Ministrja e Arsimit Besa Shahini ka bërë me dije se për shkak të COVID-19, nuk do të festohet mbrëmja e Maturës.
Shahini iu përgjigj publikisht disa prej pyetjeve që i kishin dërguar në rrjetet sociale.
Disa nga pyetjet dhe përgjigjet:
Çfarë përmban provimi i maturës?
Shahini: Nga data 4 maj, Rezarta Vrapi, drejtore e qendrës së shërbimeve arsimore, çdo ditë do t’ju informojë për detaje të ndryshme të provimit të maturës. Jo vetëm për përmbajtjen e testit, por edhe për elementë të administrimit.
Kam frikë të kthehem në shkollë…
Shahini: Kthimi në shkollë nuk është i detyrueshëm. Ne po i hapim shkollat për maturantët pasi ju keni kërkuar të keni konsultime. Nëse e ndjeni se mund ta bëni provimin e maturës pa konsulencë mund të përgatiteni në shtëpi, por duhet të njoftoni drejtorin e shkollës paralelisht”.
Jam jashtë vendit, a mund të kthehem për datën 18 maj?
Shahini: Më datë 11 maj, është e mundur të merret një vendim për hapjen e kufijve. Nëse nuk do të ketë një vendim do të merremi me ju individualisht.
A do të ketë mbrëmje të maturës si vjet?
Shahini: Fatkeqësisht jo!