Aktori i humorit, Julian Deda, i cili kandidoi në Primaret e Rithemelimit për Bashkinë e Tiranës ka reaguar sot nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social, ku shkruan se pavarësisht numrit të votave që mori, me rëndësi ishte cilësia.
Përmbyllja e numërimit për procesin e Primareve, ka sjellë edhe pakënaqësi tek kandidatë të cilët nuk kanë arritur të marrin numrin e votave që prisnin nga anëtarët dhe simpatizantët e Rithemelimit. E ndërsa Julian Deda vë në dukje se kjo nuk do të ishte gara e fundit e tij në politikë. Julian Deda arriti të siguronte 157 vota në total nga anëtarët dhe simpatizantët e Rithemelimit në Tiranë.
“Unë nuk ja dola dot, por këto Primare ishin vërtetë një garë e bukur, të cilën e kam shijuar pa fund. Kam takuar aq demokratë sa kisha mundësi, të cilët i falenderoj për fjalët e mira, njëkohësisht i kerkoj ndjesë atyre qe s’pata mundësi fizike ti shtrëngoja dorën.
Falenderoj gjithashtu të gjithë vëzhguesit e mi, që qëndruan deri ne fund të një procesi të lodhshme. Mirenjohje për kedo që besoi tek unë dhe më ndihmoi në këtë garë historike.
E vërtetë, dola me shume pak vota, por për mua s’ka rëndësi sasia, por cilesia e tyre, arsyeja se pse me kane votuar. Jam i sigurte, që janë vota bio, vota frymezimi. Askush në atë parti nuk më ka asnjë borxh, asnjerit nuk i është kerkuar me ngulm, askujt nuk i eshte thene “votojeni Julin se ashtu është puna”, pra janë vota pa interes. Janë thjeshtë vota zemre. Për këtë jam shume mirënjohës.
Une besoj se nuk ju kam zhgënjyer, jam munduar ti jap bukuri, vërtetësi, sinqeritet, dhe frymë garës, duke ofruar personin tim si alternative. Une, perveç familjes, nuk kam asnje pasuri tjeter, vetem veten time, kështu siç jam. Besoj të me keni kuptuar. Një gjë është e sigurtë, kjo ishte gara ime e parë, por kurrsesi e fundit”.