Dje në mbledhjen e nivelit të lartë të përfaqësuesve nga diaspora në Tiranë, ftesa e koduar e kryeministrit për kryetarin e pakicës politike për të zbritur nga shtegu i dhive i mosbindjes civile në autostradën e bisedimit ishte e dukshme. “Atyre shqiptarëve që sot ishin të ftuar dhe nuk janë këtu, unë iu them vetëm një gjë: kur do flasim?”, u shpreh kryeministri. Edhe pse mund të mos rroket fare nga opozita, të paktën do të shërbejë për të ulur sadopak urat e ndezura të zemërimit opozitar.
Edhe pse rituali i bllokimit të deputetëve të shumicës dhe i hedhjes së shashkave mund të vijojë çdo të enjte kur ka Kuvend, vjen nga “pala e urryer” një sinjal se është gati të ofrojë diçka. Çfarë do të jetë kjo diçka? Një qeveri teknike? Apo “unë jam gati të hap krahun”? Si zor të jetë kjo e fundit: koka e vetë kryeministrit në sininë e argjendtë të inatit të të qesëndisurve, të tallurve, të injoruarve dhe të defaktorizuarve nga opozita. Hakmarrja e saj është e gjitha aty, e ngrohtë, në bulevard, në rrugën përballë parlamentit. E pakonsumuar. “Nuk ka negociata! Nuk ka bisedime”. Ndërkohë, ideja se timonieri mund të braktisë përkohësisht drejtimin e qeverisë, duke ia besuar një të panjolli (për shembull ish-kryeministrit Majko), për të fituar zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme në shtator apo tetor dhe të rikthehet prapë, ka filluar të formësohet në disa tryeza të ndrojtura socialistësh. Mirëpo… si zor. Sepse kjo zgjidhje, edhe sikur ta hajë opozita, është tejet e rrezikshme për zhgënjimin që mund të sjellë në përkrahësit e partisë në pushtet largimi (qoftë dhe i përkohshëm) i timonierit (“Po ne mirë të kishim në krye mo xhan, ç’pate?!”).
Sido që të jetë, “a folim?” i djeshëm kryeministror edhe mund të mbajë një ofertë brenda. Ç’të jetë vallë? Virtuale? Një spruco nga ato që mjeshtri i reklamës dhe i gojëtarisë politike i ka në majë të gishtërinjve dhe gjuhës, të tipit “E shikoni o vëllezër të Brukselit dhe të Parlamentit Evropian? Unë i ziu edhe të nesërmen që ikët ju, e zgjata dorën për dialog. Po, a dëgjojnë këta”?! Apo konkrete, të tipit të atyre që u biseduan për tri orë natën e 17 prillit 2017, duke u gdhirë data 18 prill, mes kryeministrit dhe kryetarit të opozitës? Cilado të jetë prapavija e ofertës kryeministrore, përbën një ogur të mirë për vendin. Sinjalin e parë të uljes së tensionit. Pavarësisht se pakica jonë politike mund ta injorojë atë plotësisht. Ose, në të kundërt, mund të merret prej saj edhe si shenjë frike dhe dobësie e kundërshtarit dhe vetë “qoftëlargut”. Ja, u leqendis, e bëri në brekë! Revolta jonë dhe mundësia e efektit domino të saj e bëri të sprapset. Koha për t’u bërë edhe më të vendosur dhe për ta ndezur flakë situatën! Edhe ky reagim mund të ndodhë mes opozitës së elektrizuar nga stepja dhe reagimi i të gjithë bashkësisë ndërkombëtare nga veprimin i saj kamikaz politik i dorëzimit masiv të mandateve të përfaqësimit në Kuvend. Me një ide të fiksuar që po bën terren përherë e më shumë brenda radhëve të saj: “Këta ndërkombëtarët kështu e kanë.
Të refuzojnë fillimisht dhe të godasin, por pastaj, kur e shohin që radhët e tua mbushen me qytetarë, të përkrahin”. Këtu qëndron i gjithë basti opozitar dhe shpresa për të ardhur në pushtet. Tek efekti domino që mund të sjellin tek qindra-mijëra qytetarët e zhgënjyer nga qeverisja e sotme protestat e vazhdueshme të saj në dyert e Kuvendit. Pavarësisht këtyre ëndrrave në diell të opozitës sonë, sot më të vetmuar se kurrë më parë nga vetëvrasja e saj politike, për vendin dhe për ne si qytetarë të thjeshtë çdo lloj shenje ulje tensioni dhe ulje gjakrash është pozitive. Dhe marrim pak frymë të lehtësuar nga kjo “a folim?”. Duke pritur shpresëndrojtur shenja të tjera dialogu dhe zemërdredhur nga mundësia e lartë e gjullurdive dhe tensioneve të reja politike. Kjo loja jonë politike për mbajtjen apo marrjen e pushtetit me çdo kosto integruese, ekonomike apo dhe të pasigurisë së vatrave tona familjare po shndërrohet në serialin më të shëmtuar të papërgjegjshmërisë ekstreme. Dhe na vjen t’u themi “Ç’borxh ju kemi mor të paudhë”?! Na vjen kaq pështirë si qytetarë, kaq ndot nga ky spektakël mjeran. Mirëpo nuk kemi, për fat të keq, ende aktorë të tjerë në skenën tonë politike. Vetëm këto dy (apo tre) kukullat (apo kukudhët) e zakonshëm./GSH.al