Më 13 qershor 1920, vritet në kryeqytetin francez Paris, Esat Pashë Toptani, një nga figurat më të debatueshme të historisë shqiptare. Ishte mesditë, ora 13.00, kur Esat Pasha doli nga hotel “Continental”. Atë ditë mbushte 57 vjeç, dhe kishte vendosur ta festonte në “L’Escargot d’Or”, një nga lokalet më luksoze të Parisit në shoqërinë e së dashurës franceze, 22-vjeçares Eliza Dyfur, me të cilën bashkëjetonte prej dy vitesh, dhe nipit të tij Xhemil Bej Vlora.
Ai prenotoi te recepsionisti një makinë, e cila u parkua përpara hotelit. Ndërsa Xhemili dhe Eliza u futën në makinë, Esati po ecte disa metra prapa tyre. Në atë moment, studenti shqiptar Avni Rustemi i afrohet befas nga pas dhe pa i thënë asnjë fjalë, e qëllon 2 herë me pistoletë. Esat Pasha gjeti vdekjen e menjëhershme, teksa Rustemi hodhi pistoletën e tij mbi trupin e viktimës, dhe nuk bëri asnjë përpjekje për t’u larguar nga vendi i krimit.
Dy roje të sigurisë së hotelit dhe disa kalimtarë të rastit e kapin, duke ushtruar dhunë. Një polic që kaloi aty rastësisht e arrestoi dhe e çoi në stacionin e policisë. Avni Rustemi nuk e kishte takuar kurrë në jetën e tij Esat Toptanin, edhe pse e kishte parë nga larg 5 herë, dhe e dinte mirë veprimtarinë e tij, që në pikëpamjen e shumë shqiptarëve ishte ajo e një tradhtari të kombit.
Në dëshminë e dhënë përpara komisarit Eugjen Zhyblen, ai tha se gjendej fare rastësisht përpara derës së hotel “Continental”, kur befas doli prej andej gjenerali. Në momentin që e njohu, mendja i shkoi vetëtimthi në dy gjëra: revolveri që mbante në xhepin e djathtë të xhaketës, dhe tek krimet që kishte kryer Esati. Ja si e përshkruan 25-vjeçar momentin e vrasjes, përpara trupit gjykues në gjykatën e Parisit:
“Esat Pasha ecte ngadalë e me fodullëk. Me të parë atë, gjithë historia e Shqipërisë m’u përshkua në mendjen time, dhe më pushtoi një turbullim i madh. Kapa në xhep të djathtë revolverin e mbushur me 6 fishekë që e mbaja me vete dhe qëllova disa herë…Ai u rrëzua gati menjëherë, dhe unë e hodha shpejt për tokë revolverin!”.
Megjithatë hetimet e shërbimit sekret dhe policisë franceze mbi Rustemin, treguan se ai nuk ndodhej rastësisht në Paris ato ditë. Ata vërtetuan se në 14 ditët e qëndrimit në kryeqytetin francez, jeta e të riut shqiptar kishte ndryshuar shumë. Kur mbërriti në Francë ishte i veshur aq keq sa që nuk e pranuan në një hotel.
Shumë shpejt ai porositi rroba të reja në vlerën 375 franga, një shumë e madhe për kohën, nga të cilat 100 franga i dha paradhënie. Ai shëtiste në qytet me taksi, ndërsa pas disa ditësh kërkoi të stërvitej për qitje në një polygon. Madje, u interesua të blente një pistoletë. Nga hetimet rezultoi, se në vetëm një javë harxhoi mbi 1 mijë franga.
Po kush ishte Esat Toptani, dhe përse pati atë fund tragjik? Lindi në Tiranë në vitin 1863, dhe ishte pinjoll i familjes feudale më të rëndësishme të Tiranës dhe nip i bejlerëve të Gjirokastrës. Kur ishte 20-vjeç emërohet komandant i regjimentit të xhandarmërisë turke në Vilajetin e Janinës. Vazhdoi karrierën në ushtrinë osmane, dhe në vitin 1908 zgjidhet deputet i Durrësit si pjesë e partisë “Bashkim e Përparim”.
Në fillim të vitit 1912, ishte nismëtar i organizimit të fshehtë të kryengritjeve anti-osmane në trevat shqiptare. Por pasi kryengritja u shtyp, dhe me fillimin e Luftës së Parë Ballkanike, rikthehet në Shqipëri. Do të vihet në krye të luftëtarëve shqiptarë në garnizonin osman, që po mbronte Shkodrën e rrethuar nga forcat malazeze.
Pas vrasjes së gjeneralit turk Hasan Riza Pasha, mbrëmjen e 30 janarit 1913 në rrethana misterioze, Esat Pasha u bë komandant dhe vali i Shkodrës. Ai u rezistoi deri në prill terupave malazeze, dhe më pas e dorëzoi qytetetin. Në këtë pikë ndahen si me thikë historianët. Një pjesë mendon se ai e shiti Shkodrën në këmbim të një shume të madhe parash.
Kjo është pikëpamja që mbizotroi gjatë viteve të diktaturës. Megjithatë, studimet e pas viteve 1990, kanë nxjerrë në pah mendime dhe të dhëna që mbështesin një të vërtetë tjetër. Sipas të clave, Esat Pashë Toptani bëri maksimumin për mbrojtjen e Shkodrës. Por rrethimi disamujor, ndërprerja e rrugëve të komunikimit, kishte shkaktuar një zi buke në qytet, dhe qindra njerëz kishin vdekur urie.
Për të mos rënduar më tej situatën, ai kishte vendosur që ta dorëzonte Shkodrën. Në fakt, malazezët nuk e gëzuan për shumë kohë kryeqendrën e veriut. Në qershor 1913, Konferenca e Londrës njohu pavarësinë e një Shqipërie të cunguar, ku Shkodra mbetej brenda territorit të vendit, ndaj malazezët u detyruan të largohen brenda disa javësh. Në fund të qershorit të atij viti, Esat Pasha u emërua ministër i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit. Por u konfliktua shpejt me këtë të fundit, doli nga qeveria dhe ne tetor 1913 ngriti në këmbë qeverinë e tij, të quajtur “Pleqësia e Shqipërisë së Mesme” me seli në Krujë. Nëpërmjet organeve përkatëse Esat Pasha ishte në gjendje të mblidhte taksa, filloi ndërtimin e rrugëve, krijoi një xhandarmëri të disiplinuar, dhe emëroi në vendet më të rëndësishme nëpunës që ndiqnin dhe zbatonin urdhrat e tij.
Këto akte separatiste, u kritikuan ashpër nga shumica e patriotëve. Easat Pasha, vazhdoi të manovronte sa me italianët, sa me jugosllavët gjatë Luftës së Parë Botërore, teksa Shqipëria ishte shndëruar në një fushëbetejë të fuqive të mëdha. Ai nuk e njohu qeverinë e Durrësit të formuar në vitin 1918, që dërgoi në Konferencën e Paqes në Paris një delegacion të sajin zyrtar.
Përkundrazi, Esati shkoi vetë aty duke pretenduar se ishte ai përfaqësuesi real i interesave të kombit. Në atë periudhë, ai akuzohej nga qeveria shqiptare e kohës se me këtë mungesë uniteti në sytë e botë, po dëmtonte rëndë kauzën e mbrojtjes së pavarësisë së vendit, dhe ruajtjen e integritetit territorial. Toptani dyshohet se në Paris kishte hyrë sërish në bisedime me jugosllavët për lëshime territorial, në këmbim të njohjes së autoritetit të tij si prijësi i Shqipërisë së mbetur.
Ishin këto rrethanat, kur duket se Avni Rustemi është urdhëruar të shkojë dhe ta ekzekutojë në Paris, Esat Pashën. Ndërkohë, ai ishte i implikuar direkt në 10 vrasje, akuzohej për 20 vjedhje, grabitje prone edhe abuzime të këtij lloji.
Edhe pse u shpall fajtor për vrasje, Avni Rustemi u la në fund të gjykimi i lirë. Avokati mbrojtës Anatol De Monzie, që do të bëhej më vonë disa herë ministër, shprehu në sallën e gjyqin një argument unikal: ”A ishte krim politik? Jo, ishte një krim pasioni, sepse nuk ka gjë më të shenjtë se sa dashuria për atdheun”.
TIRANA TODAY