Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia po kërcënon “me dhunë dhe barrikada”, për shkak se Kosova po zbaton ligjin, kur bëhet fjalë për riregjistrimin e makinave nga targat serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.
Këto deklarata të presidentes Osmani vijnë pak kohë pasi Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – kërcënoi se do të bllokohen rrugët në veri të Kosovës, nëse autoritetet në Kosovë, pas 31 tetorit – kur thuhet se skadon afati për riregjistrimin e makinave – konfiskojnë targat dhe veturat e qytetarëve serbë që jetojnë në Kosovë.
“Serbia është shtet që kërcënon me masa antiligjore pse Kosova po e zbaton ligjin. Krejt kjo shpjegon gjithçka, pra Serbia po kërcënon me dhunë pse Kosova po zbaton ligjit. Kjo është ajo piktura e madhe që insistojmë që të gjithë ta shohim, që është mbi të gjitha çështje e sundimit të ligjit, çështje e respektimit të parimeve dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, të cilat Kosova po i respekton. E tëra që po bëjmë është që po e zbatojmë ligjin dhe po i mbrojmë të gjithë qytetarët pa dallim. Dhe si rezultat i kësaj, Serbia po kërcënon me dhunë, me barrikada të cilat siç e dini janë shkelje e lirisë së lëvizjes”, tha Osmani gjatë një konference për media në Prishtinë pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Osmani tha se Kosova po punon me të gjithë partnerët e saj të që mos lejojë, siç tha ajo “skenarët rusë” për destabilizimin e Ballkanit.
“Ne do të punojmë bashkërisht me të gjithë partnerët tanë që të mos lejojmë që këto skenare ruse të kenë vend në Ballkanin Perëndimor, dhe të mos lejojmë që përderisa Serbia ka zgjedhur të vallëzojë me melodinë e [presidentit rus, Vladimir] Putinit, që të kenë rezultate në tensionimin dhe destabilizimin e rajonit tonë. E gjithë puna jonë është në koordinim me aleatët tanë që ta mbrojmë paqen, stabilitetin, demokracinë e arritur, por mbi të gjitha të sigurojmë sundim të ligjit për të gjithë qytetarët tanë, pa dallim etnie”, tha Osmani.
Nga 1 shtatori deri më 31 tetor, Qeveria e Kosovës ka thënë se qytetarët serbë, që kanë targa të lëshuara nga Serbia – që Kosova i konsideron ilegale – mund t’i konvertojnë në targa RKS.
Osmani tha se vetëm 10 për qind e serbëve ende nuk i kanë marrë targat RKS, por sipas saj, kjo po ndodh për shkak të “kërcënimeve” nga siç tha ajo “strukturat ilegale serbe”.
Ajo përmendi edhe rastin e fundit të djegies së një veture në Leposaviq më 26 tetor, që sapo kishte konvertuar targat në RKS.
“Ka një kohë të gjatë që qytetarëve serbë që po respektojnë dhe zbatojnë ligjet, që po i ndërrojnë targat, si rezultat i kësaj po u digjen shtëpitë dhe makinat. Të gjitha këto veprime të strukturave ilegale dëshmojnë se kjo në esencë është çështje e sundimit të ligjit”, tha Osmani.
Osmani shtoi se lufta e Kosovës është “luftë kundër bandave” dhe sundimit të ligjit.
Gjatë konferencës për media, Osmani foli edhe për dialogun që Kosova dhe Serbia zhvillojnë nën ndërmjetësimin e BE-së. Ajo tha se në këtë proces Kosova angazhohet për “paqe dhe stabilitet afatgjatë”.
Duke folur për iniciativën e Francës dhe Gjermanisë, Osmani tha se kurrë nuk ka mohuar ekzistimin e kësaj nisme, por tregoi se liderët e Kosovës do të takohen me zyrtarët e Berlinit dhe Parisit për të kuptuar detaje të kësaj nisme. Sipas të parës së shtetit, kjo nismë synon intensifikimin e dialogut.
Më herët, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kishte thënë se propozimi franko-gjerman – që i është dorëzuar liderëve të Kosovës dhe Serbisë – konsiston në atë që Serbia të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë edhe në Kombet e Bashkuara, në këmbim të një procesi të shpejtë të anëtarësimit të Beogradit në bllokun evropian.
Osmani ka deklaruar para disa ditësh se as BE-ja e as SHBA-ja asnjëherë nuk kanë kërkuar që Kosova të heqë dorë nga njohja reciproke, që Prishtina kërkon që të jetë në qendër të një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë. Por, Serbia kërkon që dialogu me Kosovën – që ndërmjetësohet nga BE-ja – të përmbyllet me një zgjidhje kompromisi, pa saktësuar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë. /evropaelire