s’ka para për të riparuar godinat e shkollave, por për bankat dhe refugjatët ka papritur para.
Ndërsa puna empirike e tre ekonomistëve mund të kritikohet në disa fronte, argumenti i tyre kryesor duket të jetë i vërtetë. Nëse pjesët e votës kryengritëse ndaj Trump dhe Brexit, mund të llogariten si populiste, është e vështirë të gjesh një vend që përjetoi një krizë të rëndë bankare në vitet 2007-2009, dhe që nuk ka përjetuar një rritje në pjesën e votës populiste.
Kjo dukuri shtrihet përtej partive të krahut të djathtë: populistët majtistë si Podemos kanë mbushur vakuumin në Spanjë, ndërkohë që sistemi politik italian është nën presion nga të dy skajet. Sigurisht, ka më shumë kontributorë në rritjen e populizmit, sesa vetëm kriza financiare globale.
Por ngjarjet e viteve 2007-2008, duket se kanë dhënë një kontribut thelbësor për destabilitetin e vazhdueshëm politik në demokracitë perëndimore. E gjithë kjo tregon një problem shqetësues: duke pasur parasysh se populistët kanë tashmë një prani të rëndësishme në shumicën e shteteve perëndimore, ku do t’i çonte një krizë tjetër financiare?
Dhjetë vjet pas falimentimit të Lehman, është koha që politikanët të trajtojnë financat më shumë se sa një çështje teknike. Kufizimi i teprimeve të sektorit financiar, mund të jetë jetik për mbijetesën e demokracive liberale.
Përshtati për Tirana Today, Alket Goce