Pak ditë më parë, në shënjestër të hakerave iranianë ishin punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, ku rreth 600 punonjësve u janë publikuar emrat, email-et dhe numrat e telefonit.
Eksperti i sigurisë, Ergys Muzhaqi, në një intervistë për “Euronews Albania” thotë se punonjës të SHISH, emrat e të cilëve janë publikuar nga hakerat, janë të rrezikuar për jetën dhe karrierën.
Muzhaqi u shpreh se disa nga këta punonjës që janë përgjegjës për mbledhjen e informacionit të ndjeshëm që lidhet me krimin e organizuar, janë të ekspozuar ndaj krimit.
“Hakerat kanë marrë një informacion cilësisht të rëndësishëm, sekret. Ditë pas dite e vërtetojnë përkundrejt deklaratave të qeverisë, se nuk është marrë ndonjë gjë domethënëse, por ndërkohë janë nxjerrë e-mailet e kryeministrit dhe kreut të SHISH.
Nga ana teknike jo të gjithë personeli është i ekspozuar, edhe pse emrat e punonjësve të SHISH nuk duhet të publikohen. Janë të ekspozuar ndaj eksponentëve kriminalë. Për një pjesë është shumë e rrezikshme për jetën dhe për karrierën e tyre”, tha Muzhaqi.
Sipas tij, është i nevojshëm rinovimi i personelit që tashmë është i ekspozuar, dhe marrja e përgjegjësive dhe ndëshkimi i asaj pjese të strukturës shtetërore që ka dështuar në ruajtjen e sistemit.