Lista Serbe – e vlerësuar si partia kryesore e serbëve në Kosovë – tha se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e shpallura për katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës. Njoftimi vjen një ditë pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, caktoi 18 dhjetorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq. Kryetarët e këtyre komunave – që të gjithë nga Lista Serbe – dhanë dorëheqje më 5 nëntor, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin e riregjistrimit të makinave me targa të paligjshme serbe.
Lista Serbe tha të martën se as subjekti, as qytetarët që e mbështesin atë – “mbi 95% e të cilëve janë në këto zona” – nuk do të dalin në zgjedhje. Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, nga 31.533 votuesit që kanë marrë pjesë në katër komunat në veri, 28.517 kanë votuar për Listën Serbe.
Misioni vëzhgues i Bashkimit Evropian ka thënë atëbotë se “Lista Serbe e ka monopolizuar jetën politike të serbëve të Kosovës” dhe, sipas tij, ka pasur “raste të kërcënimit dhe presioneve” mbi votuesit.
KQZ nis përgatitjet
Ligji për zgjedhjet lokale në Kosovë thotë se pas dorëheqjes së kryetarëve, komunat duhet të shkojnë në zgjedhje të parakohshme.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të martën se ka nisur përgatitjet për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
“Afati për aplikim për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve për pjesëmarrje në zgjedhje fillon më 15 nëntor dhe përfundon më 21 nëntor, 2022”, bëri të ditur KQZ-ja.
KQZ-ja, po ashtu, tha se ka miratuar planin e buxhetit për organizimin e këtyre zgjedhjeve, i cili kap vlerën e mbi 556 mijë eurove.
Petkoviq: Zgjedhjet në veri, të destinuara për të dështuar
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se këto zgjedhje janë të destinuara për të dështuar.
Ai tha se ato janë “një përpjekje e re e Prishtinës për të pushtuar” veriun e Kosovës, “duke u fshehur pas një lloj procesi zgjedhor”.
“Kjo është edhe një dëshmi se Prishtina asnjëherë nuk ka dashur bashkëpunim institucional me serbët e Kosovës, por, përkundrazi, është munduar të zbatojë dhe rrumbullakojë idenë e saj për Shqipërinë e madhe dhe t’i dëbojë serbët nga vatrat e tyre shekullore”, tha Petkoviq, duke mos ofruar asnjë provë që do t’i mbështeste këto pretendime.
“Zgjedhjet për komunat serbe, pa serbë dhe popullin serb, nuk kanë kuptim dhe si të tilla janë të destinuara për të dështuar”, tha Petkoviq përmes një komunikate për media.
Në një anketë që ka bërë Radio Evropa e Lirë me disa qytetarë në Mitrovicën e Veriut, më 11 nëntor, ata kanë thënë se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme. Përveç kryetarëve të katër komunave, dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe serbë të tjerë të veriut – nga niveli lokal deri në atë qendror. Të mbështetur nga Beogradi zyrtar, ata kundërshtojnë planin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
Me këtë plan parashihet që makinat me targa të tilla të riregjistrohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës, deri më 21 prill të vitit të ardhshëm. Serbia kundërshton, duke këmbëngulur në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës. Autoritetet e Kosovës kanë nisur zbatimin e planit më 1 nëntor, me gjithë thirrjet e komunitetit ndërkombëtar për ta shtyrë atë, për shkak të rrezikut të tensioneve. /evropaelire