Nga Cynthia Sear “The Age”
Më maskë në fytyrë, doreza në duar, dhe syzet e diellit në sy, jam gati të nis shëtitjen time jashtë shtëpisë, kryesisht për të kryer pazarin e përditshëm. Sa afrohem tek ushqimorja e lagjes, shoh një radhë blerësish. Ndalem 2 metra larg personit të fundit, duke zënë vendin tim në radhë, për t’u bërë një nga 4 personat që lejohen të hyjnë njëkohësisht në dyqan.
I buzëqesh djalit që menaxhon radhën, por pastaj e kuptoj se syzet e diellit dhe maskat e ndalojnë çdo komunikim të tillë. Kjo është përvoja e blerjeve në kohën e Covid-19, ku akti i mëparshëm global i blerjes së ushqimit, është tani një mision me një koreografi strikte.
Larg prej meje! Risjell në mendje listën time të blerjeve, teksa zhurma e disa hapave dhe një frymëmarrje e rënduar më rikthejnë në të tashmen. Një vrapues i djersitur më është afruar. Në gjoks ndjej një shtrëngim, dhe rrahjet e zemrës sime përshpejtohen.
Shoh përreth dhe zbuloj se nuk jam në gjendje të spostohem më tej, për shkak të një makine të parkuar përbri meje. Vrapuesi kalon 1 metër pranë meje, një hapësirë që deri para pak kohësh, rrallëherë e kisha llogaritur me kaq saktësi.
Edhe pse tani është të paktën 3 metra larg meje, era e djersës së tij përzihej me deodorantin që përdori dikush tjetër pranë meje. E ndiej aromën e tij të rëndë, dhe më lind befas mendimi tmerrues se fryma e vrapuesit sapo më ka hyrë në trup nëpërmjet syve.
Në botën e re të Covid-19, trupi i Tjetrit mund të përjetohet si një kërcënim i menjëhershëm. Mjekët na paralajmërojnë se koronavirusi mund të hyjë në trupin tonë në shumë mënyra, përmes piklave në ajrin që thithim, përmes flegrave të hundës, përmes gojës, mollëzave të fytyrës, si dhe nga sipërfaqet që prekim.
Ky fokus i ri në transmetimin e mikrobeve, na kujton se trupat tanë nuk janë qenie dhe aq të paprekshme. Përkundrazi janë të hapura ndaj botës dhe mjedisit përreth. Kjo vëmendje e shtuar ndaj natyrës poroze të trupave tanë, ka sjellë përvoja të reja të neverisë por edhe dhunës.
Kur u shtuan rastet me Covid-19 në Evropë, videoja e të riu që i lëpinte gishtat më pështymë, dhe pastaj i fërkonte ato në mbajtëset e një vagoni në metro u bë virale, duke çuar në arrestimin e tij. Javën e shkuar në Australi, u publikuan disa raste të kollitjeve të forta dhe të pështymave në supermarkete, apo edhe përleshje me forcat e policisë.
Antropologia Meri Dagllas e ka përshkruar neverinë si një strukturë kulturore. Objekti i neverisë sonë nuk është natyrshëm i pështirë. Përkundrazi, ne ua vendosim këtë cilësim sendeve dhe personave për shkak të vlerave dhe besimeve tona kulturore.
Ajo shkruan: “Nuk ekziston diçka e tillë si papastërtia absolute, ajo ekziston vetëm në sytë e atij që vëzhgon”. Si njerëz, ne kemi një dëshirë universale për të kategorizuar të tjerët, duke caktuar kufijtë. Kur gjërat ose personat shkelin klasifikimet tona, ne zmbrapsemi.
Në rastin e Covid-19, kufijtë e trupave tanë janë ri-imagjinuar. Shqetësimi mbi shëndetin tonë personal dhe sistemin e kujdesit shëndetësor, është natyrisht një arsye e vlefshme për të vendosur kufizime të reja në atë që konsiderohet sjellje e përshtatshme, siç është rregulli i distancimit social prej 1.5 metrash, dhe larja e shpeshtë e duarve.
Por këto kategorizime, krijojnë hapësira të reja për shkelje dhe forma të reja të dhunës. Ajo që mbetet për t’u parë, është nëse këto frika të reja për trupin tonë dhe lidhja e tyre me të tjerët, do të prodhojnë ndryshime të qëndrueshme kulturore. Çfarë fajësie, do t’i vishet një kollitje apo teshtitje, kur personi përgjegjës nuk mbrohet si duhet me bërryl?
Dhe tek e fundit: A do t’i shtrëngojmë sërish duart me njëri-tjetrin ? Për këtë të fundit, dr.Entoni Fauçi, drejtori i Institutit Kombëtar të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka thënë që shpreson që jo. Gjurmimi i rëndësisë kulturore të pështyrjes në Perëndim, na jep disa të dhëna.
Ndërsa sot, pështyrja shihet si një gjest i neveritshëm, dhe në rastet kur drejtohet ndaj një personi të caktuar, si një akt agresioni, ajo nuk ka qenë gjithmonë kështu. Siç shkruan Norbert Elias në librin e tij “Procesin e Qytetërimit” të botuar për herë të parë në vitin 1939, pështyrja dikur ishte një kalim kohe i zakonshëm i të gjitha shtresave shoqërore në Evropën Perëndimore, dhe konsiderohej gjerësisht si një zakon normal për të pastruar fytin.
Por përgjatë shekujve, shtresat e larta nisën ta kufizojnë pështyrjen në hapësira të caktuara, dhe e konsideruan atë si një gjest të pahijshme në shoqërinë e familjes mbretërore. Shumë kohë përpara se të tregohej se ajo ishte një nga rrugët për transmetimin e sëmundjeve të rrezikshme, praktika publike e pështyrjes, u lidh zakonisht me shtresat e ulëta, dhe me Tjetrin “e pacivilizuar”.
Përmes kësaj lidhje, pështyrja u bë një gjest i turpshëm dhe i neveritshëm, dhe Elias përshkruan se si kjo u përkthe në Perëndim në një eliminim gati të vetë nevojës për të pështyrë. Kjo lloj disipline trupore dhe dallimi social që ajo imponon, është ndoshta forma më e fshehta e dhunës, sesa historia që tregova në fillim të këtij shkrimi mbi personin që shkelin hapësirën time të perceptuar prej 1 metri.
Siç e kanë vërejtur edhe shumë të tjerë, aftësia për të praktikuar distancimin shoqëror, dhe për të ruajtur një distancë prej 1.5 metrash mes vetes dhe Tjetrit, është një luks dhe gati i pamundur për shumë njerëz të shtresave të varfra. Për më tepër, llojet e reja të shfaqjeve trupore që jemi të detyruar t’i kryejmë, brenda ose pas kontaktit me Tjetrin, janë në vetvete një formë dhune, por të cilës i nënshtrohemi ama me dëshirë.
Sipas filozofit francez Mishel Fuko, teknika të tilla të biokracisë “arrijnë nënshtrimin e trupave, dhe kontrollin e popullatave”. Ndërsa ne mund të besojmë se këto sjellje janë të dobishme dhe produktive për të ndaluar transmetimin e koronavirusit, duhet të jemi gjithsesi të kujdesshëm.
Kur rreziku i vërtetë i transmetimit të Covid-19 të jetë zhdukur, nuk ka gjasa që kjo përvojë e tanishme e trupit të ekspozuar dhe kufijve të saj të çrregullt të zbehet.
Përkundrazi, këto forma të reja të neverisë dhe dhunës, ka të ngjarë të vazhdojnë të prodhojnë qytetarë të përgjegjshëm, që nuk rrezikojnë trupin e tyre dhe të tjerët me transmetimin e mikrobeve. Qytetarë, me apo pa pandeminë e koronavirusit vërdallë, nuk do të pranojnë t’i shtrëngojnë më duart njëri-tjetrit./TIRANA TODAY
Shënim: Cynthia Sear, është antropologe dhe studiuese në Universitetin e Melburnit, Australi.